Po SHBA-ve kush u vendos sanksione?
A është legale lufta e tanishme në Ukrainë? Është një pyetje e cila nuk ka përgjigje, sepse në parim asnjë luftë që ndërtohet mbi operacion sulmi nuk ka elementë të besueshëm legaliteti përderisa ngrihet mbi hipoteza objektive sigurie, që janë sërish hipoteza. Megjithatë asnjë luftë deri më sot, të paktën në 4 dekadat e fundit nuk ka provokuar sanksione të kësaj natyre, të cilat po penalizojnë ekonominë e hemisferës veriore të paktën, si kjo në Ukrainë. Aktualisht ka një hetim ndërkombëtar për krime lufte, teksa presidenti ukrainas flet për genocid, diçka fare joserioze qoftë edhe nisur nga fakti se Rusia pretendon se Ukraina është një Rusi.
Përtej kësaj, duhet të ndjekim shembujt historikë. Lufta e Kosovës është në planin juridik një luftë ku ndërhyrja ushtarake u gjykua legjitime dhe kjo pasi Serbia kërkoi të bëhej shqyrtimi nga një gjykatë ndërkombëtare.
Lufta e Irakut e vitit 2003 është pranuar botërisht se u provokua mbi pretendime të rreme. Më tej akoma, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve e çmoi pretendimin se ndërhyrja autorizohej nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, si të pavërtetë. Në vitin 2003 një zyrtar i lartë i administratës Bush, Richard Perle deklaroi se lufta ishte ilegale, por e justifikuar.
Raporti i Senatit amerikan për armët e shkatërrimit në masë, publikuar vite më vonë, e hedh poshtë edhe këtë pretendim.
Lufta e Afganistanit e vitit 2001 nisi me një ultimatum për dorëzimin e Osama Bin Laden, i cili u pranua pjesërisht nga talebanët që ofruan dorëzimin e sauditit në një vend të tretë. Nga një ultimatum për një person, u kalua në një operacion në shkallë të gjerë, sulmi dhe pushtimi që përfundoi me turpin katastrofik të 2021-t. Më keq se kaq, është pranuar se me marrjen e vendit, SHBA-së i mungonte objektivi real dhe kështu zgjati një situatë që nuk justifikohet më nën asnjë optikë, veçse atyre politike.
Debati për luftën është i gjerë dhe aty hyjnë argumente gjithfarëshe, por çështja është se në rastin e Ukrainës po paguhet një faturë globale për shkak se këtë politikë e luan SHBA. A është legjitime kjo politikë? A është legjitime që çmimin e një lufte ta paguajë një qytetar në Shqipëri, apo në Itali? Dhe a është kjo e vetmja ndihmë që mund të jepet?
Disbalanca e krijuar mes reagimit ndaj luftërave të Perëndimit dhe atyre të aktorëve të tjerë, provon se rendi ndërkombëtar aktual jo vetëm funksionon keq, por nuk i shërben më qëllimit për të cilin është krijuar. P.sh sanksionet ndaj Rusisë, janë sinjal për sanksione ndaj Kinës në rast se ajo mësyn Tajvanin. Po SHBA kush i vendos sanksione? Kush e kufizon politikën e saj të jashtme në rendin tonë?
Në një intervistë të dhënë për “Kathimerini”, kreu i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, Ivo Daalder, shprehet se Rusia e tanishme është një autokraci personale, që është më keq sesa autokracia kolektive e Bashkimit Sovjetik. Nëse dje, Byroja Politike largoi Hrushovin, e më parë edhe Lavrenti Berian, kush e heq sot Vladimir Putinin?
Pyetja është shumë e rëndësishme sepse prek problemin e pushtetit në momente kaq kritike dhe me pasoja të mëdha. Por të njëjtën pyetje ne mund ta bëjmë edhe për më gjerë: Kush e kufizon pra SHBA që me një urdhër ekzekutiv të lërë pa bukë miliona njerëz, të sekuestrojë e konfiskojë nën argumente që i stis vetë, pavarësisht objektivitetit dhe motivit të tyre? Dhe çfarë bote është kjo kur zinxhiri ekonomik drejtohet nga vetëm një vend, për t’u quajtur “më e mira e mundshme”? Perëndimi dhe bota e qytetëruar siç quhet për eufemizëm arrogant kjo pjesë, mund të furnizojë me armë Ukrainën, të bëjë bllokim diplomatik të Rusisë, të marrë masa që janë strikt dypalëshe, por si mund të justifikohet në një ekonomi globale kjo që po ndodh?
s.zaimi
Comments
Z Zaimi Jeni me të vërtetë i
Z Zaimi Jeni me të vërtetë i saktë. Ju admiroj gjitashtu edhe për guximin tuaj. Kam ndrru opinion M. Nanon që e uroj gjithashtu..
Add new comment