Krimi i mbrëmshëm trazon ca më shumë situatën në Maqedoni; por autorët janë të panjohur

Postuar në 13 Prill, 2012 16:42

Ngjarja ka ndodhur të enjten në mbrëmje, në fshatin Smillkovë (agjenci të ndryshme e shkruajnë ndryshe emrin e fshatit), pranë një liqeni artificial në afërsi të Shkupit. Është fjala për një plojë të vërtetë. Janë gjetur kufomat e pesë njerëzve: katër janë të rinj të moshës 18-20 vjeç, dhe i  pesti është pak mbi të dyzetat. Që të pestë janë me origjinë maqedonase, dhe kjo  u ka kallur në kokë shumë njerëzve idenë e një krimi të ngritur mbi urrejtjen etnike. Nuk është vetëm identiteti i viktimave që bën të mendohet për një krim të natyrës etnike. Është dhe klima e hidhur dhe e tensionuar ndëretnike në Maqedoninë e kohëve të fundit, ku kronika e zezë ka regjistruar akte dhune të kryera nga maqedonas/shqiptarë kundër shqiptarëve/maqedonasve.

Situata është trazuar e tendosur ca më shumë në fqinjin tonë të lindjes, por për fat të mirë autoritetet janë treguar të matura, dhe nuk kanë ushqyer spekullime e perceptime të ngritura mbi hamendje e mbi paragjykime. “Duhet të presim se ç’do të thonë hetimet” – ky ka qenë mesazhi që zyrtarë të lartë të Ministrisë maqedonase të Rendit u kanë përcjellë qytetarëve të zemëruar, në mendjen e të cilëve autorët e këtij krimi të shëmtuar janë shqiptarë. Priten detaje të hetimit në orët që do vinë. Duhet uruar të mos jetë krim i markës etnike.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.