Ilia Guma: Marrëdhëniet mes shqiptarëve e grekëve në Himarë janë acaruar

Postuar në 21 Maj, 2012 05:46

Aristotel Guma, pjesëtar i pakicave greke në Shqipëri, mbeti i vrarë në gusht të vitit 2010. Atëmot u fol për një sherr të rinjsh me motive etnike, dhe vdekja erdhi menjëherë pas këtij sherri. “Ishte një aksident”, thanë autorët. “Ishte një aksident që maskon një vdekje të qëllimtë”, thanë të afërm të Aristotelit, e sidomos përfaqësuesit politikë të minoritet grek. Gjykata i dha dum punës duke mbrojtur versionin e aksidentit. Ndërkohë, në Himarë erdhi një bust i Aristotelit, të cilin, në mungesë të një leje nga bashkia, e vendosën në oborrin e një kishe. Më pas, klerikë e ekleziastë hodhën idenë për ta hequr atë bust nga kisha, pasi ishte pa kuptim. Dhe e hoqën. E në këto rrethana, Ilia Guma, i ati i Aristotelit, ka dhënë një intervistë për Panoramën. Mund ta lexoni të plotë më poshtë:

Ende pa u mbushur një vit nga vendosja e bustit të Aristotelit në oborrin e kishës së “Gjithë Shenjtorëve”, ai u hoq. Pse?

Ishte një lodhje nervash e gjatë. Pas vendosjes së bustit na erdhi në shtëpi një prift nga Gjirokastra dhe na kërkoi që ta hiqnim nga oborri i kishës. Sipas tij, kisha ka rregullat dhe shkrimet e saj të shenjta, se kur një njeri mund të varroset brenda ambienteve apo t’i vendoset busti. Prifti më tha që nuk ishte e arsyeshme që statuja e Aristotelit të qëndronte aty dhe më kërkoi që ta hiqnim.

Mos ishte Mitropoliti i Gjirokastrës ai që ua sugjeroi, pasi ai ka qenë kundër që nga fillimi për vendosjen e bustit?

Jo, jo, nuk ishte ai vetë. Nuk ia mbaj mend emrin si e kishte prifti, por normalisht ishte i dërguar nga mitropoliti i Gjirokastrës. Kur më kërkoi që ta hiqnim bustin, unë i thashë: “E di ç’keni? A dëshironi që ta merrni fare bustin dhe ta dërgoni andej nga e sollët? Mua më ka vdekur djali, ndërsa ju ju pengon busti i tij në oborrin e kishës. Nëse ju pengon kaq shumë, kthejeni mbrapsht në Greqi statujën”. Drejt të them, nuk e kuptoj pse u bë kaq e madhe vendosja e bustit. Shoqëria shqiptare dhe gjithkush tjetër duhet të merren me vënien e drejtësisë në vend, pasi krimineli i tim biri mori dënim sikur të ishte gjuetar zogjsh pa leje dhe jo vrasës njeriu. Nuk është nevoja të hapim debate kot.

Po ju, a ishit dakord për vendosjen e bustit brenda oborrit të kishës?

Unë ua kam thënë që nga fillimi. Nëse dëshironi që të vendosni bustin gjëkund, merreni më parë leje nga Bashkia. Kur ata e kishin sjellë dhe dëshironin që ta ekspozonin bustin, pa marrë firmën e Këshillit Bashkiak.

Kujt ia keni thënë këto fjalë? Cilët janë “ata”?

Drejt të them, unë nuk i mbaj mend emrat. Më kujtohet vetëm se atëherë më telefonuan nga Athina dhe më thanë që po ndërtonin një bust për Aristotelin tim dhe, me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes, do ta vendosnin në kishë. Pastaj më thanë edhe nga shoqatat minoritare këtu në Himarë. Iniciativa ka qenë e gjitha nga Greqia. Ata e vendosën, ndërsa më pas prifti i Gjirokastrës më erdhi në shtëpi dhe më tha që ta largoja që andej.

Dhe a ratë dakord?

Po nuk është se më interesonte busti, unë kam varrin e djalit, ku ka eshtrat. Pas bisedës me priftin e Gjirokastrës, kërkova të komunikoj me kreun e Kishës Ortodokse, Anastas Janullatos. Hirësisë i pata shkruar edhe një letër më parë. Folëm përmes telefonit dhe e pyeta se çfarë mund të më sugjeronte lidhur me bustin e Aristotelit. Ai më propozoi që të merrnim bustin dhe ta çonim aty ku është varri. Ia dëgjova fjalën dhe ashtu bëmë. Tani kjo është histori e mbyllur. Është tjetër histori ajo që duhet hapur.

Çfarë historie duhet hapur?

Gjyqet për dënimin e vrasësit së djalit tim janë zhvilluar të gjitha pa dijeninë time. Nuk jam informuar asnjëherë. Edhe vendimin përfundimtar që kishte marrë Gjykata e Vlorës, vendimin e turpshëm dhe krejt absurd që kishte dënuar vetëm me 8 vjet vrasësin, e kam marrë vesh një muaj me vonesë.

Nuk kishit avokat?

Kisha avokat dhe vijoj ta kem. Por edhe ai më thotë që nuk është lajmëruar. Dënimi është dhënë më datën 12.05.2011 pa praninë e avokatit, pa praninë e asnjë familjari, pa dijeninë e askujt përveç gjyqtarit dhe familjes së vrasësit. Kishin kaluar 4 javë kur më thanë.

Atëherë kush jua komunikoi vendimin e gjykatës?

Më mori në telefon kryetari i shoqatës OMONIA, Vasil Bollano, dhe më tregoi. Ai kujtonte se ne e dinim dhe po pyeste se kur do ta çonim çështjen në Gjykatën e Apelit për ta kundërshtuar. Por kur e morëm vesh ne këtë, afati prej 10 ditësh për ta apeluar kishte marrë fund. Nuk e dimë të saktë, por kemi dëgjuar madje edhe se e kanë liruar vrasësin. Megjithatë, po e verifikojmë.

Duket e pabesueshme që të mos ketë qenë në dijeni edhe avokati…  Mos ju ka gënjyer ai?

Jo, jo. Nuk më ka gënjyer. Ai u çudit më shumë se unë dhe u bë keq. Më pas kemi shkruar së bashku disa letra dhe ua kemi dërguar Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha, Aambasadës Greke, Ambasadës së SHBA-së, OSBE-së, kryeprokurores Ina Rama etj. Në këto letra shpjeguam situatën dhe mënyrën e marrjes së vendimit. Kërkuam rihapjen e dënimit dhe zhvillimin e një procesi të drejtë dhe të ndershëm për vrasësin e tim biri. Kërkojmë që ai të marrë dënimin maksimal. Ai e vrau me dashje Aristotelin dhe këtë e ka pohuar me gojën e tij. Mbajeni mend, në rast se nuk jepet shembull që ka drejtësi për Aristotelin, në Himarë do të përsëriten tragjedi të tilla.

Pse e gjykoni kështu?

Hapni sytë dhe shikoni si janë acaruar marrëdhëniet midis minoritarëve grekë këtu dhe shqiptarëve. Edhe verën e kaluar pati rrezik që të shpërthenin konflikte mes të rinjve. Duhet të jepet shembull nga Drejtësia shqiptare, që jeta e çdo njeriu vlen njësoj, pavarësisht kombësisë, shtetësisë, fesë apo çdo gjë tjetër. Ndërkaq, edhe disa parti politike shqiptare të mos nxisin konflikte etnike, por t’i qetësojnë ato.

Për kë e keni fjalën?

E drejta ime që të mos ua them emrat, por e kam fjalën për ata që mbështillen me copa kuq e zi. Nuk më pëlqen që politika shqiptare po përdor rininë, siç përdori vdekjen e Aristotelit.

E njëjta gjë thuhet edhe për minoritetin grek në Himarë, sikur po përdoreni nga politika greke…

Nga ne, minoranca, ardhka rreziku…? Po flas për veten që nuk jam përdorur asnjëherë.

Po nga kisha jeni përdorur?

A nuk isha unë ai që fola troç gjatë intervistës?! Shpreha rezervat, por edhe i dhashë meritat gjithsecilit. Të paktën mos e ngatërroni kishën në këtë mes, sepse ato janë faktorë uniteti, bashkimi dhe jo faktorë përçarjeje.

 

Intervistoi e dërguara e Panoramës Elisabeta Ilnica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.