Importe minimale, thellohet kriza tek ndërtimi

Shqipëria njohu muajin e shkuar nivelin më të ulët të importeve që prej janarit të vitit 2011. Sipas INSTAT, vendi importoi rreth 35 miliardë lekë mallra gjatë janarit 2012 me një rënie prej 33 për qind krahasuar me dhjetorin 2011 dhe minus 3.7 për qind krahasuar me janarin 2011.
Rënia e importeve pasqyron edhe një herë rënien e konsumit në Shqipëri, tregues të cilët u shfaqen edhe gjatë dy muajve të fundit të vitit të shkuar. Megjithatë, konsumi gjatë dhjetorit u stimulua më shumë prej festave të fundvitit.
Por ky nuk është treguesi më shqetësues, pasi më problematik është fakti se importet kanë shënuar rënie të fortë pikërisht në mallrat që kanë të bëjnë me sektorin e ndërtimit si edhe tek makineritë. INSTAT tregon se importi i hekurit dhe materialeve të tjera të ndërtimit ka renë nga 5.6 miliardë lekë në janar 2011 në 3.9 miliardë lekë në janar 2012. Importi i makinerive gjithashtu ka renë nga 6.4 miliardë lekë në janar 2011 në 6.2 miliardë lekë në janar 2012. Nisur nga këto të dhëna, duket se sektori i ndërtimit po përjeton një krizë të thellë pas fillimit të rënies nga viti 2008, ndërsa bizneset kanë ndalur investimet për zgjerimin e kapaciteteve apo modernizimin.
S.E.
Add new comment