Shuhet në New York kirurgu i shquar Perikli Sheti

Postuar në 11 Mars, 2012 10:46

Të enjten, më 8 mars 2012, ndërroi jetë në Nju Jork kirurgu i shquar shqiptar, doktor Perikli Sheti, pas një sëmundjeje të gjatë. I lindur në Vuno dhe i diplomuar në Universitetin e njohur “Seçenov” të Moskës, në degën e mjekësisë, specialiteti kirurgji, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera, ai refuzoi edhe kërkesën e Spitalit Universitar për të punuar disa vjet atje. Kthehet në Shqipëri më 1960 dhe fillon punë në Spitalin e Tiranës. Të shumtë janë ata pacientë që ia dedikojnë jetën duarve të shkathëta të kirurgut të ri, emri i të cilit shumë shpejt u bë i njohur në të katër anët e vendit. Po kështu ai u shqua edhe si pedagog i përgatitur, leksionet e të cilit kujtohen edhe sot nga ish-studentët e tij.

Por me regjimin komunist, si shumë intelektualë të tjerë, nuk i pati punët mirë. E transferojnë në Elbasan, por edhe aty filluan kritikat e demaskimet publike, veç të tjerash edhe pse u martua me të bijën e një të dënuari politik. Pas kryerjes së dënimit, vazhdon punën në qytetin e Peqinit, deri sa në vitin 1990, në ditët e ambasadave, iu bashkua fëmijëve të vet që kishin hyrë përpara tij, gjë që bëri përshtypje atëmot. Bashkë me familjen, emigroi në Amerikë, ku punoi në Spitalin Universitar të Nju Jorkut dhe banoi në Rixhvud. Në komunitetin shqiptar të Quinsit apo dhe më gjerë, ai njihet si një nga bashkatdhetarët më aktivë për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që nuk reshtnin së ardhuri pas viteve ’90.

Re.Pu.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.