Opozita ka filluar të bëjë opozitën

Postuar në 13 Shtator, 2011 14:48

Opozita ka filluar të bëjë opozitën. Me sa duket, e ka kapërcyer momentin e shock-ut pas masakrës elektorale të 8 majit. E nëse është kështu, shock-u post-elektoral kilometrik nuk është për t’u vajtuar. Përballë saj është një regjim që kontrollon gjithçka, e për këtë arsye duhet filluar me denoncimin. Denoncimi mund të bëhet kudo, në gazeta, në ekrane televizionesh, on-line e off-line, por është ndryshe kur e bën në parlament. Ka tjetër impakt kur e bën aty. Kjo përshtypje të krijohet nga fjala që mbajti sot në sallën e Kuvendit deputeti Saimir Tahiri, i cili ish fokusuar tek Bulqiza e minatorëve. Ndoshta nuk është mënyra më e mirë për të bërë një denoncim parlamentar (tek-tuk ka akuza të rrumbullakosura, e deduksione që kanë nevojë të qepen më mirë me fakte), por përballë një regjimi do ishte luks të kërkoje nga opozitarët të respektojnë etikën publike, parimin e prezumimit të pafajësisë, apo ku di unë çfarë tjetër. Në atë sallë, megjithatë, nuk është dëgjuar të bëhet ndonjë denoncim më i kopsitur me fakte e dokumenta. Ia vlen ta lexosh sa më poshtë (është një material i gjatë, por është vetëm një pjesë nga fjala e tij kilometrike në parlament), pasi ka një informacion të bollshëm, të detajuar e në rend kronologjik.

Saimir Tahiri: “Pasuritë minerare shfrytëzohen nga më shumë se 100 kompani të lincesuara, prej të cilave mbi 90% janë licensuar gjatë vitit 2007, 2008 dhe 2009. Vetëm në Bulqizë, janë mbi 40 kompani. Shumica e tyre fshehin pas emrave anonim, njerëz me pushtet, të lidhur me qeverinë, ministrat, deputetët e zonës, kryetarin e Bashkisë, sekserët e mediave pranë kryeministrit, biznesmenët e majmur afër kryeministrit dhe familjes së tij.

Një minator fiton afërsisht 12 Dollar në ditë, dhe flas këtu për ata që punojnë në galeri. Ndërsa ata që mbledhin mineral në sipërfaqe, shesin gurë me kile dhe e merrni me mend vetë sa fitojnë.

Ndërsa fitimi i përllogaritur i kompanisë që shfrytëzon Bulqizën nga 2007 deri më sot, është më shumë se 48 milion dollarë.

Historia e koncesionit në atë minierë tashmë është transformuar në një marrëdhënie të jashtëligjshme dhe korruptive, me marrëveshje ligjore të miratuara në parlament dhe amendamente nën tavolinë, me firma ministrash pa përfillur parlamentin e duke tejkaluar ligjin.

Me falje borxhesh, penalitetesh, detyrimesh fiskale etj, që kapërcejnë disa miliona euro.

Si fillim marrëveshja koncesionare është lidhur ndërmjet shtetit dhe Darfo SPA në vitin 2001. Kjo shoqëri nuk shpalli falimentin, por u zhduk me miliona euro fitim duke kyçur minierën dhe duke lënë të papunë minatorët.

Papritmas shfaqet një tjetër Darfo, jo e njëjtë me të parën. Është Darfo SRL- Që në pamje të parë duket sikur ka ndërruar vetë natyrën juridike të shoqërisë tregtare, por në fakt bëhet fjalë për 2 kompani të ndryshme.

Përfaqësuesit e këtyre kompanive kanë qenë me radhë:

Shtetasi italian Mario Apollon, sipas të dhënave sot në burg për të njëjtat arsye që u kap Prudentino

Shtetasi Eduard Belegu, një kohë funksionar në METE, sot i zhdukur pa lënë gjurmë, dhe me dyshime të forta nëse jeton apo jo.

Shtetasi Eduart Keta, vëllai i Kryetarit të Bashkisë së Bulqizës dhe Kryetarit të degës së PD në Bulqizë, Z. Roland Keta. Sot Eduard Keta zotron të ashtuquajturën Zona D në Bulqizë dhe 4 leje për shfrytëzim minerali.

Vetë Darfo falimentoi pa zhurmë. Dhe me ndryshim emri, u fut në lojë një tjetër kompani, e quajtur me shkurtim ACR.

Në vitin 2007, kur përfitoi të drejtën për të shfrytëzuar pasurinë minerare në Bulqizë, ACR kishte të paktën 7 vjet që egsitonte ligjërisht si kompani.

E themeluar në vitin 2000, përfaqësuesit e saj që në krijim kanë qënë 2 shtetas, Eduard Belegu dhe Kristo Rodi.

Ky i fundit, njëkohësisht shok klase dhe mik i ngushtë me Ministrin Genc Ruli. Në kohën kur ACR zëvendësoi Darfo, ishte drejtor në METE, dhe ministër po Genc Ruli.

Pra duket se me miratimin e Genc Rulit, shoku i ngushtë i klasës dhe i biznesit të Genc Rulit, të drejtën për të shfrytëzuar minierën e kaloi nga Darfo tek ACR, kompania që vetë kishte themeluar.

Të njëjtët njerëz, i dhanë vetes përfitimet kolosale të Bulqizës nëpërmjet kompanisë që po vetë kishin themeluar.

Mjafton kjo xhiro emrash, për persona e kompani, për të kuptuar lehtësisht se asgjë tjetër veç korrupsionit dhe përfitimit të pushtetarëve nuk ka qënë interesi i atyre që me Bulqizën janë tallur duke nëpërkëmbur minatorët dhe një qytet të tërë, e duke shkatërruar pasurinë minerare njëkohësisht.

Bulqiza ka kaluar e mbetet peng në po të njëjtat duar njerëzish të veshur me pushtet, e të majmur me para. Minatorë shkojnë e vijnë. Ca prej tyre shkojnë përgjithmonë.

Në bazë të detyrimeve të marrëveshjes koncesionare të lidhur në vitin 2001 e të miratuar në parlament me ligj të posaçëm, Darfo detyrohej të bënte investime të cilat do të garantonin shfrytëzimin e kujdesshëm të pasurive minerare, thellimin dhe përmirsimin e kushteve të shfrytëzimit të minierës, përmirësimin e zinxhirit përpunues të mineralit, por mbi të gjitha, përmirësimin rrënjësor të kushteve në punë për minatorët, si dhe përmirësimin rrënjësor të mjedisit në të gjthë territorin e veprimtarisë minerare.

Konkretisht, investimet duhet të ishin:

Në Minierën e Kromit Bulqizë – shuma totale e investimit 10 Mil Dollar e ndarë në 2 faza, përkatësisht

Faza e parë 3 vjet, – investimi 2.7 Mil USD

Faza e dytë – 5 vjet – investimi 7.3 USD

Ky investim, të dyja fazat bashkë, duhet të kishte përfunduar plotësisht në vitin 2009.

Në fabrikën e pasurimit Bulqizë – shuma totale e investimit do ishte 0.5 Mil USD dhe do përfundonte në 3 vjet, përkatësisht në vitin 2004.

Në impiantin e seleksionimit Klos – shuma totale e investimit 100.000 USD, dhe do përfundonte brenda 3 vjetësh, pra në vitin 2004.

Në uzinën e Ferrokromit Burrel – vlera totale e investimit të parashikuar është 4 milion USD, të ndara në 2 faza

Faza e parë – 3 vjet – investimi 1.2 milion USD

Faza e dytë – 5 vjet – investimi 2.8 milion USD

Edhe ky investim, të dyja fazat së bashku, duhet të kishte përfunduar plotësisht në vitin 2009.

Investime për mbrojtjen e ambientit (që sipas marrëveshjes duhet të jetë rigorozisht brenda normativës së Komunitetit Evropian) – për tu realizuar brenda 8 vitesh (pra brenda vitit 2009) – në vlerën totale prej 6 milion USD

Investimi total i parashikuar në marrëveshjen e miratuar nga parlamenti në vitin 2001, është plot 20.6 milion USD.

Kujtoj këtu se po sipas marrëveshjes, vetëm inventari i objekteve të marra në dorëzim nga koncesionari, kapnin vlerën e gati 20 milion euro.

Sigurisht që investimet e planifikuara prej 20.6 milion USD nuk u realizuan, edhe pse kompania punonte me ritëm të plotë, shfrytëzonte minierën me ritëm të plotë, kishte përfitime të plota, të cilat i arkëtonte të plota, pa kthyer mbrapsht në Bulqizë në formë investimi asnjë qindarkë.

Afërmendsh, nuk përfitonte vetëm kompania por edhe pushtetarët.

Të vetmit që përfitonin vetëm bukën e gojës nën rrezikun permanent të vdekjes, ishin dje e janë ende sot, minatorët dhe familjarët e tyre.

Amendimi i parë i marrëveshjes koncesionare dhe përkatësisht i Planit të Investimeve të parashikuar në marrëveshjen e miratuar nga Parlamenti, vjen pikërisht 1 ditë pasi vetë METE e detyruar nga vdekjet e njëpasnjëshme të minatorëve, pezulloi çdo lloj veprimtarie të ACR (në kllapa Darfos) në të gjithë zonën e veprimtarisë minerare.

Me këtë urdhër që unë kam këtu, që mban dt 17 Shkurt 2009, Ministri Ruli detyrohet të bëjë “ndalimin e menjëhershëm të veprimtarisë minerare” me qëllim … sigurimin e jetës së punonjësve që rrezikohej nga mungesa e kushteve të sigurisë.

Por vetëm një ditë më pas, edhe pse u detyrua të ndërpriste në mënyrë të plotë aktivitetin minerar të ACR, në dt 18 Shkurt Ministri Ruli firmos Amendimin e Programit të Investimit të ACR, duk e njohur këshut dështimin e koncesionarit, por njëkohësisht duke i bërë edhe favorin e rradhës.

Sipas amendimit, investimet që sipas marrëveshjes së miratuar në parlament duhet të mbaronin në vitin 2009, në shumën totale prej 20.6 milion USD, Genc Ruli i shtyu deri në vitin 2013.

Dhe këtë e bëri nën tavolinë, pa pyetur për parlament, për Kushtetutë dhe ligj.

Në kohën kur ky amendament u firmos, kompania koncesionare, ish Darfo sot ACR, nuk kishte realizuar mbi 90% të investimit prej 20.6 mil USD, gjë që pasqyrohet edhe në aneksin A dhe B të vetë marrëveshjes.

Pra në 8 vjet, kjo kompani kishte realizuar më pak se 10% të investimit, edhe Genc Ruli i dha besimin se në 4 vitet e ardhshme, pra deri në vitin 2013, do realizonte pjesën tjetër të investimit që ishte në fakt, 90% e totalit të parashikuar.

Por nuk mjafoti vetëm kaq.

Kompania ACR i dërgon një shkresë METE, ku i kërkohet ministrit ti falen e ti shtyhen penalitetet prej më shumë se 2 milion euro për shkak se kompania nuk kishte realizuar investimin. Shkresën e merr Z. Kristo Rodi, që siç e thash, babai themelues i vetë ACR, tashmë drejtori më i rëndësishëm në METE.

Kërkesa e ACR mbërrin në dorën e Ministrit në Dt 8 Korrik 2009 dhe menjëherë në dt 9 Korrik, vetëm 1 ditë më pas, Ministri Genc Ruli firmos marrëveshjen që kishte kërkuar vetë kompania, pra faljen dhe shtyrjen e penaliteteve të parashikuara në marrëveshjen koncesionare.

Më e pakta që mund të thuhet, është se kjo marrëveshje që u kërkua nga kompania në dt 8, dhe u firmos nga G.Ruli në dt 9 korrik, ishte negociuar dhe mbyllur në qarkun e shkurtër ndërmjet ministrit kompanisë.

Një kërkesë që me siguri ministri Ruli nuk ka pasur kohë as ta lexojë, por shoqëruar me favore të majme që ministri do ketë pasur kohë ti numërojë, solli dhe marrëveshjen për ta lehtësuar barrën e ACR dhe nga penalitetet që duhet të paguante pse nuk kishte realizuar investimet, duke rënduar kurrizin e minatorëve në kushte pune të mjerueshme dhe të rrezikshme, në shpërdorim flagrant të pasurisë publike dhe perspektivës së saj.

Marrëveshje nuk kaloi as në parlament, si institucioni i vetëm që mund të modifikonte kushtet e parashkuara në një marrëveshje të mëparshme të miratuar me ligj.

Genc Ruli, atëherë ministër, tha se parlamenti ishte mbyllur, a thua se parlamenti është sportel kjoske.

Por edhe ju Z. Naço, nuk keni bërë asgjë deri tani për të denoncuar këtë marrëveshje e për të rikthyer ACR në kushtet e pagesës së penaliteteve për investimet që nuk ka kryer.

 

Kjo çështje është diskutuar gjerësisht në publik, madje dhe prokuroria ka filluar një hetim penal.

Ajo që nuk kuptohet sot Z. Ministër, është se si ju lini në fuqi një marrëveshje edhe pse është tërësisht nul pa u miratuar në parlament.

Si ka mundësi që nuk i kërkoni kompanisë që të shlyej detyrimet financiare pa marrë parasysh marrëveshjen e paligjshme dhe pa asnjë efekt ligjor që Ministri Ruli nënshkroi duke nxjerrë dorën nga kioska e vet?

Më e pakta kjo ngre dyshime se edhe ju z. Ministër jeni në tavën e përlyer të favoreve të paligjshme me të cilat është blerë gjumi juaj në karrige.

Një njeri i ndershëm dhe aspak i kapur nga mafiozët që kontrollojnë industrinë e mineraleve në Bulqizë, do çbënete atë marrëveshje.

Por ju që vazhdoni praktikën e kundraligjshme të Genc Rulit, keni pranuar njëkohësiht të hapni grykën për pazaret e rradhës me favore e korrupsione të mëdha.

Sot minatorët, pasuria publike në Bulqizë dhe i gjithë qyteti që jeton me minierën, vuajnë pasojat e një marrëveshje korruptive, të nënshkruar nga një ministër pa përfillur as ligj e as parlament.

Për shkak të këtij lloj korrupsioni qeveritar e ministror me minierën e Bulqizës, gjendja sot është katastrofike, duke çuar gati në kolaps përfundimtar vetë shfrytëzimin e minierës së Bulqizës.

Z. Ministër, përkundër panoramës rozë që ju bëtë këtu, unë kam në dorë një raport konfidencial, i cili është depozituar në zyrën tuaj vetëm 1 muaj më parë. Ky raport është pasqyra më e zezë që mund të bëhet për situatën skandaloze të Bulqizës.

E gjithë kjo situatë, nuk është vetëm nga papërgjegjshmëria dhe paaftësia e qeverisë, por është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit qeveritar me pasurinë minerare të Bulqizës.

Komanda e korrupsionit të dhunshëm, ai që mbahet me gangstera e polici, pushtet e ryshfete, kalon nga Roland Keta, kryetari i Bashkisë Bulqizë, njëkohësisht dhe Kryetari i PD Bulqizë. Vëllai i tij, Eduard Keta ka 4 licenca, ato në Zonën D, të cilësuara të paligjshme

Deputetët e PD në Bulqizë kanë nga ca liçenca secili, të gjitha në emër të të afërmve dhe miqve në Bulqizë. Vetë Genc Ruli, ish ministër i METE, aktualisht ministër i Bujqësisë, ka dorë në organizimin e rrjetit kapilar të korrupsionit me lejet e shfrytëzimit minerar në Bulqizë.

Kontrabanda shkon më lart, tek “të paprekshmit” e familjes Berisha.

Emri i Agron Kuliqit lidhet drejtpërdrejtë me kontrabandën e mineraleve.

Maunet e kontrabandës ngarkohen dhe nisen nga Bulqiza për në Durrës. Rrugët e transportit janë në mbikqyrjen e strukturave shtetërore, që mesa duket kryesohet nga Agron Kuliqi.

Ngarkesa kontrabandë del nga porti i Durrësit, me emrat e disa kompanive fantazëm, që sipas të dhënave, shumica e tyre të drejtuara nga një shtetas me mbiemrin Nasufi.

Kjo kontrabandë përfundon si destinacion final në Kinë, në kujdesjen personale të Z. Kristo Rodi, i njëjti që krijoi ACR, që i dha ACR koncesionin e Darfo, i njëjti që ishte drejtor i METE, i njëjti, shoku më i ngushtë i Genc Rulit.

Re. Pu.

Comments

Submitted by teologu (not verified) on

<p>Edhe fjalimi i mbajtur nga Xhafa nuk kishte te share. Madje qe shkruar aq mire, sa mu duk si i shkruar nga Rama vete.</p>

Submitted by Altin (not verified) on

<p>NE fakt edhe mua me beri shume pershtypje pozitive. Po, kjo eshte nje menyre shume e mire per te bere opozite , kur pasi ke kritikuar shpalso edhe vizonin tend per te dale nga situata, 5 pikat e propozuara per minatoret ne fund te fjalimit. Me beri pershtypje edhe dick tjeter, kur nderkohe qe kishte akuza direkte ndaj genc Rulit e shume konkrete, ai nuk mori mundimin te mbrohej fare.&nbsp; Them se ne nje shoqeri te hapur, media e publiku do e ksihin &quot;grire&quot;nje qendrim te tille, qe ne fakt po e mban edhe Olldashi per aferen e zbuluiar te fibrave optike. Ky ehste kulmi i papergjegjesise: te mos marresh mundimin as te genjesh.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.