Përplasjet në PS, deputetët i heqin kompetenca “të rrezikshme” turistike ministrit Ahmetaj, si ndryshoi ligji i ri
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/28/8691_big_img_1413.jpg?itok=49r4thfQ)
Që më herët u duk si një operacion që përmblidhte shumë kompetenca në dorë në një njeriu. Sektori i turizmit iu hoq ministrisë së Eglantina Gjermenit dhe iu dha asaj të Arben Ahmetajt, përpara se të miratohej ligji i ri për turizmin. Siç rezultoi nga votim dhe debatet e djeshme në kuvend, super-ministri synonte që të gjithë lejet dhe klasifikimet e strukturave turistike të kalonin nga dora e tij. Por çastin e fundit, gjatë shqyrtimit nen për nen të projektligjit, deputetët e PS ekspertë të Komisionit të Ligjeve të kryesuar nga Fatmir Xhafa, janë përplasur me ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit. Deputetët e PS-së i janë imponuar Ahmetajt, duke i hequr ministrit të drejtën për të miratuar vetëm me urdhrin e tij kushtet, kriteret dhe procedurat e klasifikimit të strukturave akomoduese të resorteve, hoteleve dhe sipërmarrjeve të tjera turistike. Sipas variantit të parë, me urdhrin e ministrit do të përcaktoheshin “yjet” dhe klasifikimi i cilësisë të të gjitha sipërmarrjeve turistike. Por në nenin 44, sipas Komisionit të Ligjeve, është përcaktuar që këto kritere duhet të miratohen vetëm nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrit, pa i lënë të drejtë vendimmarrëse këtij të fundit.
Ahmetaj ka reaguar por më kot, pasi kreu i Kuvendit Meta ndërpreu për pak minuta seancën, dhe pas sqarimeve mes palëve, ministri është tërhequr.
a.k
Add new comment