12 kambana alarmi

Postuar në 17 Mars, 2016 15:57
Besnik Mustafaj

Gazeta “Mapo”, nëpërmjet një shkrimi me autor Leonard Bakillarin, punuar në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”, kishte sjellë para pak ditësh në vëmendje të opinionit publik një fakt, i cili, sipas vlerësimit tim, duhet marrë shumë seriozisht. Në një periudhë prej dy vitesh e gjysmë në pushtet, shumica e majtë qeverisëse është rrëzuar 12 herë nga Gjykata Kushtetuese. Në të vërtetë, aty nuk thuhej asgjë e panjohur për opinionin publik. Rast pas rasti është njoftuar gjithmonë, si për ankimimin, ashtu edhe për vendimin e marrë nga Gjykata Kushtetuese.

Pse atëherë duket sikur këto zhvillime kanë kaluar pa bërë ndonjë përshtypje të madhe? Shpjegimi më i përgjithshëm për këtë shurdhësi lidhet me pjekurinë ende të ulët si politike, ashtu edhe shtetformuese të shoqërisë sonë. Brenda një gjysmë mandati, qeveria, e mbështetur unanimisht edhe nga deputetët e saj, është përpjekur 12 herë të shkelë Kushtetutën dhe jo për gjëra të vogla.

Në një shoqëri natyrshëm demokratike, tentativa të tilla nga ana e pushtetit do të ngjallnin një shqetësim të madh. Një shpjegim tjetër çon doemos edhe te mënyra si zhvillohet në përgjithësi jeta politike dhe institucionale në vendin tonë, ku bëhet kaq shumë zhurmë e sherr nga mëngjesi në mesnatë, për gjithçka dhe midis të gjithëve.

Të gjithë kundër të gjithëve. Rrjedhimisht, ligjërimi publik i klasës sonë politike drejtuese, dashje pa dashje, shpërdorohet e banalizohet, që çon edhe në atrofizimin e vë- mendjes dhe përqendrimit të opinionit publik për të dalluar çfarë është e rëndësishme, çfarë është pak e rëndësishme e çfarë nuk është fare e rëndësishme përkitazi me interesin publik.

Gjithsesi, kështu të përmbledhura e të renditura me kujdes, këto çështje kanë më shumë gjasa të godasin si kambana alarmi mbi vetëdijen e qytetarit shqiptar që e do vendin e tij dhe kërkon që ky vend të zhvillohet në respekt të lirive politike individuale, si edhe të atyre ekonomike.

Sepse të tilla paraqiten në të përbashkëtën e tyre ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, ose si cenim i lirive individuale, ose si cenim i lirive ekonomike. Ka edhe ndonjë çështje, si ato për ngritje komisionesh hetimore në Parlament, që nuk janë më të dorës së dytë se të tjerat, sepse prekin të drejtën dhe detyrën e opozitës për të ushtruar rolin e saj, domethënë, prekin thelbin e demokracisë institucionale. Është një tablo që kërkon medoemos analizë.

Së pari, shohim aty një prirje frontale të qeverisë për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për të përqendruar këtë pushtet në duart e veta deri edhe duke i marrë kompetenca Presidentit të Republikës, (vendimi numër 64, datë 23.09.2015) apo prokurorit të Përgjithshëm, (vendimi numër 43, datë 26.06.2015). Shohim një prirje të përsëritur dhe këmbëngulëse për ta zvogëluar dhe ngushtuar veprimtarinë e opozitës (vendimi numër 30, datë 16.05.2015, vendimi numër 57, datë 23.07.2015, vendimi numër 38, datë 12.06.2015).

Ka po ashtu përpjekje dinake për të kontrolluar jetën private të qytetarëve (vendimi numër 57, datë 05.12.2014, lidhur me regjistrimin e numrave të telefonit celular IMEI). Janë një numër ligjesh të rrëzuara, nëpërmjet të cilave qeveria synonte forcimin e represionit, për ta shndërruar ndëshkimin penal në mjet kryesor, në mos të vetmin për sundimin e ligjit, gjë e papajtueshme me frymën e një shteti demokratik.

Ndër këto përpjekje kanë rënë më tepër në sy ai i “supergjobave” për biznesin, apo ai i ashpërsimit të Kodit Penal me “superdënimet” për armëmbajtje pa leje. Qeveria dhe personalisht Kryeministri Rama janë kritikuar shumë herë, si nga opozita politike, ashtu edhe nga shoqëria civile për rrëshqitje të rrezikshme drejt autoritarizmit në ushtrimin e pushtetit. Këto 12 vendime të Gjykatës Kushtetuese (sa shumë!) vetëm provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme drejtësinë e këtyre kritikave, për fat të keq gjithnjë të shpërfillura.

Nga ana tjetër, këto vendime, me shtrirjen e tyre të pandërprerë në kohë (i fundit është më 26.02.2016) nxjerrin në pah një ves tjetër, me pasoja, të Kryeministrit. Qartazi Kushtetuta e Republikës për të nuk ka ndonjë rëndësi. Rrëzimet e njëpasnjëshme të nismave të tij ligjore nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë shërbyer aspak si mësime, që do të thotë se, në përpjekjet e tij për të tejkaluar ose anashkaluar Kushtetutën, ai shfaqet si një recidivist me rrezikshmëri në rritje.

Një Kryeministri dhe qeverisë së tij, të ardhur në pushtet në mënyrë demokratike, nuk iu bën zakonisht nder përplasja dhe aq më pak rrëzimi në Gjykatën Kushtetuese. Themeluesit e demokracisë moderne dhe të tjerët që e pasuruan përvojën gjatë dy shekujve të fundit, kanë krijuar mekanizma të qëndrueshëm institucionalë për të ruajtur vullnetin e lirë të popullit nga uzurpimi prej njerëzish me prirje diktatoriale apo qoftë dhe autoritariste.

Një nga këto institucione qendrore është doemos Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, ekzistenca e këtyre institucioneve, sado me themel të qëndrueshëm të paraqiten ato, nuk është arsye e mjaftueshme që opinioni publik të flejë mendjen në periudhën midis dy afateve zgjedhore. Sepse, këmbëngulja që tregon Rama, për shembull, për të arritur me çdo kusht qëllimin e vet rast pas rasti, përbën një ogur të keq për demokracinë.

Njerëz të tillë, me ambicie të shpërmasuar për pushtet, do ta gjejnë në një mënyrë a në një tjetër të çarën për të bërë dëm. Prandaj edhe nevojitet mbikëqyrja e tyre e vazhdueshme nga ana e opinionit publik. Pjesë substanciale e mekanizmave mbrojtës të demokracisë kundrejt orvatjeve të tilla janë edhe komisionet parlamentare.

Nëpër këto komisione, ku sigurisht më kryesori është Komisioni i Ligjeve, kalon për shqyrtim të imët çdo projektligj, para se ai të paraqitet në seancën plenare të Kuvendit. Në Komisionin e Ligjeve në Kuvendin e Republikës sonë, qoftë edhe midis anëtarëve përfaqësues të shumicës qeverisëse, janë disa ish-kryeministra dhe ish-ministra drejtësie.

Pyetja më e thjeshtë në këto rrethana është: Si ka mundësi që këta burra të sprovuar miratojnë tekste ligjore që janë në germë dhe në frymë në kundërshtim me Kushtetutën? Vështirë të jetë nga padija. Hipoteza më e besueshme çon te konformizmi i tyre verbazi me vullnetin e Kryeministrit ose edhe më turpshëm nënshtrimi i tyre ndaj presionit të Kryeministrit.

Si konformizmi, ashtu edhe nënshtrimi ndaj kryetarit të Ekzekutivit, bien ndesh në thelb me integritetin e deputetit si përfaqësues i popullit dhe jo instrument mekanik në duart e Ekzekutivit. Rreziku për demokracinë bëhet edhe më i madh duke parë parlamentarët ta ndjekin symbyllur Kryeministrin në përpjekjet e tij për të kapërcyer e nëpërkëmbur Kushtetutën. Dhe madje të bëjnë gjithçka është në dorën e tyre për t’i ligjitimuar këto tentativa.

Çfarë do të ndodhte me demokracinë dhe liritë tona sikur fjala e këtyre parlamentarëve të ishte e fundit? Është një pyetje që të fut dridhmën. Sepse një Kryeministër që ndërmerr kaq nisma antikushtetuese vetëm në gjysmën e mandatit të vet të parë, i ka të gjitha shenjat për t’u zhytur thellë e më thellë kundër shtetit kushtetues. Përfundimi tjetër nisur nga kjo tablo lidhet me origjinën e ankimeve.

Më shumë se gjysmën e këtyre çështjeve i ka çuar në Gjykatën Kushtetuese opozita. Më së shumti Partia Demokratike. Paditësit e tjerë janë pjesë e shoqërisë civile, zyra e Presidentit të Republikës e madje edhe Gjykata e Apelit të Vlorës. Më thonë se në historinë afro çerek shekullore të Gjykatës sonë Kushtetuese, nuk ka ndodhur kurrë që në një periudhë kaq të shkurtër të vijnë kaq shumë ankimime kundër nismave ligjore të qeverisë. Nuk ka pasur po ashtu më parë kaq shumë ankimime nga opozita parlamentare, siç nuk ka pasur kurrë kaq shumë ankimime të ardhura nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile.

Dhe është hera e parë që një trupë gjyqësore, siç është rasti i Gjykatës së Apelit të Vlorës, të kërkonte vënien në lëvizje të Gjykatës Kushtetuese. Për më tepër, kundër një ligji të votuar në Kuvend me shumicë të cilësuar.  Është fjala për ligjin nr. 98/ 2014 “Për një ndryshim në Kodin Penal të RSH”, sipas të cilit do të shumëfishoheshin dënimet për armëmbajtje pa leje, por që gjyqtarët e Apelit të Vlorës konstatonin se marzhet e larta të dënimit cenonin sigurinë juridike dhe ishin në kundërshtim me proporcionalitetin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal shqiptar. Gjykata Kushtetuese u dha të drejtë.

Janë gjithë këto rekorde me domethënie pozitive, sepse tregojnë që ndjeshmëria ndaj kushtetueshmërisë, e cila është themeli i shtetit ligjor, është rritur dhe zgjeruar, siç tregojnë edhe se është rritur dhe zgjeruar besimi te pavarësia e Gjykatës Kushtetuese. Për t’u përshëndetur në mënyrë të veçantë është përfshirja e ankimimeve në Gjykatën Kushtetuese nga ana e Partisë Demokratike si pjesë substanciale e veprimtarisë së saj opozitare.

Ka një mënyrë nihiliste për ta parë këtë sjellje të Partisë Demokratike si përpjekje të saj për të kompensuar dobësinë numerike që ka ajo bashkë më partitë e tjera opozitare në Parlament. Tkurrja elektorale e opozitës në qershor 2013 është një realitet, i cili, me sa po shohim përditë, u keqkuptua nga fitimtarët, me Edi Ramën në krye, duke i ngjallur atij një ndjesi të rrezikshme vetëkënaqësie dhe arrogance.

E keqja do të bëhej e plotë sikur “të një milion shuplakat” që mori, të keqkuptoheshin edhe nga opozita, parë ky realitet nga këndvështrimi i saj, duke i ngjallur asaj ndjesinë demoralizuese të vogëlsisë, domethënë kompleksin e inferioritetit, i cili do të prodhonte pafuqinë për të qenë vërtet e dobishme përkitazi me frenimin e abuzimeve me pushtetin nga ana e qeverisë. Nuk ka ndodhur kështu.

Me kthimin e syve drejt Gjykatës Kushtetuese, gjë që nuk ka qenë vërtet në traditën e bërjes opozitë në Shqipëri, Partia Demokratike shfaqet si legaliste, duke dhënë shenja shumë të pëlqyeshme të pjekurisë së saj politike në shërbim të ndërtimit të shtetit ligjor. Kjo nuk do të thotë aspak se Gjykata Kushtetuese është bërë palë me opozitën, siç janë parë jo rrallë të spekulojnë përfaqë- sues me peshë të shumicës parlamentare në përpjekjen e tyre të pandershme për ta minimizuar apo edhe asgjësuar moralisht veprimtarinë e kësaj Gjykate.

Fakt është se opinioni ynë publik nuk e ka kuptuar rëndësinë që ka pasur dhe vazhdon të ketë për interesin e përbashkët ballafaqimi shumicë-opozitë në Gjykatën Kushtetuese. Dhe për më tepër shtohet rëndësia e këtij ballafaqimi duke parë vendimet përfundimtare të kësaj Gjykate. Në kundërvënien e vet, opozita ka qenë parimore. Ama opozita, dhe posaçërisht Partia Demokratike, kanë përgjegjësinë kryesore për prapambetjen e opinionit publik në vlerësimin e këtyre zhvillimeve.

Sigurisht që nuk mund të pritej nga qeveria që të bënte pedagogjinë pozitive të proceseve të tilla. Kjo detyrë ka qenë dhe është vetëm e opozitës. Veçanërisht në rastet kur ajo ka qenë mirëfilli nismëtare e këtyre proceseve. Por ne kemi parë që, në rastin më të mirë, opozita është mjaftuar me një njoftim të lexuar thatë, gjë që me të drejtë ka zënë pak ose hiç vend ne edicionet e lajmeve. Ndërkohë që rezultatet e nismave të saj legjitime duhej të shërbenin si përmbajtje kryesore në dialogun e saj me shoqërinë. Frika se do të politizoheshin vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të ishte absurde.

Dihet që motivimi i opozitës për të ndërmarrë nisma të tilla nuk mund të ishte ndryshe, përveçse politik. Parë edhe kronologjikisht, paditë e opozitës në Gjykatën Kushtetuese kanë ardhur gjithmonë pasi është ezauruar dëshpërimisht debati në Parlament, një debat ky natyrshëm politik e ku zëri i saj nuk është dëgjuar pikërisht për arsye të arrogancës së shumicës numerikisht dominuese në sallë, por jo logjikisht, siç edhe dëshmojnë vendimet e Gjykatës.

Me një fjalë, në të gjithë veprimtarinë e saj opozita udhëhiqet nga mendimi dhe qëllimi politik. Rrjedhimisht, edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese do t’i nënshtrohen pa ndrojtje ligjërimit të saj politik para shoqërisë, si shprehje e përkushtimit të saj ndaj vlerave dhe parimeve.

 

"Panorama" 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

shkelqyeshem z.Mustafaj ! Analize plot inteligjence,integritet e vizion,Figura juaj na mbush me besim se Shqiperise akoma nuk i mungojne personalitetet e mencura ,te guximshme e antikonformiste,Me respekt te vecante L.Shehu

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.