Presioni i të ardhurave, qeveria shkurton investimet në infrastrukturë

Në një kohë kur të ardhurat në buxhetin e shtetit janë duke u realizuar me ritme të ngadalte, qeveria duket se ka shtrënguar fortë edhe shpenzimet kapitale, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ndërtimin e rrugëve, kanalizimeve etj.
Treguesit fiskal të publikuar nga Ministria e Financave flasin për një rritje minimale të të ardhurave në buxhetin e shtetit gjatë prillit të këtij viti, krahasuar me atë të vitit të shkuar. Rritja është me 2.5 për qind ose rreth 2.6 miliardë lekë . Përballë kësaj situate, ekzekutivi ka parë zgjidhje të vetme reduktimin e shpenzimeve kapitale për të mbajtur nën kontroll deficitin. Deri në fund të prillit 2011, qeveria kishte shpenzuar rreth 25 miliardë lekë nga ky zë, kundrejt 17.6 miliardë lekëve të shpenzuar deri në fund të prillit të këtij viti ose rreth 30 për qind më pak.
Për sa i përket të ardhurave, me rritje paraqitet vetëm Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (1.5 %) duke rritur shpresat për rigjenerim të konsumit, ndërsa Tatimi mbi Fitimin paraqitet me tregues tejet negativ, me një rënie prej rreth 18 për qind krahasuar me prillin 2011, tregues që biznesit nuk po i shkojnë punët aspak mirë.
Qeveria ka vendosur tashmë për të rishikuar buxhetin e këtij viti, por duket se këto tregues do të jenë një faktor më shumë drejt një veprimi të tillë.
Re.Pu.
Add new comment