Kronika e pafajësisë së paralajmëruar

Postuar në 23 Mars, 2012 04:15
Lorenc Vangjeli

Dosja për ish-ministrin e ekonomisë përfundon në Gjykatën e Lartë dhe Dritan Prifti premton se do të luftojë për të drejtën e tij. “Jam i pafajshëm dhe do ta provoj një gjë të tillë”, thotë ai. Papritur, vendimi i pak kohëve më parë për pafajësinë e “armikut” të tij Meta, i garanton atij pafajësinë. Gjithë kronika e një vendimi të paralajmëruar dhe ku gabon prokuroria, për arsye politike përballë deputetit që tronditi politikën

Dritan Prifti ka një nënqeshje pothuaj triumfuese. Edhe pse në pamje të parë ngjan se nuk ka asnjë arsye për t’i dhënë portretit të tij nënqeshje. Së paku tre vjetët e fundit ka qenë në qendër të syrit të ciklonit politik në vend që nga momenti i parë në mbrëmjen e zgjedhjeve të vitit 2009 kur garantoi me votën e tij maxhorancën e Sali Berishës, tek regjistrimi i bisedës me ish-eprorin e tij Ilir Meta e deri tek dosja në ngarkim të tij që është dërguar në Gjykatën e Lartë. Denoncuesi më i egër i shumë sekreteve të errëta të qeverisjes në vend, tashmë është në pozitën e të pandehurit nën akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Prifti rrezikon për këtë akuzë, veç gjobës, deri në 12 vjet heqje lirie. Të paktën kështu mendon Prokuroria e Përgjithshme, e cila dosjen për të dhe të ish-zëvendësministrin e ekonomisë, Leonard Beqiri, e mbylli dhe e çoi për gjykim me firmën e dy prokurorëve Bujar Sheshi dhe Anila Leka. Por Prifti nuk dorëzohet. Ai ka zgjedhur të luftojë dhe të mbrojë deri në fund të vërtetën e tij, sipas të cilës, ai gjykon se është thjesht i pafajshëm. “Je i penduar”? Një pyetjeje të tillë, ish-ministri i përgjigjet me heshtje. Eshtë e kuptueshme që në krye të herës, kur vendosi të thyejë heshtjen dhe të bënte denoncuesin, nuk e kishte parashikuar kurrë këtë rrjedhë të çuditshme të ngjarjeve. “Shpejt do të flasim për pafajësinë time, një pafajësi e fituar për shkak të mungesës së veprës penale për të cilën akuzohem”, thotë ai. Rrethanat ngjajnë se i japin të drejtë, ndonëse e drejta, në këtë rast, është tejet e mbarsur me ngarkesa jashtëligjore.

“Nuk do të më shohin të dorëzuar”

Personazhi, ndoshta më kontravers i politikës shqiptare i këtyre dy dekadave, që për një trill të rastësisë e pa veten të luhatur në një lavjerës që shkonte që nga kahu i denoncuesit tek kahu i kundërt i të denoncuarit, ka zgjedhur të luftojë dhe të mos dorëzohet. Duke besuar fort në veten e tij dhe në të drejten që pretendon. Pikërisht fati e ka bërë të ngrihet aty ku nuk e kishte ëndërruar dhe më pas, e ka hedhur poshtë aty ku nuk urohet të shihet as armiku më i keq. Kësaj rradhe, mjetet që ka zgjedhur fati për ta nxjerrë Priftin nga belaja e Gjykatës, janë prodhuar nga vetë Gjykata e Lartë. Me një vendim të sajin të 16 janarit të këtij viti, duke zgjidhur pafajësinë e njeriut që vetë Prifti denoncoi, Ilir Meta, Gjykata ka firmosur njëherazi edhe pafajësinë e Dritan Priftit. Revista Java ka mundur të sigurojë kërkesën për gjykimin e çështjes në ngarkim të Priftit dhe Beqirit, e bashkë me të, ka mundur të konsultojë dhe dosjen e plotë të hetimit që ka firmosur prokuroria e përgjithshme. Mes tyre, edhe transkriptin e videos të shumëpërfolur mes tij dhe Beqirit.

Në kërkesën për gjykim, thuhet se procedimi penal ndaj deputetit 44 vjeçar është regjistruar “...në bazë të një videoje të rikuperuar nga eksperti i caktuar për kryerjen e ekspertimit teknik...”. Eshtë po i njëjti ekspert amerikan, i cili ka bërë ekspertizën e parë të videos së regjistruar mes tij dhe zotit Meta. “Nga ky ekspertim, ndër të tjera, ka rezultuar se në kamerën orë ekzistonte dhe ky regjistrim, (video) e fshirë. Ajo është realizuar në datën 11 mars 2010 dhe në të janë regjistruar dy persona...”. Sipas arsyetimit të prokurorisë, “...të pandehurit...kanë zhvilluar biseda për përfitime të parregullta financiare që vijnë nga ushtrimi i funksioneve të tyre publike. Sipas këtij regjistrimi, ata kanë ndarë ndërmjet tyre një shumë prej 69 mijë eurosh”. Madje për më shumë, prokuroria pretendon se Prifti dhe Beqiri kanë pretenduar për marrjen e kundraligjshme të një shume më të madhe parash, “një pjesë e të cilës ju është dhënë më parë personave të tjerë të paidentifikuar plotësisht, pavarësisht hetimeve të kryera në këtë drejtim”. Dhe kjo është gropa e parë e Prokurorisë. Muaj të tërë hetimesh, dhjetra dëshmitarë të pyetur, përfshi dhe dy të akuzuarit, nuk kanë arritur të zbulojnë cilët janë “personat e tjerë”. Dhe këtë, e pranon dhe vetë prokuroria.

Nga vijnë paratë

Në video, pak minuta të së cilës janë shfaqur në televizionin kombëtar Klan, tek Opinion-i i Blendi Fevziut, të cilën e ka parë të plotë edhe JAVA, dallohen qartë kartmonedhat në euro të prerjes së madhe. Prokuroria ka hetuar origjinën e tyre, por nuk ka mundur të gjejë burimin e tyre. Po sikur, në një moment të caktuar, të dy të pandehurit, bëjnë një “shaka” të hidhur dhe të pranojnë se çfarë duken si euro, në fakt janë letra bixhozi dhe se ata thjesht po luanin bixhoz të pafajshëm me njëri-tjetrin? Sado absurde të duket, prokuroria, sa kohë që nuk ka mundur të gjejë burimet e tyre, është e detyruar të gëlltisë edhe një lugë të tillë: Dyshimet shkojnë kurdoherë në favor të të dyshuarit, thotë ligji.

Prokuroria konstaton se “...të pandehurit nuk kanë dhënë asnjë shpjegim bindës për identifikimin e burimit të këtyre parave, rrugën deri në mbërritjen tek ata të kësaj shume dhe identitetin e plotë të personave që përmenden në video si transportues dhe marrës të një pjese të parave, marrë në harmoni me provat e tjera të administruara në dosje, provon se këto para kanë ardhur nga një burim i paligjshëm, për shkak të funksioneve të tyre shtetërore...”. Sërish vetë prokuroria, duke përmendur një burim të paligjshëm, nuk arrin t’i vejë emër atij: kush i ka “prodhuar këto para”? Por mbi të gjitha, çfarë duket armë e fortë në duart e prokurorisë, është demontuar nga një vendim i gjykatës së lartë, pikërisht aty ku troket dhe vetë prokuroria për të vërtetuar dyshimet e saj. Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë prova materiale të kqyrura si lap top-in e Priftit, kamerën që ka regjistruar, tre dvd të dërguara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe britaniku Adrian Phipilps, si dhe deklarimet e dy të pandehurve dhe tabulatet telefonike të tyre. Dhe si në rastin e procesit Meta, të paktën videot nuk do të merren parasysh. Sepse rruga e sigurimit të tyre, nuk ishte ligjore, sipas vendimit të vetë Gjykatës së Lartë.

Themeli i rrënuar

Ky është një proces të cilit i dihet fundi. Ose më saktë, që ka një fund tërësisht të parashikueshëm, me kushtin e vetëm që drejtësia shqiptare, Gjykata e Lartë, të funksionojë jo me dy, por me një standart të vetëm gjykimi. Në mes të janarit, një trup gjykues, i kryesuar nga relatori Adrian Dvorani dhe anëtarë Gani Dizdari, Majlinda Ndrea, Ariana Fullani dhe Guxim Zenelaj kanë dhënë një vendim për pafajësinë e zotit Ilir Meta. Në arsyetimin e gjykatës të cilin revista JAVA e disponon të plotë, shkruhet se: “...Gjykata e Lartë vendosi për pranimin e kërkesës paraprake për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të akteve proceduriale dhe të akteve të ekspertimit të përpiluara nga eksperti amerikan Glenn Bard dhe eksperti nga Mbretëria e bashkuar Adrian Philips. Këto akte u deklaruan nul dhe të papërdorshëm sepse ishin përfituar në shkelje të dispozitave përkatëse proceduriale penale”. Çfarë hodhi poshtë themelin e akuzës së djeshme për zotin Meta, ka të njëjtin efekt rrënues edhe për akuzën ndaj “armikut” të tij politik Prifti. Edhe videoja e rikuperuar nga amerikani Bard, është përfshirë në dosje duke ndjekur të njëjtën rrugë. Gjykata e Lartë vendosi se caktimi i ekspertëve të huaj, pavarësisht se është një mjet i mundshëm, procedurialisht duhet të kryhet nëpërmjet letërporosive drejtuar autoriteteve të huaja dhe nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. As në rastin e zotit Meta dhe as në atë të zotit Prifti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Gjykata arsyetoi se meqë eksperti nuk ka bërë betimin, nuk ka marrë përgjegjësinë për rastin e ekspertimit të rremë, gjë që do të përbënte garanci se akti i tij do të ishte i saktë. Aq më shumë, në rastin e Priftit, eksperti amerikan, ka tejkaluar detyrën që i ishte caktuar nga organi porositës, pra Prokuroria. “E di këtë fakt, por është herët të flas për të”, thotë në mënyrë enigmatike Prifti që le të hapur çdo derë për veprime të tjera të mëtejshme në këtë drejtim. Për më shumë, ngjan tërësisht e pamundur që fajësia e mundshme e Priftit të vërtetohet me këto prova. Duke nisur me një video që do të konsiderohet se nuk ekziston, që ai vetë e ka filmuar dhe dorëzuar në prokurori, që sipas transkriptit që JAVA ka konsultuar është e paplotë, sipas transmetimit të parë të saj është e padëgjueshme dhe në fund fare, sipas vetë Gjykatës, është e papërdorshme.

Pendesa

“Kjo çështje, normalisht nuk duhej të përfundonte në Gjykatë. Vetë prokuroria duhej ta pezullonte dosjen, për shkak se një vendim i Gjykatës së Lartë, i ka bërë nul të njëjtat prova, që sipas saj godasin Priftin”, komenton një ekspert i të drejtës penale, që në këtë veprim të kundërt të organit të akuzës, sheh një motiv krejt tjetër: “Edhe ata janë të bindur se dosja do të pushohet, por që të mos tërheqin mbi vete rrufetë e politikës dhe me një gjykim thjesht politik që nuk është i natyrshëm për të, vendosën që të shkojnë me një çështje të humbur në gjykatë”, thotë ai.

Në një vështrim të parë, të paktën në formë, ngjan se Prifti ka tentuar një bashkëpunim me organin e akuzës për të denoncuar një vepër penale. Në kuptimin e ligjit, Prifti është në kushtet që ka afruar prova vendimtare për një çështje të caktuar. Në çdo moment, ai mund të bënte një marrëveshje me prokurorinë, që në këmbim të këtyre provave, ai edhe të merrej në mbrojtje fizike si bashkëpunëtor i drejtësisë, ose në rast se do të përfundonte në gjykatë në një çështje paralele, të merrte një dënim nën minimumin që parashikon ligji. Pa llogaritur faktin që ai që kallzon një vepër penale, sipas Kodit Penal, mund të përjashtohet nga ndjekja penale për të njëjtën vepër. “I penduar???”, pyet në mënyrë retorike ish-ministri i ekonomisë. Dhe përgjigjet po vetë: “Aspak, jam i pafajshëm dhe këtë do ta provoj në gjykatë”. Duke mbetur në pritje të një tjetër shfaqjeje tashmë të zakonshme të fytyrës së zakonshme të sistemit shqiptar të drejtësisë, që është edhe i pabesueshëm, edhe viktimë e presionit politik.

Të enjten në Gjykatën e Lartë u hodh shorti i trupës gjykuese për Dritan Priftin dhe Leonard Beqirin. Mirela Fana, Fatos Lulo, Aleksandër Muskaj dhe dy gjykatës të tjerë që kanë gjykuar dhe dosjen Meta, Ariana Fullani dhe Gani Dizdari.

Përse akuzohet?

Neni 260

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

Revista JAVA

Comments

Submitted by nn (not verified) on

Z.DRITAN PRIFTI TE UROJ PER GUXIMIN.Z.DRITAN thote ja ujku dhe Gjykata ,ku jane gjurmet,shiko se jane tuat.Urrejtje per Gjykatat dhe padrejtesin shqiptare.Me vjen keq qe duhet te krenohem me emrin tim kur degjon maskaralleqe te tilla.Megjithate nuk dorezohem,do vazhdoj ta mbeshtes njeriun e mire ,te drejte dhe qe beson se seshpejti ajo do triumfoje.E drejta sado te zhytet ajo nuk mbytet ,te gjejne vend te vetvriten e helmohen maskarenjte.

Submitted by Petro (not verified) on

I ke ardhë vërdallë, o Lenci, para e mbrapa çështjes, e ke parë në aspektin juridik, se si e çfarë do bëjë gjykata? As që kam kohë t'i hyj gjërave, për t'i parë në këtë këndvështrim. Po i marr arsyetimet më vënçe, apo popullorçe. Ja se si është e vërteta për mua:

- Meta, Prifti, Beqiri, persona që dalin në videot e transmetuara, dhe hierarkët e lartë të kësaj krijese, tribuje krahinore që i kanë vënë emrin LSI dhe e kanë rregjistruar në gjykatë si parti, thjesht, janë një bandë. Kur ata të jenë larguar nga tre ministritë që kanë, me demek "në administrim", pas do lënë një shkretëtirë, e ngjashme me ato që lënë pas inkursionet e karkalecave. Sa do të doja që këtë tuaf me emrin Dritan Prifti, ta fusnin për ca kohë në burg, jo aq për ato 70 mijë eurot mitë që ndante me Beqirin, por për ato 1.8 milion eurot që mori nga shitja e "aseteve" të firmës fantazmë, që as filloi e as ka për të filluar nga puna. Gjithashtu, edhe për tuafllëkun e tij që bën specialistin e rregjistrimeve dhe të fshirjeve, e lë të rregjistruar veten e tij duke vjedhur. Ç' gomerë që ka e mban shoqëria jonë në superstrukturën e saj. Dhe nuk është se të keqen e ka ngaqë ka bërë një operacion në kokë. Jo, jo! Ish shefi dhe mësuesi i tij në perversitetet morale të kusarllëkut, as është operuar dhe as ka nevojë të operohet. Gëzon shëndet të plotë fizik dhe ai, po ta pyesësh, do thotë se gëzon edhe shëndet mendor. E tillë është tërë struktura e politikës shqiptare.

Ndjehem i lumtur që jam larg tyre. Faleminderit Zot që më ke mbajtur larg tyre, që nuk pi kafe e nuk shkëmbej biseda e nuk thith të njëjtin ajër me këta zuzarë. Shtresa e pasur e gjyqtarve, e di vetë se ç' vendim do marrë. Ata nuk marrin mend as nga Lorenci, e aq më pak nga unë.

Submitted by Alban (not verified) on

Interesante se si sheh nje perfaqesues te PS-se ne Keshillin Bashkiak te mbroje Dritan Priftin...

Submitted by Astrit (not verified) on

Fajesia e D. Priftit eshte shume here me e provuar se e I. Metes. Sepse z. Meta akuzohej (OK ne menyre shume kredibel duke njohur me gjeresisht personazhin ne fjale) ne baze te fjaleve te padegjueshme ne regjistrimin qe u be publik. Transcriptet e bisedes, te pakten per sa jam une ne dijeni, nuk i ka bere ndonje specialist. Ata specialistet amerikane ose britanike nuk dinin shqip te benin transcriptime bisedash ne gjuhen tone dhe eksperte te mirefillte ne kete fushe ne Shqiperi une nuk di te kete.

Por ama z. Prifti literalisht u kap me presh ne dore. Regjistroi veten duke numeruar para, shume mijera te tilla. Nuk ka prove qe keto para te jene rrushfete. Por ama ka prova deri ne tavan qe keto para cash jane evazion fiskal - autori i shkrimit duhet ta dije mire se bixhozi nuk eshte krim, por perdorimi i parave te padeklaruara eshte krim. Nese z. Prifti apo z. Beqiri vertetojne se keto para me te cilat ata po lozin jane legjitime dhe te marra legalisht nga ndonje banke, atehere bravo u qofte. Perndryshe keto jane para ne te zeze dhe denohen me burg. Per analogji: nuk duhen prova qe ke bere krime me arme per te vajtur ne burg - thjesht te con ne burg fakti qe armet jane pa leje.

Pavaresisht fajesise shume te perfolur te z. Meta, pavaresisht sesa e (pa)merituar ishte pafajesia qe ju dha nga gjykata, opinioni publik duhet te mbeshtese fort gjykatat ne denimin e nje njeriu qe ne opinionin tim ka shkelur ligjin me te dyja kembet. Argumenti "mire ky eshte hajdut, por gjykat ka nxjerre me pare te pafajshem nje tjeter hajdut" per mua eshte i papranueshem si ligjerisht ashtu edhe moralisht.

Post Scriptum: une e kuptoj se gjithmone ka aresye perse njerezit shkelin ligjin. E kuptoj pasurimin si nje motiv per te shkelur ligjin etj. sado e denueshme qe te jete kjo. Por ajo qe me mahnit me z. Prifti eshte qe paska dale vete me doren e tij ne nje video duke numeruar cash. Dhe qe si i bukuri shejtan e con videon me doren e vete tek ekspertet. A ka degjuar ndonjehere ky deli burre togfjaleshin 'file recovery'? Hajdutet shqiptare nuk jane me te keqij se te huajt - por jane goxha me injorante.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.