Qershor 2015, bie paraja në ekonomi, bashkë me kreditë e depozitat
“Monitor” shkruan se qershori ka pasur treguesit më të përkeqësuar monetarë që nga fillimi i këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, paraja gjithsej në qarkullim (masa monetare) shënoi një rënie prej 942 milionë lekësh, duke shënuar të tretën herë me tkurrje brenda 6 muajve të parë të këtij viti. Duke iu referuar ekspertëve “Monitor” shkruan se kjo rënie është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend. “Masa monetare në përgjithësi reflekton ose nivelin e çmimeve, ose sasinë fizike të mallrave të prodhuara. Në kushtet kur nuk kemi ndonjë ndryshim në inflacion, kjo do të thotë se vëllimi i aktivitetit fizik të prodhimit do të jetë kontraktuar”, ka pohuar ekonomisti Selami Xhepa pak muaj më parë për “Monitor”, duke komentuar tkurrjen e këtij treguesi në mars. Ai parlajmëronte se nëse do të vazhdojë për një kohë më të gjatë, kontraktimet monetare janë të njohura edhe në historinë e ekonomisë si shkaktarët kryesorë të recesioneve. “Monitor” shkruan gjithashtu se rënia e qershorit nuk mund të konsiderohet as ciklike, pasi në të njëjtën periudhë të një viti më parë ndryshimi i këtij treguesi ishte pozitiv në plus 9.1 miliardë lekë. Rritja e parasë në qarkullim është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti. Në qershor ajo u rrit me 0.2% në raport me dhjetorin 2014. Në periudhat përkatëse të një viti më parë, zgjerimi ishte 0.32% dhe në 2013-n ishte 1.6%. Në qershor rezultuan mjaft të përkeqësuar dhe ecuria e kredive dhe depozitave.
Add new comment