Letër karboni

Postuar në 13 Nëntor, 2022 17:07

Kush ka punuar për një kohë në media e kujton mirë sesi çdo qeveri kur kap fundin edhe të ambicieve të veta, nis e vë në punë përherë e më shumë marifete. Sali Berisha p.sh sa herë kishte ndonjë hall, ia niste këngës së arrorëve, që ta bënte qesharake situatën e të zbuste tensionet, duke treguar në të njëjtën kohë se ishte i qetë.

Për të mbivendosur axhendën e vet mbi humorin e rrëzuar të shoqërisë, qeveritë priren të zgerojnë buxhetet e fushatave, të tregojnë sa më shumë punë, presin shirta e u tregojnë njerëzve projekte nën idenë: se ne punojmë, ata shkatërrojnë. P.sh z. Berisha e mori me vrull të madh tunelin e Elbasanit dhe e bëri para zgjedhjeve të vitit 2013. Një rrugë në të vërtetë nga më të mirat dhe më me dobi në Shqipëri. Humbja e tij në Elbasan më 2013, thuajse katastrofike për nga raporti me investimet.

Shembulli na thotë se nuk ka asnjë investim që të ndërrojë një frymë. Veçse nëse kemi ngjarje madhore.

Saliu iku na thanë, e bashkë me të gjoja edhe një model i vjetër. Na erdhi modeli i ri, Edi. Mirëpo ne po shohim se z. Rama është një përsëritës në këtë drejtim, pse sa herë ka ngjarje jo të favorshme për të gjen marifete. Kështu dje p.sh tregonte për një vizitë të një zyrtari rus për të vënë në dukje se protestën e drejton aleanca e rublave. Pastaj pas protestës, për të mos lejuar që të merren me pjesëmarrjen në të hodhi foto nga tunelet e Llogorasë dhe rruga e Fierit. Më tej: këto postime i morën mediat e afërta me të dhe nisën avazin.

E njëjta lojë, e njëjta logjikë, sepse është i njëjti hall. Tani, mirë Berisha që ishte anakroniku që ishte se e morëm vesh, po Ky, intelektuali, publicisti, vizionari, artisti, ky pse njësoj? Ky qenkësh ai që do ndryshonte Shqipërinë? Keqardhje në fakt të shohësh se z. Rama është asgjë më shumë se një letër karboni, si ato të procesverbaleve të dikurshme të magazineriëve, që mbajnë gjurmë në të zezë të dokumentit origjinal. Një dikush që u pengua dhe u rrëzua në Histori. 

Një letër karboni që përsërit identikisht atë që e dimë, duke iu mburrur vetes sesa i zoti është. Po sigurisht që po, sepse kopja sado e zbehtë, një lloj Rilindjeje është.

Ne një mendim po japim, se nisur nga fakti se media kultivoka psikologji të rrezikshme, shkojnë e i bëjnë këngë: Ed karbonit!

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Nese behet fjale per te keqen ndoshta me mire kopja se eshte me e zbehte. Psh : me mire nje kopje diktature se nje diktature e vertete. Por nese behet fjale per te mira atehere le te kthehemi tek miresia e origjinalit. Sepse te gjitha te keqiat e te riut te vjeter i degjojme nga mengjezi ne darke neper televizionet tuaja. Problemi eshte se ai origjinali yt sapo te behet dhenderr do ti quante te gjitha "fjale kazani" dhe do ti shkonte buza vesh me vesh kur ta thoshte. Atij i duhet pushteti me cdo kush dhe nuk i rref ke ka perballe. Ai edhe Jezu Krishtin da ta quante pagan po ti duhej.

Submitted by redaksia on

Nuk fshihet dot cdo gje keshtu. Saliu doli perballe tij pasi ky beri armik kryesor te pushtetit te vet Veten. Te mos bejme sikur nuk kuptojme. E pati kohen, pushtetin, mbeshtetjen per te bere shumecka. Me shume se kushdo keto dy dekada. Ky nuk eshte me as alternative e vetes. Por kot te diskutojme, autobuzi dihet ku po shkon. 

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Me duket se Edi Karbone e ka emrin nje personazh i drames "Pamje nga Ura" te Artur Miller. Koincidence e lezeçme.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.