Pak histori: Efekti LSI në katër zgjedhjet e fundit

Është bërë e qartë për këdo që ndjek politikën shqiptare se LSI-ja është shkaku kryesor i turbulencës aktuale presidenciale. Qëndrimi i kundërt i saj me PD-në në lidhje me kandidaturën për president, rrezikon si numrat për zgjedhjen e një presidenti, ashtu edhe mbijetesën e koalicionit qeverisës. Ne fakt, historia e shkurtër e LSI-së ka treguar se ajo ka qenë faktori kryesor për përcaktimin e emrit të kryeministrit të vendit dhe kryebashkiakut të Tiranës në katër zgjedhjet e fundit.
Kështu, në vitin 2005, dalja e LSI-së në garë më vete nga PS-ja ishte faktori kryesor që kjo e fundit humbi zgjedhjet dhe Berisha u bë kryeministër, edhe pse koalicioni i udhëhequr prej tij nuk mori më shumë se 42% të votës popullore. LSI-ja mori 115 mijë vota në shkallë vendi në ato zgjedhje dhe 10 kandidatë të PS-së i humbën garat në zonat individuale zgjedhore prej ndarjes së votës së majtë.
Në vitin 2007, LSI-ja ishte në koalicion me PS-në dhe mori rreth 19 mijë vota në Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, Edi Rama, i përkrahur fort nga LSI-ja, u zgjodh kryebashkiak me një avantazh prej 22 mijë votash përballë kandidatit të partisë në pushtet, Sokol Olldashit.
Në vitin 2009, LSI-ja dhe disa parti të vogla të majta që ishin në koalicion me të morën rreth 84 mije vota në shkallë vendi. Në qoftë se këto vota do t’i ishin bashkuar koalicionit të PS-së , e majta do të kishte fituar 72 mandate parlamentare. Ndërsa duke qenë e ndarë, koalicioni Berisha mori 70 mandate, edhe pse kishte vetëm 46.9% të votës popullore.
Në vitin 2011, LSI-ja mori rreth 24 mijë vota në Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, Lulzim Basha, i përkrahur fort nga LSI-ja, arriti ta zvogëlojë në zero avantazhin prej 22 mijë votash që kishte patur Edi Rama në Tiranë.
Shënim: Analiza e mësipërme është bërë duke i marrë si të mirëqëna rezultatet zyrtare të KQZ-s. Që ta bësh këtë analizë me rezultatet reale, duhet të rikuperosh të gjitha fletët e votimit që janë djegur me kohë…
E.Zaloshnja
Comments
Bravo Zaloshnje. Prandaj dhe
Bravo Zaloshnje. Prandaj dhe Pd-ja do vazhdoje ta mbaje Lsi-ne qe ti te qash me lot deri nga 2017-ta.
Add new comment