Nga Nexhmija te Liria

Postuar në 08 Shkurt, 2022 11:28

Kundër Sali Berishës janë shpenzuar të gjitha municionet. Në 30 vjet gjullurdi, balistat e llucës kanë bërë pis këdo, edhe ustain e tyre, pra Berishën. Dhëndër jugosllavësh, agjent i UDB-së, kriminel, malok, aludime për inçest, spiun, mediokër, i pabesë; epitetet dhe hamendësimet duket sikur nuk duan të ndalojnë në atë që ngjan të jetë etiketa e tranzicionit.  

Gjithçka në shërbim apo si shpjegim i një të keqeje joracionale, një mallkimi gati që mundet vetëm të gatuhet gjetkë. Të dështuar për të skualifikuar nga politika demonin e tyre të preferuar, zëdhënësit e armiqësisë personale me Berishën kanë hedhur së fundmi një tezë të tipit kadarean: Pas Berishës dhe ligësisë së tij qëndron e shoqja, Liri Berisha. Shkruan ndër të tjera gazetari Mero Baze:

Ajo është nxitësja e vendimeve të tij të ndarjes Veri- Jug në vitin 1997, diktuesja e përfshirjes në pushtet të klanit të saj pas vitit 2005, njeriu që i ka imponuar betejë politike me drejtësinë për të mbrojtur djalin në vitin 2008, kur gjurmët e tij të përgjakura të çonin tek masakra e Gërdecit dhe më pas njeriu që udhëhiqte pasurimin e familjes: vajzës, djalit dhe asaj vet në emër të pushtetit të Sali Berishës

Të duket për një moment se Sali Berisha është i pafajshëm, një behot që e tërheq për hunde e shoqja qysh prej 50 vjetësh e që ky nuk po di nga të shkojë e se çfarë bën, por hedh shqelma si mushkë xanxare. Këtu në veprim nuk është vetëm një sarkazëm me të vërtetën, por një metaforë e Lady Makbeth, prezantuar fillimisht nga Kadare si një biçim kategorie letrare krahas Pasardhësit, në përpjekjen për të krijuar Ungjillin e Diktaturës dhe trininë e tiranisë.

Nuk ishte vetëm Enveri, ishte edhe Nexhmija. Sidomos Kjo kohët e fundit. Kështu e keqja e strukturuar aq përbindshëm merr kuptimin e vet racional te një duet mizor ku e “padukshmja”(gruaja) luan të dukshmen. Ajo tërheq fijet të cilat më në fund zbulohen për të na çliruar edhe ne nga dilemat dhe makthi i një suksesi të pashpjegueshëm të së Keqes.

I njëjti parim vepron këtu me të shoqen e Berishës që na shërbehet si koka e të ligës. Mirëpo Berisha ka vepruar në një kohë dhe sistem të hapur ku sekreti ka natyrë dhe cilësim krejt tjetër nga ai i kohës së mëparëshme, që dikton edhe sot psikologjinë e analizave të tilla. Jetoi në një kohë ku pushteti ka përgjithësisht konsiderata pasurore e jo ideore.

Ndaj i ashtuquajturi pushtet i Liri Berishës mbi Sali Berishën është aq sa është pushteti i Linda Ramës ndaj Edi Ramës, apo Monika Kryemadhit mbi Ilir Metën. Sepse nuk ka asnjë logjikë që të mbështesë një centralizim vendimmarrës apo sektarizëm të ngushtuar në kufijtë e një martese kur në 30 vjet është verifikuar se të tre këta njerëz, edhe në vlerësimin e njëri-tjetrit kanë provuar aftësi lidershipi. Të keq, të dëmshëm, anti-shtet, por që për të drejtuar grupimin apo klanin e vet, ka ditur. E të cilëve duhet t’u njohim edhe të mirën se gazetarët, cilëdo qofshin ata, nuk i kanë patur kurrë këshilltarë të vërtetë, por i kanë përdorur…

Akuza në fjalë ka edhe një faul logjik: cili njeri do dëgjonte për 30 vjet një tjetër, që i jep vetëm këshilla të cilat provohen se kanë pasoja katastrofike, apo të paktën të paparashikueshme? Kësaj pyetjeje nuk ia jep dot përgjigjen gazetaria apo politika, por psikoanaliza, të cilën nuk e kemi.

Nuk do të kishte rëndësi një denoncim i kësaj natyre nëse nuk do të shihej se emri Berisha ushqen një lloj gazetarie të paranojës që shpërndahet sa herë ndonjë situatë bëhet me të panjohura. Ndërkohë që nuk ka asnjë presion për hapjen e letrave të qeverisë Berisha, e cila tashmë po mban me kontribute intelektuale edhe qeverinë e Edi Ramës. Njësoj sikundër nuk u hapën letrat për Diktaturën e cila duhet ende për alibi.

s.zaimi

Comments

Submitted by Vlora 97 (not verified) on

Ka nje logjike ajo qe thote Mero
Cdo kollovar gjendet ne ate pozite.
Saliu ca me teper.
Per mua Saliu edhe Lirine e ka mare se donte Tiranen jo se donte Lirine.
Pak a shume sic varej ne barkat e djemve te Enverit

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.