CEZ: S'punojmë dot në Shqipëri; SHBA-të të ndërhyjnë

Postuar në 19 Prill, 2012 11:38

“CEZ Shpërndarje nuk mund të vazhdojë të operojë më tej me humbje të tilla financiare. Një zgjidhje duhet të gjendet brenda javëve të ardhshme”. Ka deklaruar kështu në kryeqytetin çek zëdhënësja e kompanisë gjigande CEZ Group, filiale e së cilës është CEZ Shpërndarje, operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Këtë e raporton e përditshmja e madhe e Pragës “The Prague Post”.
“CEZ nuk është e kënaqur lidhur me hapat e ndërmarra deri tani, ajo është e detyruar të mbrojë vlerën e kompanisë për investitorët dhe aksionerët e saj”, shtoi ajo. Novakova deklaroi se, si aksioneri më i madh i Bankës Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të tregojnë interes të zgjidhin problemet midis CEZ-it dhe Shqipërisë. Banka Botërore ka akorduar një fond garancie prej 60 milionë eurosh, që mund të merren në rast se qeveria shqiptare nuk iu përmbahet angazhimeve të marra.
Sipas së përditshmes çeke, qeveria e Pragës ka ndërhyrë pas ankesave të gjigandit të energjetikës CEZ Group lidhur me problemet që ka hasur në Shqipëri, ku ajo ka investuar fonde të konsiderueshme. CEZ thotë se ERE ka rritur 91% çmimin e blerjes për CEZ-in nga fillimi i vitit, por nuk lejon që këtë kosto të rritur ta kalojë tek konsumatorët. Kryeministri çek Petr Necas deklaroi pak ditë më parë në Tiranë se të gjitha mosmarrëveshjet mund të zgjidhen me negociata. “Unë kam marrë siguri nga qeveria shqiptare se ajo është e interesuar që investimi nga CEZ të jetë një histori suksesi”, u tha ai gazetarëve, citon “The Prague Post”.
Artikulli i plotë i The Prague Post: http://www.praguepost.com/business/12850-necas-goes-to-bat-for-cez.html
(gk/im/shqiptarja.com)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.