Testi jo aq i lehtë i presidentit të elitave përballë francezëve të provincës
Pak më shumë se një javë nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale, sondazhet japin një tjetër panoramë nga ajo e fillimit të fushatës në Francë. Emmanuel Macron ka humbur katër pikë dhe rivalja e tij më e fortë, Marine Le Pen ka fituar tetë, sipas institutit IFOP. Edhe pse nuk dihet nëse pallati "Elize" po e dramatizon situatën për të mobilizuar votuesit apo frika është vërtet reale, megjithatë e sigurt është se Macron nuk do të ketë plebishitin e pesë viteve më parë, kur mundi Le Pen 66 me 34.
Emmanuel Macron mezi pret të mbyllë kapitullin e zgjedhjeve për të nisur projektin e tij të madh: Shtetet e Bashkuara të Evropës.
Në këtë fushatë, Macron i besoi shumë efektit flamur: komandanti i përgjithshëm që negocion (pothuajse) në mënyrë të barabartë me Putinin. Projekti i tij është ambicioz. Jo një Evropë me 27 vende, e refuzuar nga francezët në referendumin e 2005, por një bërthamë e fortë e vendeve të mëdha, ku Gjermania ka paratë dhe francezët Bombën, selinë e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, energjinë bërthamore, dhe pikërisht presidentin. Më pas do të vijnë italianët dhe spanjollët. Macron ka menduar për gjithçka, duke përfshirë pasardhësin e tij: në pesë vjet në Elysee ai imagjinon një tjetër centrist në vend të tij, Edouard Philippe, i cili ka qenë gjatë kësaj kohe kryeministri i tij.
Macron e hedh vështrimin shumë larg. Deri dej, ai sillej si president, dhe jo si kandidat. Ai u përpoq t’i përdorte në funksion të fushatës telefonatat e vazhdueshme deri në kufijtë e përndjekjes me Putinin, për të krijuar atmosferën e ndërmjetësit të krizës më të rëndë që nga Lufta e Dytë Botërore. Por kjo nuk i preku shumë bashkatdhetarët e tij. Ai nuk ia doli t'i fliste shpirtit të Francës, e cila në vitin 2017 e zgjodhi si aute de mieux, për mungesë të diçkaje më të mirë dhe pjesërisht u kthye kundër tij. Ai nuk ka mundur, ndoshta as është përpjekur fare, të shkundë imazhin e presidentit të elitave, të fituesve të globalizimit, të një France dinamike, që jeton në qytet, që ka studiuar, që flet anglisht, që përdor rrjetin i cili e ka bërë botën të hapur për të gjithë, që arrin të hegjemonizojë Francën rurale, me pamje të prapambetur; por ai kurrë nuk do të jetë në gjendje ta pushtojë me të vërtetë.
Kjo është arsyeja pse Macron është një president i vlerësuar nga shumë, i urryer nga shumë, i dashur nga pak.
Fakt mbetet që Macron ka guxim. Ai e tregoi këtë në fushatën e vitit 2017, kur tregoi një anekdotë për mësuesin e tij, filozofin protestant Paul Ricoeur në një takim elektroal. Në maj të vitit 1968, njëmbëdhjetë vjet e gjysmë përpara se Macron të lindte, Ricoeur po jepte mësim në Nanterre, ku shpërtheu revolta. Një student mori koshin e plehrave dhe ia hodhi mbi kokë. Profesori e pyeti: "Pse po ma bën këtë?" Dhe studenti: "Sepse nuk të njoh asnjë autoritet mbi veten time." Ricoeur ngriu: "Autoriteti im mbi ty vjen nga fakti që kam lexuar më shumë libra". Macron shtoi një detaj të shenjtë: “Ka nga ata që dinë dhe nga ata që nuk dinë”. Por më pas e teproi duke bërë një gabim: “Ka nga ata që kanë talent dhe nga ata që nuk kanë talent”. Këtu, në këto pesë vite Macron ka konfirmuar se është një njeri me vizion dhe inteligjencë; por nuk ka treguar se është gati të njohë talentin e të tjerëve. Meqenëse të gjithë kanë një të tillë.
Franca provinciale, që nuk lëviz me taksi apo me skuter, por me naftë, është rebeluar kundër tij; fundi i “jelekëve të verdhë” erdhi kur ata filluan të ngrinin duart mbi policinë dhe ushtrinë. Por ushtria u rebelua edhe kundër Macron, i cili ndryshoi dy shefat e shtabit dhe javën e kaluar kreun e shërbimeve sekrete, si dhe urdhëroi tërheqjen nga Mali; në këmbim, një grup gjeneralësh në pension i shkruan atij një letër mjaft delirante, në të cilën një vend i pasur si Franca përshkruhet në prag të luftës civile. Pasuria, megjithatë, shpërndahet keq; dhe këto zgjedhje konfirmojnë se përçarja nuk është mes të djathtës dhe të majtës, por midis shtresës së sipërme dhe asaj të poshtme të shoqërisë. Kushdo që është më poshtë voton për tre kandidatët kundër sistemit: së bashku me Marine Le Pen, Eric Zemmour dhe të majtin Jean-Luc Mélenchon do të fitojnë mbi një në dy francezë. Ndërsa partitë historike mezi do të kalojnë 10%-shin.
Pandeminë, Macron e përjetoi si provën e jetës. Presidenti është djali i dy mjekëve - babai Jean-Michel neurolog, nëna Françoise mjeke familjeje -; motra e tij Estelle është nefrologe, vëllai i tij Laurent radiolog, kunata e tij Sabina është gjinekologe. Ai shpiku atë që ne i quajmë Green Pass dhe French pass, luftoi për vaksinat, dje ministri i tij i Shëndetësisë shpalli dozën e katërt për gjashtëdhjetë vjeçarët. Më pas nisi të besonte se lufta ishte një mundësi tjetër.
Macron e nënvlerësoi aq shumë fushatën, sa bëri vetëm propozime jopopuliste: rritja e moshës së pensionit në 65 vjeç, kërkesa për të punuar drejtuar përfituesve të asistencës shtetërore etj. Më pas shpërtheu afera McKinsey: për reformën e pensioneve, qeveria u mbështet te konsulentët e shumëkombësheve, kompania u pagua por rezultoi se nuk kishte paguar asnjë euro taksa në Francë.
Në telashe, Macron po përpiqet të rikuperohet ditët e fundit. U dërgon gazetave intervista të shkruara paraprakisht. Shfaqet në edicionet e kanaleve të mëdha. Më pas në periferitë e Francës. Dhe përsërit mesazhin evropian: “Ne duhet të bëhemi të pavarur, jo vetëm si komb, por si kontinent. Ne duhet të ecim përpara së bashku, nga kontrolli i imigracionit te mbrojtja. Vetëm kështu do të jemi në gjendje t'i bëjmë ballë Rusisë, Kinës, madje edhe Amerikës”. Më par, i referohet Mitterrand-it: "Unë besoj në forcat e shpirtit", mesazhi që pararendësi i tij socialist u tha pati drejtuar bashkatdhetarëve në fjalën e fundit për Vitin e Ri. Ai vdiq një vit më vonë. Macron, një centrist, për vete, do të ketë nevojë edhe për të majtën reformiste dhe për të gjitha forcat e tjera.
Comments
Dmth Macron sot eshte 39 vjec
Dmth Macron sot eshte 39 vjec? Ok.
Add new comment