Cani kundër Shqipërisë, ose kur një qeveri bëhet gazi i botës

Postuar në 29 Janar, 2023 18:07

Fletoren Zyrtare është zbardhur vendimi i Gjykatës së Strasburgut për Besnik Canin, rrëzuar në procesin e vettingut në detyrën e prokurorit. Çështja ka interes madhor për atë që zbulon brenda merimangës së të të ashtuquajturit sistem drejtësie në halenë e hartës politike të Europës me emrin Shqipëri. Parashtrimi i çështjes në zanafillë lidh skanimin e Besnik Canit me legjitimitetin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, krijuar në suazën reformës së drejtësisë, si një organ i atashuar pranë Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar pretendimet e atyre që quhen subjekte të rivlerësimit, apo vettingut.

Cani ka kërkuar që në fillesë të vërë në diskutim legjitimitetin e KPA-së, pasi KPK e kishte rrëzuar për një marrëveshje tregtare me një kompani, duke cilësuar kështu konfliktin e interesit. Pika e kapur prej tij lidhej me paligjshëmrinë e zgjedhjes si anëtar i KPA-së, i Luan Dacit, L.D në vendimin e Gjykatës, nën akuzën për falsifikim. Në vitin 1997 L.D është shkarkuar nga pozicioni si gjykatës për paaftësi dhe shkelje ligji. Në procesin e konkurimit të tij për në KPA ai e fshehu këtë fakt duke u përgjigjur se kishte dhënë dorëheqje, ndonëse gjyqësori në shqyrtim të padisë së Canit ndaj tij e gjeti fajtor. Mandej, kërkesës ndaj KPA-së për të vendosur largimin e Dacit, KPA-ja u përgjigj se nuk e kishte këtë kompetencë dhe se nuk kishte juridiksion për të vendosur për atë që kishte ndodhur para krijimit të tij.

Kushdo mund të lexojë vendimin e Strasbugut për të kuptuar se në cilën humnerë po shkon drejtësia në Shqipëri, por po vëmë në pah këtu mënyrën sesi është mbrojtur qeveria shqiptare:

Edhe pse Qeveria nuk e kundërshtoi konstatimin se L.D. ishte emëruar në kundërshtim me nenin 6(1)(dh) të ligjit të rivlerësimit, ajo argumentoi se nuk kishte pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit për një “gjykatë të krijuar me ligj”, pasi L.D. nuk kishte treguar për masën disiplinore ndaj tij dhe autoritetet nuk kishin pasur dijeni për një gjë të tillë…Në lidhje me argumentin e Qeverisë, se padijenia e autoriteteve për shkarkimin e L.D nga detyra e tij si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitin  1997  duhet të konsiderohet se përjashton mundësinë që autoritetet të kenë shkelur të drejtën e ankuesit për  një “gjykatë të krijuar me ligj”, Gjykata vlerëson se Shtetet kanë një detyrim të përgjithshëm për të organizuar sistemet e tyre ligjore, në mënyrë të tillë që të sigurojnë pajtueshmërinë me kërkesat e  nenit 6§1 (shih, mutatis mutandis, Krastanov kundër Bullgarisë, nr. 50222/99, § 74, 30 shtator 2004). Për këtë arsye, u takonte autoriteteve vendëse të përdornin të gjitha mjetet që kishin në dispozicion për të garantuar se gjyqtarët e KPA-së përmbushnin kërkesat statutore për pozicionin e tyre.

Në lidhje me këtë, Gjykata bie dakord me pohimet e gjykatave vendëse se autoritetet përkatëse kishin detyrimin të verifikonin, se aplikimi i L.D. për pozicionin e gjyqtarit në KPA respektonte kërkesat statutore për pozicionin e tij. Gjithashtu, Qeveria nuk iu  referua ndonjë vështirësie për të verifikuar nëse L.D. kishte qenë subjekt i masës disiplinore të shkarkimit nga detyra në të shkuarën. Nga ana tjetër, ai informacion ishte në të dhënat zyrtare dhe ishte cituar jo më vonë sesa në  vitin 2016 në skualifikimin e L.D. nga pozicioni i gjyqtarit të Gjykatës së  Rrethit Tiranë. Gjithashtu, një anëtar i komisionit të posaçëm parlamentar i  drejtoi L.D një pyetje specifikisht të lidhur me largimin e tij të mëhershëm nga gjyqësori   

Ky paragraf përfaqëson një ndër momentet më dramatike për sistemin e drejtësisë në Shqipëri për faktin se jo vetëm që këtu është cenuar një e vërtetë publike siç atë e provon Gjykata, por se qeveria shqiptare përmes Avokaturës së Shtetit – pra qeveria me kredencialet e Shetit – mbron përpara autoriteteve ndërkombëtare çfarë??? Injorancën e vet, apo një gënjeshtër publike që ngre dyshime rrënjësore për KPA-në? Dhe kjo në kuptim të përfaqësimit quhet Interes Publik, pra Ne të gjithë jemi kundër Canit në mbrojtje të ligësisë hajvane të atyre që drejtojnë vettingun!!! Kush vallë do ishte realisht në këtë krah?

Mbi këtë parashtrim Gjykata ka çmuar se është shkelur neni 6 i Konventës, “për një gjykatë të krijuar me ligj”, ndërkohë që pretendimi i Canit ka adresuar edhe shkeljen e nenit 13 që parashikon ndër të tjera një arsyetim sipas të cilit, ai nuk ka patur mundësi të ankimojë një vendim të paligjshëm siç është ai i KPA-së, pra i ka munguar e drejta për gjykim shterues të drejtë. Për këtë të fundit, Gjykata e Strasburgut ka cilësuar kërkesën të papranueshme, ndërkohë që cilëson se në mënyrë për të korrigjuar shkeljen e së drejtës së bërë, çmohet:

rihapja e procedurave nëse ankuesi do e kërkonte një gjë të tillë

ndërkohë që ka theksuar se “vendimet e saj kanë në thelb natyrë deklarative”. Çka sugjeron se ia lë në diskresion qeverisë të vendosë nëse do të ndjekë opsionin e rihapjes së procedurës së vlerësimit.

Çështja në fjalë meriton vëmendjen për shkak se subjekti që ka provokuar këtë shpenzim energjish, L.D, aktualisht nxjerrë nga sistemi që në vitin 2021, por është tërësisht e papranueshme dhe me efekt toksik fakti që një gjyqtar në Tiranë arrinë të depërtojë në nivelet më të larta të filtrimit ndonëse pretendimi ndaj tij ka qenë publik. Jemi para një faktitë radhës së vettingu është përdorur si mjet për të pastruar sipas preferencave dhe do të mjaftonte edhe vetëm një rast për të kuptuar ndikimin kapilar që kanë gabime të tilla, që në fakt janë Faje.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

E fillon me halene europiane, (ndoshta ke nenkuptuar edhe amerikane), per te arritur ne perfundimin se rasti qe argumentoni eshte i mjaftueshem per "ndikimin kapilar qe kane gabime te tilla". Nuk e shpreh qarte i kujt eshte gabimi dhe me cilen hale e ke inatin, por nuk besoj se e ke me ate ruse apo kineze pasi, supozoj qe ato sipas teje nuk duhet ta kene nje te tille. Ata me siguri "dhjesin mermer". Prandaj duhet te clirohemi nga prangat e kapitalizmit euro-amerikan per te cliruar edhe drejtesine tone dhe ta kthejme ne epoken e lavdishme te Saliut. Mos ndoshta duhet te kerkojme ndihme nga ata puritanet e lindjes? Pse jo.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.