Revista Mapo bën endorsement: Fatos Nano, kandidati [ynë] amerikan

Në kopertinën e numrit më të fundit të Mapos së përmuajshme (revistës) është fotoja e Fatos Nanos dhe titulli “Fatos Nano, kandidati amerikan”. Brenda është një intervistë e gjatë e kandidatit të vetofruar për President dhënë gazetarit Alfred Lela. Ky i fundit e ka ‘detyruar’ të pozojë për revistën, e për rrjedhojë intervista është e shoqëruar me foto ‘express’, të kapura nga aparati i fotografit Armand Sallabanda: Nano në stil presidencial, dmth me skrivaninë e praruar pas shpine, Nano me mjekrën të mbështetur në trinën e dorës së djathtë, si të ketë dashur të imitojë Mendimtarin e Rodin-it, Nano duke vështruar mendueshëm nga dritarja e shtëpisë (sheh nga Presidenca?), Nano me duart e kryqëzuara si të jetë duke pozuar për një atelier këmishash, etj.
Kush e lexon me kujdes intervistën e ka të lehtë të kuptojë se Fatos Nano “është vënë në punë dhe e ka marrë seriozisht” këtë herë. Me siguri, ka kërkuar pyetjet fillimisht, e përgjigjet i ka shkruar më nge, dhe është për këtë arsye që kjo intervistë është më e mira që ai ka dhënë këto njëzet vjet të karrierës politike. Stërmundohet t’i thotë gjërat me synimin për t’mos lënduar askënd (kjo po është ‘gjimnastikë mentale’, të cilën vetë Nano e vendos në një kontekst tjetër gjatë intervistës), përmend pohime biblike (“rrugët e Zotit janë të pafundme”), evokon gjetje hollywood-iane që ilustrojnë situatën e sotme shqiptare (i referohet filmit Casablanca, që ka nga të gjitha, e që ka më së pari një klub nate ku luhet bixhoz, e ku hyjnë e dalin lloj-lloj njerëzish, nazistë, fashistë, spiunë, kontrabandistë, njerëz të rezistencës, batakçinj, njerëz të kombësive të ndryshme, italianë, gjermanë, çekë, e ku spikat personazhi kryesor, Rick-u, i zoti i lokalit, një njeri që me dukjen prej asnjanësi e me pamjen prej dandy maskon një aktivizëm instiktiv; ka dashur të thotë me këtë që Shqipëria e sotme është si lokali luksoz i Rick-ut, dhe se një si Rick-u, alias Fatos Nano, duhet parë për momentin si i pikuar nga qielli?), e tek-tuk lëshon fraza me magjinë e sentencave (fjala vjen, “unë verifikoj qëllimet e Berishës, e nuk komentoj deklaratat e tij”, ose “duhet që politika të rrotullohet rreth shoqërisë, e jo shoqëria të rrotullohet rreth politikës”, ose “gjërat nuk ndryshohen me opinione, por me shembuj”, etj).
Gjatë gjithë intervistës bien në sy fjalë e shprehje që ndjellin konsensus, si “mirëkuptim e kthjellëpamësi”, “proces i hapur, transparent, e gjithëpërfshirës”, “ura komunikimi”, “paqebërës, institucional”, etj, etj.
Re.Pu.
Comments
E ja keshtu profecia e Marsit
<p>E ja keshtu profecia e Marsit 1991 po behet realitet. Komunistet Berisha e Nano sebashku qeverin Shqiperine per 30 vite pas zevendesimit te qeverise se Ramiz Alise. Cfare ironie qe kjo dhelper e ai ujk te sundojne shqiptaret! Por kisha nje pyetje per me te diturit: Ngaqe keto shtate vite ka pasur rezidence kryesore Vienen, a i ploteson kushtet e rezidencise ne Shqiperi Fatos Nano? </p>
Duket sikur i ngjan
<p>Duket sikur i ngjan leninit shume e me shume tashti ne pleqeri. Te ben per te vjelle kur e sheh.</p><p>Nuk e kuptoj se si ndokush te vije me idene per president per kete njeri te degraduar ne cdo drejtim. Atij si ka mbetur asnje kocke e paster ne trup</p>
Add new comment