Paralelisht me negociatat për presidentin vazhdojnë dhe ato për KQZ-në

Shqiptarja.com raporton se PS-ja ka propozuar një formulë të re për riformatimin e KQZ-së dhe Berisha ka dhënë konsensusin e tij për këtë formulë të re. Pika ku palët janë ende larg është procesi i ankimimit në KQZ pas numërimit të votave, e cila u bë thembra e akilit në zgjedhjet e 2009-ës.
Partia Socialiste ka kërkuar që 2 anëtarë të KQZ-së të ndërrohen çdo 2 vjet me rotacion, ndërsa kryetari, ose anëtari i shtatë të ketë një mandat tre vjeçar, pra të zëvendësohet çdo tre vjet. Sipas këtij propozimi, mendohet se anëtarët e kanë mandatin 6 vjeçar, ndërsa kryetari e ka 3 vjeçar. Kjo përkthehet kështu: Pasi janë zgjedhur shtatë anëtarët, zhvillohet edhe shorti, i cili hidhet vetëm një herë. Në short dy prej anëtarëve zgjedhin të jenë me mandat dy vjeçar, dy anëtarë të tjerë me mandat katër vjeçar, dhe dy anëtarët e tjerë do të jenë gjashtë vjet anëtarë KQZ. Më pas, çdo dy vjet, dy anëtarë zëvendësohen me të tjerë që do ta kenë mandatin 6-vjeçar. Por kjo përjashton kryetarin, ose anëtarin e shtatë, i cili do të ndërrohet çdo tre vjet. Kjo bën që KQZ-ja të ketë gjithmonë anëtarë me eksperiencë dhe, përveç momentit të parë, të mos i ketë të gjithë anëtarët e rinj.
Kjo formulë është e ngjashme me rifreskimin e Senatit amerikan, 1/3 e të cilit rifreskohet çdo dy vjet me anëtarë që e kanë mandatin 6-vjeçar. Mbetet të shihet në se negociatat për KQZ-në do të finalizohen në takimin e pritur Rama-Berisha rreth presidentit konsensual.
Re.Pu.
Add new comment