Enveri, Mehmeti, (vetë)vrasja

Postuar në 17 Dhjetor, 2015 22:16
Rami Memushaj

Një përjetim personal në 34 vjetorin e (vetë)vrasjes së Mehmet Shehut

Fillimi i viteve ’70 të shekullit XX në Shqipëri u shoqërua me zhvillime politike që tronditën thellë opinionin publik. Deri atëherë në njerëzit e thjeshtë kishte njëfarë optimizmi, duke parë se gjendja ekonomike po vinte duke u përmirësuar dhe tregu nuk vuante për ushqimet bazë. Po ashtu, besohej se Partia në pushtet ishte në udhë të drejtë dhe se brenda radhëve të saj kishte një unitet të fortë. Por ngjarjet që pasuan festivalin XI të dhjetorit 1972 zbuluan se uniteti ishte vetëm në dukje, gjë që e provoi plenumi IV i KQ të Partisë së Punës, i cili dënoi për liberalizëm një numër artistësh, po edhe figurash politike që mbulonin sektorin e artit, të cilët mbanin edhe funksione të larta partiake.

Në gusht të vitit 1974 isha me pushimet e verës në fshat, kur një ditë, aty nga ora e 10 e mëngjesit dëgjova zërin e një kushëririt tim që po merrej me lopët në stallën e kooperativës. Sa ishte kthyer nga Tirana, ku kishte qenë për vizitë tek vëllai i madh, që ishte oficer. U vesha shpejt dhe u nisa për nga stalla. Si u përqafuam me të, u ulëm dhe nisëm të bisedonim për të rejat nga Tirana. “Lëre mos e nga, – më tha, – se ç’po bëhet andej. Beqir Balluku u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe u shkarkua si ministër i Mbrojtjes. Keq e kanë dhe Hito Çakua e Petrit Dumia”. U ndava me tim kushëri dhe u ktheva në shtëpi duke menduar se në Tiranë kishte filluar jo lufta e klasave kundër armiqve të Partisë e të Shtetit, po lufta e klaneve për pushtet. Në faqet e gazetave ajo paraqitej si luftë kundër liberalizmit e degjenerimit borgjez, po kosa e hakmarrjes tradicionale shqiptare që shitej si “luftë klasash”, shtrinte përdhe liberalë si Fadil Paçrami, Todi Lubonja, Abdyl Këllezi (po jo Ramiz Alinë!) etj., po dhe njerëz të vijës së ashpër, si Beqir Balluk, Hito Çakua, Petrit Dumia e të tjerë. Pra, dukej sheshit që ishte luftë klanesh. Shumë nga këta njerëz me vlera si ekonomistë apo si ushtarakë i pamë të sillen të internuar në Llakatund, Lubonjë e Selenicë të Vlorës, ku i linin për pak kohë, para se t’u jepnin dënimin kapital. Nuk kuptonim për ç’qëllim bëheshin gjithë ato spastrime në të gjitha fushat: në art e kulturë, në ushtri e në ekonomi? Përse u mbushën burgjet me gjeneralë e figura të shquara, përse shkatërroheshin jetët e qindra familjeve, duke u burgosur kryefamiljarët e duke i internuar? Kujt i shërbenin të gjitha këto?

Në ato vite, ishim një grup i vogël djemsh labë që ndanim mendimin se në kokën e Partisë dhe të shtetit po zhvillohej një luftë e ashpër klanesh dhe ngritjen në postet më të larta të njerëzve të paaftë e gjykonim si degradim të shtetit dhe të partisë. Atëherë nuk dinim gjë për përplasjen e Mehmet Shehut dhe të tijve me Ramiz Alinë, i cili mbështetej nga Nexhmije Hoxha. Kisha dëgjuar nga dikush se, pasi Enveri botoi librin “Imperializmi dhe revolucioni” (1978) apo “Eurokomunizmi është antikomunizëm” (1980), kishte shkruar edhe Mehmet Shehu një libër të titulluar “Kapitalizmi” dhe se kjo gjë nuk i paskësh pëlqyer Enverit, i cili paskësh thënë: “Të gjitha do të shkruajmë libra?!” (Se sa e vërtetë është kjo, këtë mund ta dinë djemtë e Mehmetit.)

Rasti e solli që dy prej shokëve të viteve ‘70 të takoheshim në Tiranë në shtator të vitit 1981: shkruesi i këtyre radhëve pedagog në universitetin e Tiranës, kurse B. B. student në shkollën e Partisë “V. I. Lenin”. Si mora vesh se shoku im i ngushtë kishte ardhur në Shkollën e Partisë, u lidha me të, dhe filluam të dilnim bashkë çdo të shtunë. Që në takimin e parë B. më tregoi se në vilën e Mehmetit ishin ndalur punimet. Kur e pyeta pse, më tregoi se një natë shumë të nxehtë vere të atij viti, shokun Enver nuk po e zinte gjumi nga zhurmat e mëdha jashtë. Thërret oficerin e rojës dhe e pyet ç’ishin ato zhurma. Oficeri i thotë se punohet në vilën e shokut Mehmet. “Po shoku Mehmet nuk është jashtë”, – i thotë Enveri oficerit. Kaq u desh që të ndërpriteshin punimet. Javën tjetër (java e dytë e shtatorit) ndërsa po shëtisnim përballë lulishtes në fund të së cilës ngrihej vila e Mehmetit, shoku im më thotë se u prish fejesa e Skënderit (djalit të dytë të Mehmetit) me Silva Turdiun, basketbollisten e njohur. E zgjidhën djemtë e Sigurimit atë punë, më tha. Tani vonë, nga leximi i ditarit të Enverit, që u botua në një të përditshme, mora vesh se informacionin për familjen e vajzës ia kishte dhënë Ramizi! Kaluan ndoshta 2-3 javë, kur shoku im, që bënte pjesë në organizatën-bazë ku ishte edhe Fiqretja, më tha se ishte mbajtur një mbledhje e kësaj organizate ku kishte marrë pjesë edhe Simon Stefani, si i dërguar i Byrosë Politike. Në atë mbledhje Fiqretes i ishte kërkuar t’i hapej Partisë: të tregonte ku kishte gabuar, pse kishte gabuar, çfarë e kishte shtyrë të shkelte vijën e Partisë për luftën e klasave etj. Këto mbledhje qenë përsëritur disa herë derisa e detyruan Fiqreten “të hapej” me gojë, të tregonte të gjitha gabimet që kishte bërë në jetën e saj. Pasi u rrëfye me gojë, e detyruan që të bënte autokritikë edhe me shkrim. (Do të jenë ruajtur, vallë, procesverbalet e atyre mbledhjeve dhe autokritika me shkrim e Fiqretes?)

Bashkë me B. B. dhe me kolegun Fatmir Agalliu, i cili ishte i vetmi në katedër me të cilin bënim biseda të tilla të rrezikshme, e kuptuam se Mehmet Shehu ishte vënë në plan të zhdukej.

Më 18 dhjetor 1981 u ndodha në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT. Ishte ora 9.30 e mëngjesit; sapo kishte mbaruar ora e parë e mësimit dhe bashkë me kolegun Agalliu, që kishte pasur edhe ai mësim orën e parë, ishim ulur në karrige pranë e pranë e po u frynim duarve për t’u ngrohur. Pas pak hyri në katedër një koleg që jepte mësim në gjuhët e huaja dhe na thotë se erdhi Bashkimi (Shehu) dhe nxori nga mësimi të shoqen. Unë, duke i shkelur këmbën Fatmirit, i thashë kolegut: “Do të kenë vajzën sëmurë!” Qëndruam në heshtje derisa ra zilja për fillimin e orës së dytë të mësimit dhe, kur kolegu doli, i thashë Fatmirit: “Do t’i ketë ndodhur diçka Mehmet Shehut.”

Meqë atë ditë kisha vetëm një orë mësim, dola nga Fakulteti dhe mora rrugën për te sheshi “Avni Rustemi”. Në një pallat aty pranë banonte një kushëri i parë imi, i cili kishte qenë partizan në Brigadën e Parë dhe kuadër i lartë ushtarak, që ishte nxjerrë në lirim pa mbushur moshën. Ngjita shkallët me një frymë dhe, sa arrita para derës së apartamentit të tij, i rashë ziles. Ma hapi derën vetë. Si u përshëndetëm, e pyeta: “Mos i ka ndodhur gjë Mehmet Shehut?” “Po, – më tha, – ka vrarë veten.”

Mbetëm pa folur disa çaste. U vesh dhe dolëm nga shtëpia e arritëm te Ministritë, pastaj morëm drejtimin për nga godina e Komitetit Qendror. Ishte një ditë shumë e ftohtë dhe me një shi të dendur që nuk e mbajtën as këpucët ushtarake 1300-lekëshe. Shëtitorja “Dëshmorët e Kombit” ishte e zbrazur, rrallë shihej ndonjë kalimtar apo ndonjë veturë. Ecëm kështu deri afër godinës së Kryeministrisë, pastaj, duke e parë që asgjë nuk po lëvizte, u ndamë secili për në shtëpinë e tij.

Vetëm të nesërmen u dha njoftimi për vdekjen e Mehmet Shehut. Na mblodhën në sallën e madhe të Fakultetit dhe sekretari byrosë së Partisë për Fakultetin na lexoi letrën e Enver Hoxhës, në të cilën Mehmet Shehu nga njëra anë quhej poliagjent, kurse nga ana tjetër thuhej se me vrasjen e tij i bëri një dëm të madh Partisë dhe shtetit.

Shumë është shkruar për këtë vrasje enigmatike. Ishte luftë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të Nexhmijes? Apo ka qenë dora e shërbimeve sekrete? Enigmën e saj vetëm dy njerëz mund ta zgjidhnin: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Por i pari iku duke e marrë me vete sekretin, kurse e dyta, duke u munduar ta fshehë të vërtetën, arrin të deklarojë me cinizëm: “Nuk është Enveri që vrau Mehmetin, por është Mehmeti që vrau Enverin.”(!)

 

"Dita" 

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

...and the point is?

Submitted by Luigj Marku (not verified) on

Keto pune jane shume te thella dhe nuk kane per t'u marre vesh kurre. Njerezit mund te thurin vetem hamendje e fantazi, por aresyet e verteta nuk kane per te dale kurre. Vetem fakti qe eshte "vetvrare" me DY predha, eshte shume domethenes. Kjo, esht edhe ersyeja e denimit me pushkatim e Mihallaq Zicishtit, ish minister Shendetesie atehere, mbasi nuk pranoi te firmoste Akt-Ekspertizen ku thuhej qe Mehmet Shehu ka vrare vehten. Si kjo, ka edhe shume te tjera, por shume njerez, qe kishin dijeni, i mbuloi DHEU. Vetem ne rast se ish UDB- Jugosllave dhe ish - KGB- e Bashkimit Sovjetik, do te hapin arkivat, sa te jene gjalle edhe brezi i femijeve te Mehmet Shehut, atehere mund te marrim vesh ndonj gje te sakte, mbasi po te ishte per CIA-n, po te ishte se Ai (Mehmeti), do te ishte ne sherbim te tyre, te pakten, do te kishin ndermarre ndonje veprim ne favor te femijeve te tije, por nuk kemi pare e degjuar gje. Bishti i qenit, sa do qe t'a drejtosh, perseri shtrember rri. Po ndejte me qente, qisi qen do te behesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.