Përse do të martoheni me njeriun e gabuar
Thonë - dhe shumë herë është e drejtë - që zakonisht nuk martohemi me atë që dashurojmë. Është një e vërtetë, këmbëngulin pesimistët, që vlen për shumicën e njerëzve, pavarësisht racës e kombësisë, gjendjes ekonomike e nivelit arsimor. Por, përse ndodh kështu? Çfarë na shtyn drejt partnerit të gabuar ose më saktë drejt njeriut, që nuk e dashuruam në të vërtetë? Arsyet që parashtron Alain de Botton shpjegojnë se përse teksti i tij u bë kaq i njohur brenda pak orësh në “New York Times”:
Është një nga ato gjëra, që kemi frikë se mund të na ndodhë edhe ne. Përpiqemi me gjithfarë mënyrash, që t’i shmangemi. Por ama, bëjmë të njëjtin gabim, që kryen edhe të tjerë para nesh: martohemi me njeriun e gabuar. Në njëfarë mënyre, kjo ndodh, sepse krijohen një numër problemesh, kur përpiqemi t’i afrohemi tjetrit. Ngjajmë të natyrshëm, vetëm tek ata që s’ na njohin aq mirë. Në një shoqëri më të mençur, në një shoqëri që do ta njihte pak më mirë vetveten, pyetja e duhur në darkën e takimit të parë, do të ishte: “Si ngjan kur zemërohesh?”.
Ndoshta kemi prirjen e gabuar, që të zemërohemi me dikë kur s’biem dakord ose të rehatohemi, vetëm kur punojmë; ndoshta mund të jemi pak dredharakë në intimitetin që krijohet pas seksit ose të heshtim, si kundërpërgjigje ndaj poshtërimeve të vogla. Askush nuk është i përkryer. Problemi është se para martesës, ne rrallë tentojmë që të rrëmihim në komplekset tona. Çdo herë, që në lidhjet tona të zakonshme, dalin në pah të metat tona, akuzojmë partnerët. Përsa u përket miqve tanë, nuk u intereson shumë të marrin përsipër barrën e mëshimit të të metave tona.
Partnerët tanë nuk janë më të vetëdijshëm. Natyrshëm, ne orvatemi t’i kuptojmë duke vizituar familjet e tyre, duke parë fotografitë e tyre, duke takuar shokët e tyre të kolegjit. Kjo na jep ndjesinë, që në njëfarë mënyre, e kemi kryer detyrën tonë. Por, në të vërtetë, nuk e kemi kryer. Në fund, martesa ndërmerret nga dy njerëz, që nuk e njohin ende vetveten ose tjetrin, duke u lidhur pas një të ardhmeje të paparashikueshme dhe duke iu shmangur rrëmihjes.
Gjatë gjithë rrugëtimit të llojit njerëzor, njerëzit martohen për interesa e shkaqe të arsyeshme: sepse ara e saj ishte në kufi me arën tuaj, sepse familja e saj kishte një biznes fitimprurës, sepse i ati i saj ishte magjistri i qytetit, sepse kishte një kështjellë për të mbajtur, ose ngaqë të dy palët e prindërve ndërmorrën të interpretonin njësoj një tekst të shenjtë. Dhe nga martesa të tilla, të ngritura mbi arsyen, rridhnin: vetmia, tradhtia, dhunimi, zemra të vrazhda e britma dëshpëruese. Arsyeja e martesës rrjedhimisht, nuk ishte aspak e arsyeshme; në shumicën e rasteve qe, përfituese, mendjengushtë, snobe dhe shfrytëzuese. Ndaj dhe u zëvendësua nga martesa me dashuri.
Ajo që ka rëndësi në një martesë me dashuri është, që të dashuruarit instikitivisht e dinë, që kjo që po bëjnë, është dhe e duhura. Në të vërtetë, sa më e papjekur shfaqet një martesë (sepse, ndoshta u bë brenda gjashtë muajsh, që nga koha e njohjes), aq më e sigurtë, mund të duket. Pamaturia mund të konsiderohet si kundërpeshë për gjithë gabimet e së arsyeshmes, një katalizator i mjerimit: prestigji që zotëron instikti është një reagim i traumatizuar kundër kaq shumë shekujsh logjike absurde.
Por edhe sikur të besojmë që jemi në kërkim të lumturisë martesore, realiteti nuk është kaq i thjeshtë. Sepse ajo që kërkojmë në të vërtetë, nuk është lumturia, por familjariteti - i cili mund të ndërlikojë çdo plan, që kishim për lumturinë. Ajo që duam në të vërtetë është të rikrijojmë, si të rritur tashmë, mjedisin dhe ndjenjat e fëmijërisë. Dashuria që shumica prej nesh përjetuam si fëmijë, shpesh pështjellohej me dinamika të tjera, më dekonstruktive: ndjenjën e ndihmës ndaj një të rrituri kur humbiste kontrollin, deprivimi nga ngrohtësia prindërore, ndjenja e frikës nga shfrimi i zemërimit dhe pasiguria e shprehjes së dëshirave tona. Sa e natyrshme ngjan, që në jetën tonë prej të rrituri, të refuzojmë kandidatë të caktuar, jo ngaqë kanë ndonjë të metë, por pikërisht ngaqë janë të duhurit për ne - shumë të pjekur, shumë të ekuilibruar, të mirëkuptueshëm e të besueshëm, aq sa për zemrën tonë këto ndjenja ngjajnë të huaja. Martohemi me njerëzit e gabuar, sepse nuk lidhim gjendjen e dashurisë me ndjenjën e lumturisë.
Dhe natyrisht, që gabojmë, sepse ndihemi të vetmuar. Askush nuk është në gjendje pas një vetmie të papërballueshme, të ketë kthjelltësinë e zgjedhjes. Duhet të biem në paqe me vetminë tonë të gjatë, që të arrijmë të zgjedhim; në të kundërt, rrezikojmë të na pëlqejë më shumë fakti që s’jemi më vetëm, sesa të duam partnerin, që na shpëtoi nga të qenit vetëm. Dhe më në fund, martohemi, që të krijojmë një ndjenjë të bukur qëndrueshmërie. Pandehim se martesa do të na ndihmojë të ruajmë ngazëllimin që patëm ndier, kur për herë të parë na kaloi ndërmend propozimi: ndoshta të ishim në Venezzia, brenda një varke në lagunë, me diellin e mbasdites, që vezullonte mbi ujë, duke i rrëfyer njëri-tjetrit gjëra të pathëna më parë, me idenë e të shijuarit më pas në një restorant, të një rizoteje të mirë. U martuam, duke menduar që kjo do të zgjaste kohë, por nuk e nuhatëm që e gjitha kjo s’kishte asnjë lidhje me institucionin e martesës.
Martesa në të vërtetë na shpie diku tjetër, në një shtëpi plot me detyrime e fëmijë marrukë, që vrasin pasionin, prej të cilit erdhën në jetë. I vetmi përbërës i përbashkët është partneri dhe ndoshta mund të jetë përbërësi i gabuar në shishe. Lajmi i mirë është, që nuk ka problem nëse zbuluam se u martuam me njeriun e gabuar. Nuk është e nevojshme ta braktisim,
le të braktisim vetëm idealin romantik të qytetërimit perëndimor, që këtu e 250 vjet këmbëngul që atje jashtë ndodhet gjysma tjetër ideale, e gatshme të plotësojë çdo dëshirë tonën
Duhet të çlirohemi nga pikëpamja tragjike romantike (e disi komike) e të vetëdijësohemi që një ditë edhe do të zemërohemi, edhe do të bezdisemi, edhe do të zhgënjehemi në një lidhje dhe do ia kthejmë me të njëjtën monedhë (pa pasur keqdashësi). Ndjenja e zbrazëtisë dhe e mospërmbushjes, nuk ka të sosur. Por, asgjë nga këto s’ është e pazakontë ose shkak divorci. Duke zgjedhur atë që duam të lidhemi, në thelb kemi zgjedhur edhe mënyrën që duam të vuajmë.
Filozofia pesimiste rreth martesës, na ofron një zgjidhje që na çliron nga pjesa e ankthit dhe e agjitacionit rreth institucionit të martesës. Dëgjohet e çuditshme, por pikërisht ky pesimizëm na lehtëson nga imagjinata shtypëse e martesës romantike. Dështimi i partnerit, që të na shpëtojë nga trishtimi e melankolia nuk ka të bëjë me njeriun konkret, as nuk është shenjë që një martesë është e dështuar apo që mund të përmirësohet.
Njeriu me të cilin përshtatemi më shumë, nuk është ai me të cilin biem dakord në gjithçka, me të cilin ndajmë shije e zgjedhje të njëjta, por ai që mund të negociojë mbi kontradiktat tona në mënyrë të zgjuar - pra, një njeri që të jetë i mirë në mosmarrëveshje dhe negociata. Më shumë se ideali i plotësimit të përkryer të dy njerëzve, ekziston edhe një ideal tjetër, që ka të bëjë me aftësinë e të pranuarit nga partneri ynë të kontradiktave e të metave tona me shpirtgjerësi. Pajtueshmëria është arritje e dashurisë, nuk duhet të jetë parakusht. Romantizmi nuk na ka ndihmuar shumë. Është një filozofi e ashpër. Është arsyeja, e shumicës së gjendjeve që kalojmë në martesën tonë, çka na duken të jashtëzakonshme e të tmerrshme. Përfundojmë të vetmuar e të bindur, që bashkimi ynë me gjithë të metat e tij, nuk është “i natyrshëm”. Duhet të jemi më “mikpritës” ndaj “gabimit”, duke adoptuar një sjellje më të lehtë, më komike, që do të na falë edhe ne, edhe njerëzit përreth nesh”.
Burimi: The New York Times
Përktheu: Eleana Zhako
Comments
O katranistan o jete mizerje
O katranistan o jete mizerje o perendi : shuaji te gjithe tani qe Alain de Botton na shpjegoi se c’eshte jeta, martesa, çifti… madje dhe dashuria (lere me romantizmin se e ka thare si subjekt). Ne mos i thënçin « kur koshi i plehrave te kete veteditshmeri ».
Add new comment