Pasiguria e bankave, rritet sërish kosto borxhit

Kosto e borxhit të qeverisë po rritet nga ankandi në ankand edhe pse norma bazë e interesit për lekun ndodhet në nivelet më të ulta historike, 4.5 për qind. Në ankandin e radhës të zhvilluar sot, me qëllim marrjen e 14.3 miliardë lekëve borxh nga bankat nëpërmjet bonove të thesarit, është vërejtur një tjetër rritje e interesave të bonove me afat maturimi një vjeçar. Bankat kanë pranuar t’i blejnë bonot një vjeçare me një interes mesatar prej 7.34 për qind, me një rritje prej 0.2 pikë përqindje në raport me ankandin e kaluar.
Interesat për bonot me afat maturimi gjashtë mujor ndërkohë, janë blerë nga bankat me çmime më të ulta krahasuar me ankandet e zhvilluara në fillim të vitit. Bankat i dhanë sot qeverisë rreth 4.7 miliardë lekë borxh duke blerë bono thesari me afat maturimi gjashtë mujor me interes mesatar prej 6.1 për qind. Norma e interesit për këto bono është ulur me 0.13 pikë përqindje krahasuar me ankandin e zhvilluar në fillim të janarit të këtij viti.
Rritja e interesave për bonot një vjeçare pasqyron mosbesimin e bankave tek aftësitë paguese të qeverisë duke preferuar të marrin përsipër një risk me afat më të shkurtër.
S.E.
Add new comment