Ambasadori holandez jep identikitin e Presidentit të ardhshëm

Një nga rastet e rralla, kur diplomacia perëndimore nuk ka asnjë të çarë apo kontrast lidhur me zhvillimet shqiptare, është ky i zgjedhjes së pasuesit të Bamir Topit. Nuk ka qoftë dhe një person të vetëm që të mbështesë pozicionin e Berishës për një “president kushtetues”, dmth për një president të PD-së (as Joseph Dahl nuk është ndjerë këto kohë).
Madje, shumë prej diplomatëve po i mëshojnë në mënyrë të vazhdueshme tezës së tyre për një president mbi palët. Para dy ditësh ish ambasadorja gjermane, që foli për herë të dhjetë, ndoshta; para saj ishte ambasadori amerikan. Dje ishte ambasadori holandez Henk G. C. Van den Dool (fotoja e tij shoqëron dhe këtë shënim), që iu kthye refrenit presidencial: “Edhe Komisioni Europian e ka bërë këtë gjë shumë të qartë, që ne jemi shumë të interesuar për mënyrën sesi procesi do të marrë formë dhe do të eci”, iu referua ai fillimisht komisionerit Fule pa e përmendur me emër. Dhe më poshtë, i lejon vetes të japë identikitin e Presidentit: “[Presidenti i ardhshëm] duhet të jetë dinjitoz, do të ishte shumë mirë që ai mos të kishte një profil shumë të lartë politik, mos të ishte i lidhur me regjimin e të kaluarës, do të ishte vërtet shumë mirë nëqoftëse ai do të ishte përmbi çdo lloj dyshimi në lidhje me korrupsionin, integritetin e tij”.
Siç shihet, diplomatët po i lejojnë vetes sugjerime konkrete, gjë që favorizohet nga ‘klima e ngecjes’ e krijuar nga aktorët lokalë.
E.G.
Add new comment