Aleancë “po”. Por jo për Shqipërinë Europiane

Postuar në 13 Janar, 2016 20:52

Ka dy rrugë për të vlerësuar një politikë të caktuar, e me këtë rast edhe një grupim që pretendon konceptimin dhe zbatimin e saj. Rruga e parë është vlerësimi i programit dhe rruga e dytë zbatimi real i saj. Për situatën aktuale të Shqipërisë vlerësimi qendror, ai që konsumon më shumë energji dhe vëmendje, është ai për qeverisjen, pasi prej andej rrjedhin edhe vendimet. Nëse do të shohim programin e kësaj qeverie, ose më saktë premtimet elektorale të grupimit politik që drejton sot, shumëkush mund të ketë rezerva, dyshime për mundësitë e zbatimit të tij etj., por askush nuk mund ta hedhë a priori poshtë atë. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë dashur që ta shpalosin që në emër synimin strategjik të bashkëpunimit të tyre; Aleanca për Shqipërinë Europiane është një ujdi e leverdisshme për të gjithë dhe në interes të të gjithëve, nëse nisemi nga emri rrëzëllitës i saj. Kur vjen puna te zbatimi i programit dhe shtrimi i rrugës për të të, vlerësimet janë të ndryshme: qeveria dhe simpatizantët e vet këmbëngulin për ndryshimin për mirë, për reforma të vërteta, për shtetndërtim. Një pakt politik për integrimin, pra për një synim strategjik, siç mëton të jetë Aleanca për Shqipërinë Europiane, do të duhet të siguronte kuadrin e nevojshëm për një bashkëpunim mbi disa parime themelore, mbi disa premisa që e bëjnë punën konkrete më të lehtë.

A është kështu? Apo ecën në këtë drejtim koalicioni qeverisës mes PS-së dhe LSI-së? Ngjarjet politike të dy viteve e gjysmë që nga marrja e pushtetit e vënë sëriozisht në diskutim paradigmën e pretenduar sidomos nga kryeministri Edi Rama. Qytetarët po mësohen të lexojnë bashkëjetesën politike të tij me Ilir Metën si një duel që synon asgjësimin final të tjetrit, përherë duke u sforcuar në ruajtjen e formës.

Çështja “Doshi” zbuloi, ose shënoi autogolin moral të aleancës, edhe kështu e dyshimtë, kur një prej drejtuesve të saj u vesh me atributet e një kumbari që urdhëron vrasje. Afera “CEZ” synoi transferimin e të gjithë ngarkesës negative morale tek LSI dhe Ilir Meta, e mandej tek qevërisja e shkuar, por 472 milionë euro të falura nga dyshja Rama-Gjiknuri, për të cilat sot qepet goja, realizuan autogolin e dytë. Sms-të që po publikohen nëpër emisione televizive, me një teknikë që nuk është as gazetari e as politikë, janë episodi i tretë, kësaj radhe vërtet për të ardhur keq, i betejës për “moral” që po konsumohet brenda koalicionit i cili i ka vënë qytetarët para faktit të kryer të zgjidhjeve me dyer të mbyllura te vila 31. Zgjidhje që aktualizohen përmes rikalibrimit moral të Ilir Metës, me forcën që ai dëshmon kur e detyron aktorin e heshtjes ndaj skandaleve, kryeministrin, që të hedhë një pallto supeve e çdo të mërkurë të shkojë e të falet në zyrën e tij. Raporti mes “pabesisë” së kryeministrit ndaj aleatit të tij, kur nxit dhe vëzhgon skandalet e radhës dhe forcës së supozuar të Ilir Metës, që vijon të rezistojë, në fakt është pika zero e moralit të vetë kësaj qeverie. Sepse ky raport buron vetëm nga një llogari: ai nuk mund të çojë në negociim të pushtetit. Ciladoqoftë “prova” që njëri ka për tjetrin. Sepse aktualisht ne po shohim jo dy parti politike që kanë adresuar programin e tyre në emër të një qëllimi, por dy njerëz dhe dy klane, bashkë me klanin opozitar, që janë duke shqyer njëri-tjetrin me të gjitha instrumentet në dispozicion përherë në funksion të diskreditimit para zgjedhjeve që po afrojnë. Sepse diskreditimi është edhe programi më i mirë.

Edhe lidhja e nënkuptuar e reformës në drejtësi me arrestimin eventual të Sali Berishës apo Ilir Metës shkon në këtë sens dhe priret të ushqejë një mashtrim të madh për shqiptarët. Pasi ndërkohë që kryeministri aktual, vrapon pas alibisë Berisha-Meta, qeverisja e tij, ekipi që ka përzgjedhur vetë, është kthyer në një gjenerator dështimesh dhe aferash për të cilat janë ngritur dyshime e në ndonjë rast kanë nisur edhe hetime. Nëse do të kishte sadopak seriozitet dhe moral në këtë diskutim dhe nëse kryeministri me PS-në janë aty për të bërë shtet, do të duhet që bllokimin e reformës në Drejtësi ta konvertonin në aksion politik për zgjedhje të reja. Mënyrë tjetër për t’u ndarë nga “e keqja” nuk ka. Por njësoj si Meta dhe Berisha që bashkëjetuan më mirë me njëri-tjetrin falë pazarit, edhe PS-ja me Edi Ramën, nuk e negociojnë pushtetin. Dhe kjo i vë emrin që meriton kësaj Aleance.

Comments

Submitted by Tavarish BERISHA (not verified) on

E gjithe kjo LOJE, ka vetem nje emer, Sali Berisha.
Edhe Ilir Meta, duke qene i zhytur deri fyt me zullume tangentopuli pervehtesimi te nje grykesi aligator, po fillon te dorezohet, para presioneve te Saliut, i cili, si mjeshter i vertete, si ARKIVIST, manual dhe kompjuterik, sa here i rriskohet bytha, duke i trokitur burgu tek dera, fillon e u ben presion, ( diku edhe me fakte reale), individeve qe duan te shkeputen nga ai, apo mundohen t'i kundervihen atije.
Konkretisht, keshtu Sali Berisha po sillet me Ilir Meten, duke i kujtuar vjedhjen e madhe qe ka bere me Kastriot Ismailin ( kjo eshte sa per fillim, mbasi fundi nuk i dihet), me qellim qe te percaje koalicionin PS&LSI.
Deri ne keto momente( per aq sa kemi informacion), Sala ka arritur te percaje alencen Rama-Meta, dhe si mjeshter kombinacionesh, po e detyron Edi Ramen te kapitulloje.
Te shohim, zhvillimet neser, mbas takimeve te oreve te fundit te nattes midis Rames-Lu-Vllahutinit si dhe Rama-Meta.
Te degjojme, si do te jene reagimet neser.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.