Marine le Pen ia doli: I mblodhi firmat dhe tani është zyrtarisht në garën presidenciale

Brenda ditës së premte, kandidatët presidencialë të Francës do duhet të paraqitin 500 ‘parrainages’, ose me fjalë shqip 500 nënshkrime të kryebashkiakëve e të funksionarëve të tjerë të zgjedhur në 30 qarqe (departamente) të Francës. Kreu i Frontit Nacional, Marine Le Pen, i ka mbledhur këto firma. Po mendohej se do hiqte ca për t’i gjetur këto firma, por ajo ia doli, dhe kështu është zyrtarisht pjesëmarrëse në garën presidenciale.
Kandidimi i Le Penit është një lajm i keq për Sarkozy-në, pasi që të dy janë në një garë më vete për të ndjellë votat e francezëve ultra të djathtë, dhe nga kjo garë brenda garës del i fituar kandidati socialist Francois Hollande. Sondazhet i japin 15-17% të votave vajzës së Le Penit të famshëm, dhe të gjitha këto janë vota që i hiqen Sarkozy-së në betejën me rivalin Hollande për të marrë nën kontroll pallatin Élysée. Sarkozy ka kohë që jeton me frikën nga Le Peni, e prandaj ai i ka hapur ca si shumë gërshërët programore. Javët e fundit është fokusuar në mënyrë të veçantë tek dy tema të dashura të së djathtës, tek emigracioni e tek rendi publik, të parin për ta kufizuar e të dytin për ta theksuar.
Re.Pu.
Add new comment