INTERVISTA/ Mustafa Nano: “ResPublica” nuk është më e imja
“ResPublica” nuk është më e Muç Nanos... Epo ndodh edhe kështu. Çfarë habie mund të sjellë ky fakt. Se natyrisht asnjë dramë nuk ka ndodhur. Ndërkohë, lexuesi fanatik duhet të qetësohet. Thjesht gazeta ka ndërruar botues, ose siç jemi mësuar tanimë të flasim nëpër tavolina kafenesh: ka ndërruar pronar. Por gazeta është po aty: www.respublica.al. Me sa duket për mirë a për keq është tregu ai që vendos për shumëçka. Nostalgjia dhe patetizmi nuk hyn në asnjë xhep. Gjithçka në markatë shitet dhe blihet. Megjithëse folja “shet” në rastin konkret nuk është se merr ndonjë kontekst që ia vlen të përdoret. Muçi thjesht e ka dhuruar median e tij. Botuesi i ri është Endri Meksi, për të cilin Muçi thotë se e pat ndihmuar në ditët e vështira të ekzistencës së “ResPublica”. Pra, në njëfarë mënyrë, ashtu siç jemi mësuar të flasim në zhargonin e përditshëm, duke pirë kafe apo raki pse jo, ne do të thoshim: ia kishte borxh. Dhe kjo me sa duket e fisnikëron me shumë se po ta hidhte në “bursë”. Megjithatë, të gjitha arsyet se përse vendosi ta “braktisë” një media tek e cila ishte themelues, Nano i shpjegon në një intervistë enkas për këtë rast...
Lexuesit që ju ndjekin kanë vënë re se keni qenë më pak aktiv këto kohët e fundit në median e shkruar.
Në fakt, do doja që të kisha më shumë kohë për t'u marrë me ca pasione më të rëndësishme, siç janë librat, por ende nuk e kam këtë luks. Kam ca kohë që po jetoj me idenë se ajo që ne shkruajmë e themi ditë për ditë tretet pa lënë as nam, as nishan mes tollovisë së përgjithshme. Gazetaria, sidomos këtu në Shqipëri, nuk e ka më atë rëndësi që ka pasur më parë. Një shkrim i imi kish tjetër jehonë në publik para 5-6 vitesh; pas çdo shkrimi merrja një feedback që i jepte kuptim aty për aty lodhjes e përkushtimit. Sot nuk marr të njëjtin feedback. Dhe unë e lidh me zhvleftësimin e fjalës së shkruar në shtypin e përditshëm.
Kjo do të thotë se po tërhiqeni pak nga pak prej shtypit të shkruar, apo është një faktor tjetër?
Të kuptohemi, kjo është një vuajtje imja, por unë nuk është se jam shkëputur nga shtypi. Një shkëputje disamujore lidhet me një "leje krijimtarie" që i fala vetes. Shkrova një libër e bëra një show. Tani i jam kthyer sërish zanatit. Madje kam frikë se asnjëherë nuk do shkëputem dot prej këtij zanati.
Jeni iniciator i një media online, të quajtur “ResPublica”, ndër të parat dhe më të rëndësishmet në gjuhën shqipe. Ju dëgjova në programin 'Shqip' të Rudina Xhungës se "ResPublica' nuk është më e juaja. Si qëndron e vërteta?
“Respublica” është ndër të parat portale online në gjuhën shqipe por, të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, nuk mundi të bëhej e rëndësishme në planin e audiencës. Ka pasur një lloj prestigji (dhe ende e ka) si një portal serioz, etik, larg stilit bulevardesk, por nuk mundi të fitojë audiencën që kanë fituar ca të tjera. Nuk di se ç'duhet bërë që prestigjit t'i bashkëngjisë numrin e click-imeve. E ngaqë nuk e di këtë gjë, vendosa të mos e mbaj më.
Kjo do të thotë që Respublica nuk është më e juaja?
Po, nuk është më e imja. Është e tëra e Endri Meksit, një biznesmeni në lëmin e IT-së. Ia kam dhuruar. E dini pse ia dhurova Meksit?
Këtë do të na i shpjegoni Ju...
Ngaqë para 3-4 vitesh, në një çast kur isha duke e mbyllur këtë portal për mungesë financimi (ato kohë, madje deri para dy vitesh, sa kohë ishte Berisha në pushtet, biznesmenët kishin frikë të reklamonin mallrat e shërbimet e veta në gazeta që ishin kritike me pushtetin), ishte Endri Meksi që erdhi e më tha: "Mos e mbyll! Do të ndihmoj unë që ta mbash gjallë." E bëri thjesht nga simpatia për portalin. Apo ndoshta nga simpatia për mua si gazetar. Pa asnjë interes material, sidoqoftë. E nuk është se ndajmë ide e mendime të njëjta për politikën e për botën. Ishte një gjest që mua më ka mbetur në mendje.
Jeni i kënaqur apo i zhgënjyer nga kjo përvojë me “Respublica”-n?
Fillimisht më lodhi si përvojë, ngaqë u investova vetë i tëri, për gati dy vjet. Ndërsa më pas nuk është se jam marrë shumë me “Respublica”-n. Kam tre vjet që nuk merrem.
Ç'mendim keni për gazetarinë online?
Nuk di ç'të them, por për këtë shqiptaren nuk kam një mendim të mirë. Disa portale janë bërë shumë të rëndësishme, ngaqë lexohen. Edhe unë jam lexues i tyre. Madje, e bukura është se unë nuk bëj dot pa to, por nuk më pëlqejnë, prapëseprapë. Nuk më pëlqejnë, së pari ngaqë ato nuk krijojnë opinion, së dyti ngaqë bëhen, e konsumohen, me logjikën e një fast-food-i, së treti ngaqë janë lehtësisht të përdorshme, së katërti ngaqë janë bulevardeske, së pesti ngaqë u shkojnë pas midesë, duke u dhënë mundësi e hapësirë komentesh, pjesës më të keqe e më rrugaçe të lexuesve, së gjashti ngaqë janë njësh me qëndrimet e atij që e financon. Ja, ju po e shihni edhe në këtë intervistë që unë po flas për një portal timin që tanimë nuk është më i imi; është i një tjetri, i Endri Meksit.
Cila mund të jetë një nga zgjidhjet sipas jush?
Ndoshta duhet tentuar të ndërtohet ndonjë portal tjetër që, në stilin e gazetarisë klasike, të synojë informimin e publikut me shqetësimet reale të vendit e të shoqërisë. Por kjo kushton. Dhe shqiptarët nuk janë ende të gatshëm të shpenzojnë për të bërë gjëra të bukura. Shqiptarët janë ende në fazën që duan veç të fitojnë.
Po për “Respublica”-n do interesoheni tash e tutje?
Sigurisht, por si lexues. E ndoshta edhe si bashkëpunëtor në ndonjë rast.
Intervistoi: Leonard Veizi
Comments
Po thoni qe te mos e hapim

Po thoni qe te mos e hapim me.

Sa mire do benit ju o

Sa mire do benit ju o teveqelet ILIRE.

Kjo shpjegon pse here pas

Kjo shpjegon pse here pas here tani ne Respublica edhe kritikohet Rama. Se Muci deri aty nuk shkonte kurre.

OU....lamtumire Respublica.

OU....lamtumire Respublica.

Me vjen keq qe Muçi e la kete

Me vjen keq qe Muçi e la kete portal. Une e lexonja shpesh. Por me duket se fajin e ka edhe vete Muçi. Sikur nuk u impenjua shume per median e tij. Madje edhe shkrimeve dhe analizave te tij sot sikur i eshte zbehur shkelqimi i dikurshem Lodhje, ezaurim, dembelizem?! Nuk e di. Por me kujtohet Mustafa Nano i disa viteve me pare, kur replikonte ose bisedonte psh me Fatos Lubonjen e te tjere. Ishte shpuze. Tani sikur eshte zbutur shume. Ndofta eshte zhgenjyer nga politika. Si do qe te jete, si nje lexues i tij, i uroj suksese ne jeten personale dhe profesionale.

Jeni nje nga mediat-blog me

Jeni nje nga mediat-blog me cilesore ne Shqiperi - Jeni 'highbrow' dmth per njerez me mend jo per tallava. Uroj te mos ndryshoni cilesine, linjen editoriale me kete ndryshim.

Add new comment