Një shërbim i vockël për shokët: I nxjerrim dosjen ish-kryeministrit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-presidentit
Një ditë pasi kryeministri inceneroi qeverinë me ndryshime në dritë ka dalë një lajm që nuk dihej. Ilir Meta sipas mediave të pushtetit rezulton bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Njoftimin në mënyrë tinzare e ka qarkulluar drejtuesja e Autoritetit për Dosjet, Genta Sula. Kleçka juridike është banale dhe kjo e sëkëlldis znj. Sula që merr iniciativën të publikojë të dhënat vetë. Kur për një subjekt që kandidon për funksione publike kërkohet verifikimi i figurës nga institucione, Autoriteti detyrohet të japë certifikatën e pastërtisë së figurës. Të cilën e tërheq nga vendimet e komisioneve “Bezhani” dhe “Mezini”. Kur informacionin e kërkon një qytetar Autoriteti kërkon në dosje. Dhe në këtë kuadër ja se çfarë paska ndodhur sipas znj. Sula:
Institucionit iu kërkua nëpërmjet postës elektronike që të verifikohej figura e shtetasit I. M. në dosje të klasifikuara të ish-Sigurimit të Shtetit. Konstatimi u shqyrtua me përgjegjësi dhe materialet u bënë të njohura për të gjithë anëtarët e zgjedhur. Me vendimin nr. 321, datë 26.07.2022 të Autoritetit, të dhënat iu përcollën Kuvendit të Shqipërisë. Për identifikimin e materialeve të tilla dhe informimin mbi to, Autoriteti kërkon të kthehet vëmendja te ndryshimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” i ndryshuar dhe problematikat e vështirësitë e përsëritura në zbatimin e disa dispozitave.
Konkretisht:Verifikimi i zyrtarëve para emërimit në detyrë, në zbatim të nenit 29, pika 4 të ligjit45/2015 i ndryshuar, ku parashikohet: “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës.” Pra, emrat e shqyrtuar më herët nga komisionet Mezini-Bezhani nuk verifikohen nga Autoriteti, me dispozitë ligjore. Nga ana tjetër, neni 29 pika 4 të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar, zbatohet vetëm për kërkesat për informim të paraqitura nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, dhe jo për kërkesat individuale për informim.
Në këtë rast, Autoriteti nuk kushtëzohet nga normë urdhëruese dhe e jep dokumentacionin në administrim, siç rezulton nga verifikimi…Ngërçi e vë institucionin në pozitën që, një vendim i tij në përgjigje të kërkesës institucionale, deklaron se subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë se figurës së tij nga komisione të mëhershme verifikuese. Vendimi tjetër, - i marrë në përgjigje të kërkesës individuale, - shprehet që po i njëjti subjekt rezulton me dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Të dy vendimet janë të ligjshme dhe në zbatim të ligjit nr. 45/2015, i ndryshuar
thuhet në njoftimin e Autoritetit që është përcjellë nga znj. Sula edhe në Facebook e saj.
Nisma e Autoritetit është qarkulluar në media se zbulon bashkëpunimin e Metës me Sigurimin e Shtetit, dy ditë pas largimit nga Presidenca, në ditën e deklarimit të tij në opozitë djathtas dhe mesa duket në dritën e ndonjë informacioni që ka thartuar drejtuesit e shumicës se Meta nuk do të shpallet non grata.
Kërkesa e znj. Sula për ndërhyrje ligjore nisur nga anomalia e vërejtur prej saj është tërësisht artificiale. Autoriteti është krijuar për të aksesuar dosjet e ish-shërbimit sekret dhe kapitalizuar arkivën në funksion të kërkesave dhe zbadhjes së një raporti me Sigurimin. Përndryshe, Autoriteti nuk ka tagër të publikojë informacione të tilla pasi është përsëritur dhe thënë se hapja e dosjeve nuk nënkupton publikim të saj.
Në rastin konkret do të ishte Kuvendi organi që do të duhet të bënte këtë demarsh duke konsideruar eventualisht edhe kërkesën e Autoritetit për ndryshime ligjore.
Ne kemi të kundërtën: Autoritetin që ndërhyn me vetëdije në një diskutim publik me informacione provokuese që nuk bëjnë asgjë më shumë sesa dëmtojnë vetë atë dhe sigurinë e çdokujt për të qenë i pacenuar në të drejtat e tij.
Vetë kërkesa e znj. Sula për të zhvlerësuar legjitimitetin e komisioneve “Bezhani” e “Mezini” është problematike aq më tepër kur kjo zonjë cenoi rëndë imazhin e një kandidati për Këshillin e Lartë të Prokurorisë me një gabim material, një rast që do të duhet të kishte parë shkarkimin e saj për mënyrë joserioze dhe jo profesionale të trajtimit të informacionit.
Sa për aspektin politik e mediatik të pusetës që ka shpërthyer znj. Sula, do thënë se Ilir Meta spiun është seria e radhës, pas Ilir Meta hajdut, vrasës dhe jonormal.
Kuptohet paradhënie e çdo promocioni në karrierë të këtij njeriu që çuditërisht ka trembur sot jo vetëm Ramën, por me gjasë edhe Berishën me partinë e vet sovranise. E të dy këta nuk do ishte keq të na ndihmonin me “gazetarët e ShIK-ut të Gazidedes”.
s.zaimi
Comments
Pra nese ju kuptova drejt ju
Pra nese ju kuptova drejt ju demokratikasve kemi tre risi:
1.Lsi eshte parti e djathte.
2.Imperializmi angloamerikan eshte rreziku me i madh i Shqiperise.
3. Sigurimi i shtetit eshte i paprekshem sikunder ka qene deri me sot.
Po e verteta a vlen?
Kujt i duhet e verteta. Edhe me dreqin e mallkum mund te behet koalicion. Jo per te rrezuar Edi Ramen por per te marre pushtetin. Edi Rama rshte thjesht nje pengese.
Me vjen per te vjelle.
Reciproke, vetem se eshte
Reciproke, vetem se eshte gabim kombetar tw ndaloje tek e vjella.
Add new comment