Sarkozy-ja përdor Obama-n në fushatë; francezët nuk duket se janë dakord me këtë gjë

Data e zgjedhjeve presidenciale në Francë, 22 prilli, është tanimë afër, dhe kandidatët janë duke shfrytëzuar kartat e fundit elektorale. Por Sarkozy-ja është kapur duke bërë një gjë jo fort të zakontë për politikën franceze. Ai ka patur një lidhje video me presidentin amerikan, gjatë së cilës ka biseduar për çështje të ndryshme të politikës planetare, dhe minutat e para të kësaj videoje, ku konsumohet pak ‘intimitet e mirësjellje’ formale, ai po i përdor si një spot elektoral. “S’po merr dot frymë prej fushatës, besoj”, i thotë Obama Sarkozy-së në videon që është transmetuar. Po Obama tregohet duke thënë: “Të admiroj për mënyrën se si po e bën këtë fushatë”. Dhe pastaj vjen radha e Sarkozy-së: “Ne do t’i fitojmë këto beteja, zoti Obama. Ne që të dy do të dalim të fituar”. Kaq është mini-spoti.
Reagimet në Francë nuk kanë qenë të lezetshme përt Sarkozy-në. Deri dhe gazetarët e televizionit publik francez e dënuan këtë gjetje si “operacion grotesk komunikimi”. Ndërsa nga partia socialiste e kandidatit Hollande doli mesazhi se “është dhunuar protokolli diplomatik dhe është turpëruar Franca në arenën ndërkombëtare”.
E.G.
Add new comment