The Guardian: Nikoliç ka pak gjasa të lëshojë pe lidhur me Kosovën

Gazeta londineze "The Guardian" konstaton se "shpresat e Serbisë për integrim me ritme të shpejta në Evropë kanë pësuar goditje kur Presidenti Boris Tadiç humbi postin e tij përballë një rivali më nacionalist". Nikoliçin autori i shkrimit e quan "ish nacionalist të sertë", ndërsa Tadiçin "pro perëndimor".
"Rezultati ka përmbysur sondazhet parazgjedhore dhe pritjet në Bruksel, dhe mund ta fusë Serbinë në një periudhë paralize politike, me një President të krahut të djathtë që 'bashkëjeton' me një qeveri mbizotërueshëm të qendrës së majtë", shkruan Ian Traynor.
"Tadiçi, kandidati i preferuar nga Perëndimi, nuk ia doli të fitonte një mandat të tretë presidencial, por do të mund të bëhet megjithatë kryeministër në qoftë se Partia e tij Demokratike tubon një shumicë parlamentare. Kjo do të paralajmëronte grindje të pafund në mes të kreut të shtetit dhe kryeministrit", komenton më tej gazeta "The Guardian".
"Nën Tadiçin, Beogradi së voni kishte marrë dritën e gjelbër për të nisur rrugën e gjatë të anëtarësimit në BE. Kishte shpresuar të niste negociatat gjatë këtij viti". Ndërsa "tani ka më pak gjasa që bisedat për anëtarësim të nisin së shpejti, meqë Nikoliçi, dikur një figurë kyçe në një parti ekstreme nacionaliste, nuk duket se mund të bëjë koncesione sa i përket Kosovës që Brukseli do t'i shihte të domosdoshme për hapje të negociatave", shkruan gazeta, e cila citon Nikoliçin të ketë thënë mbrëmë "Serbia do të mbetet në udhën e BE-së, por gjithashtu do ta mbrojë Kosovën. Serbia është vend modern. Unë do të bashkëpunoj me të gjithë".
"I njohur si 'varrtari', ngaqë dikur ka punuar në një kompani varrimesh, presidenti i ri i sapozgjedhur ka qenë më parë lart në hierarkinë e Partisë Radikale Serbe, krijesë e Vojisllav Sheshelit, një zot luftërash (ëarlord) në vitet 1990, që aktualisht po gjykohet në Hagë", përfundon shkrimi i Ian Traynor it në "The Guardian".
Marrë nga Koha Ditore
Add new comment