Një letër profetike që të vë në mendime

Postuar në 25 Nëntor, 2015 10:42
Mustafa Nano

Këto ditë po qarkullon në rrjetet sociale një letër që Muhameti, profeti i myslimanëve, u ka dërguar në vitin 628 murgjve ortodoksë të manastirit të Shën Katerinës në Sinai, më saktë buzë malit të Sinait, në majë të të cilit – kështu thuhet në Biblën hebraike, e më pas dhe në Kuran – Zoti d.v. shkroi dhjetë urdhërimet e famshme në dy pllaka guri dhe ia dorëzoi Moisiut, njërit prej profetëve më të rëndësishëm të botës, e personazhit më të rëndësishëm të Kuranit (pas Allahut, kuptohet).

Në manastirin në fjalë, edhe sot, gjendet një numër i madh dokumentesh e dorëshkrimesh historike në gjuhë të ndryshme të vjetra, si greqisht, arabisht, hebraisht, aramaikisht etj., dhe mes tyre ka rënë në sy dhe kjo letër. Nuk është letra origjinale. Është një kopje. Letrën origjinale e ka marrë prej manastirit sulltani Selim I pas pushtimit osman të Egjiptit në vitin 1517, dhe ndodhet në muzeun Topkapi të Stambollit. Ka gati njëqind vjet që është publikuar përmbajtja e kësaj letre, por ky fakt nuk i ka davaritur dyshimet mbi autenticitetin e saj.

Letra është nga ato që nuk të lë indiferent. Përkundrazi. Dhe arsyeja kryesore ka të bëjë me faktin që kjo letër është një mesazh i qartë paqeje që u dërgohet të krishterëve, kudo që janë, “aty rrotull apo larg e më larg”, të cilët Muhameti i sheh në mënyrë pak të çuditshme si shtetas të tij (në anglisht: my citizens). Muhameti ende nuk e kish marrë Mekën në mënyrë përfundimtare (kjo do të ndodhë dy vjet më vonë, më 630), por atëbotë ai kish nën hyqëm, krahas Ummah-s së vet, d.m.th myslimanëve, aq sa ishin, edhe tribu të tjera hebraike e të krishtera që jetonin në Medinë e në rrethina. Në vitin e letrës, Sinai ishte jashtë juridiksionit të kushtetutës së Medinës, të cilën Muhameti e kish hartuar me të vënë këmbë në Medinë, në vitin 622; ose duke ndjekur kalendarin islamik, në vitin 1 të Hixhrës.

Por më e rëndësishme sesa mospërputhje të tilla është përmbajtja e letrës, që nxjerr në evidencë – siç e thashë – një qasje absolutisht paqësore ndaj kristianëve, gjë që nuk puqet dhe aq shumë me mesazhet kuranike që do të kalonin nga forma e trashëgimisë gojore në formë të shkruar nja dy dekada më pas. Muhameti bëhet garant në këtë letër dërguar murgjve ortodoksë të Sinait për paqen e kararin e kristianëve, ai thotë se nuk do të lejohet askush t’i prekë kristianët e objektet e tyre të kultit, e nëse kjo do të ndodhte, do të quhej se ishin ngritur kundër Testamentit të Allahut e kundër vullnetit të Profetit të tij. Dhe pak më poshtë, thuhet se një mysliman mund ta marrë për grua një të krishterë, veç nëse kjo e fundit bie dakord; përveç kësaj, ajo në këto rrethana nuk duhet të ndalohet të ushtrojë besimin e vet e nuk duhet të ndalohet të shkojë në kishë. Dhe në fund: “Detyra e çdo myslimani është t’i bindet këtij Testamenti deri në ditën e Kiametit”. Me fjalë të tjera, sa të ketë jetë mbi tokë. Interesante, apo jo? Dhe kjo është më e pakta që mund të thuhet.

Befasia nuk është që Muhameti u ka shkruar ca murgjve me tone kamerateske. Nuk ka ndonjë çudi në këtë mes. Murgjit e krishterë përmenden edhe në Kuran. Përmenden nja dy herë. E lihet i nënkuptuar një si respekt për zgjedhjen që murgjit kanë bërë në nderim e adhurim të Zotit. “Ndër [të krishterët] ka priftërinj të dhënë pas dijes e murgj të përkushtuar ndaj adhurimit, [që] nuk manifestojnë kryelartësi e arrogancë”, thuhet gjithë dashamirësi e empati në ajetin 5:82. “Murgjit duan pa janë murgj, e nuk jemi ne që i kemi urdhëruar të jenë të tillë”, thuhet në trajtë të perifrazuar në ajetin 57:27, e më pas vijohet me një qortim jo kushedi se çfarë në adresë të tyre, ndonëse janë po ata që bëjnë mëkatin e madh, që e konsiderojnë Isain (Jezuin) si bir të Zotit.

Befasia është gjetkë. Kush është njohës i mirë i doktrinës islame nuk mund të mos goditet nga kjo letër që, po të jetë autentike, i bën një si karshillëk Fjalës më të Fundit (86:13 – Conclusive Word), Librit të Madhërueshëm (41:41 – Mighty Book), Kuranit pra, në të cilin, krahas mesazheve mirëkuptuese e përshëndetëse ndaj atyre që quhen People of the Scripture, d.m.th hebrenjve e kristianëve, gjenden edhe mesazhe papajtueshmërie e animoziteti me të njëjtët njerëz. Ka momente që Muhameti në Kuran, si përcjellës i fjalës së Zotit, shfaqet tepër i zemëruar me kristianët e hebrenjtë. “Mos i bëni miq e mbrojtës hebrenjtë e kristianët; e nëse i bëni miq, Allahu do t’ju konsiderojë si njërin prej tyre”, u thuhet myslimanëve në Kuran (5:51). Ose: “I vraftë Allahu këta të pervertuar [që] po shmangen nga e vërteta”, thuhet në fund të ajetit 9:30, dhe fjalën e ka posaçërisht për të krishterët e hebrenjtë. E kështu me pohime të tjera.

Befasia është edhe te pjesa e fundit e letrës, ajo që ka të bëjë me ok-in që profeti i myslimanëve i jep idesë apo praktikës së martesës mes një myslimani e një gruaje të krishterë. Po përsëris atë që thuhet në letër: “Një mysliman mund të martohet me një grua të krishterë veç me miratimin e kësaj të fundit; e më tej, duhet ta lejojë gruan që të shkojë në kishë”. Po në Kuran çfarë thuhet? Mesazhet janë kontradiktore. Në ajetin 5:5 u thuhet myslimanëve se “mund të martohen me gra të ndershme myslimane, por edhe me gra të ndershme hebre apo të krishtera”, ndërsa në ajetin 2:221 thuhet se “myslimanët nuk duhet të martohen me gra jobesimtare”, dhe mendja ta thotë se te jo besimtaret futen edhe gratë e krishtera, pasi ato, ndonëse shihen me gjysmë simpatie si People of the Book, besojnë në fakt te Triniteti, e te Krishti si bir i Zotit, gjë që, gjithnjë sipas Kuranit, është një nga prapësitë më të mëdha që mund të bëjë një njeri mbi faqe të dheut.

Por befasia më e madhe është fryma e letrës, e cila është një frymë e mirëkuptimit dhe e paqes. Kjo letër e supozuar e Muhametit dërguar murgjve të manastirit të Shën Katerinës në Sinai, sido që t’i vijmë rrotull, kërcet në rastin kur duam ta inkuadrojmë në Kuran. E sikur të provohej që letra është autentike, d.m.th e diktuar dhe e vulosur prej dorës së Muhametit, do mund të thoshim se Muhameti i letrës ka qenë bajagi profetik. Krahasuar me Kuranin, letra është një dokument absolutisht më koherent, e ndoshta kjo gjë është edhe e kuptueshme. Një letër është një letër. Ndërsa një libër, sidomos një libër që është diktuar në harkun e viteve të tëra, sidomos akoma një libër që në masën më të madhe, e në ndryshim nga letra, është shkruar, jo nga Profeti vetë e flakë për flakë, por nga të tjerë vite më vonë, domosdo do të bartë pohime kundërthënëse e kontroverse. Libri është vërtet Libri i Zotit, siç duan të besojnë myslimanët, por ata që e kanë diktuar e shkruar kanë qenë njerëz, njerëz si të gjithë njerëzit, për rrjedhojë të gabueshëm. Gjithnjë, nëse letra është autentike. Por për këtë askush nuk mund ta vërë dorën në zjarr.

"Shqip"

Comments

Submitted by Dinastia (not verified) on

o muci,kurani duhet lexuar si 1 i gjithi,pa nxjerre ajete nga konteksti.E pyeten Iblisin(krye xhindin) a di kuran,-po tha.-Na e thuaj nje pjese ta degjojme.-Dhe citoi:Mallkuar qofshin ata qe falin namazin.Dhe e la me kaq, pa e vazhduar me tej, se ckishte para apo pas atij ajeti iblisi sdonte tja dinte.

Submitted by kingdom (not verified) on

Zoti d.v. shkroi dhjetë urdhërimet e famshme në dy pllaka guri dhe ia dorëzoi Moisiut, njërit prej profetëve më të rëndësishëm të botës, e personazhit më të rëndësishëm të Kuranit (pas Allahut, kuptohet).

o muci kjo fjalia qe ke shkruajtur me siper eshte po aq qesharake sa cjane dhe njohurite e tua mbi islamin. Merru me politike me mire merru me Saliun

Submitted by Muci & Co (not verified) on

Imagjino sikur nje njeri qe sja ka haberin fare gjuhes shqipe ta lexoje dhe ta perktheje ne gjuhen e vet fjaline:

"Lepurush me veshe te gjata, ha karrota ha sallata"

Dhe kjo do ti mjaftonte atij me pas per te dhene leksione ne gramatiken e gjuhes shqipe...

Submitted by hoxha (not verified) on

Muçi, mos u habit shume se Kurani eshte libri me kontradiktor ne bote. Aty brenda ke gjithçka dhe te kunderten e gjithçkaje. Por ne rastin qe permend ti duhet analizuar situata politike kur e shkroi letren profeti. Ne ate çast historik atij i leverdiste t'ia krihte bishtin murgjve. Se profeti, dihet, nga pikepamja politike ka qene oportunist i madh, si te gjithe politikanet. Perndryshe nuk ia dilte dot.

Submitted by T. Shkoder (not verified) on

Mes mesazheve te Kuranit dhe mesazheve te percjellura nga letra ne fjale e Muhamedit nuk ka asnjefare kontradikte.
Kete, me mire se askush e shpjegon Leopold Weiss në "The Message of The Quran" (te cilin mund ta shkarkoni edhe nga "google").

Submitted by sidi (not verified) on

Shkrimi shume interesant dhe me shije. Me pelqeu qe nuk ishte paragjykues. Pamvaresisht se vinte ne pikepyetje disa ceshtje qe nese shpjegohen ne thelb, kupton se letra nuk eshte ne antiteze me Kur'anin. Per ta kuptuar shpjegimin se pari meren te mireqena 2 fakte. 1 ekzistenca e Zotit. 2 Profeti Muhamed eshte i derguari i tij.
Se pari letra eshte fjale njerezore, dhe eshte komplet ne unison me misionin profetik. Udhezim ne te mire, largimi nga e keqja. Nese verren jeten e profetit, ajo eshte e mbushur me shume meshire dhe falje ndaj te tjereve:
Shkurt:
1. Vizita e tij ne Tajif ku i fton ne besim, perfundon me zbimin e tij nga zona duke e gjuatjur me gure a cte mundnin. Dhe kur zoti sjell nje engjell ne sherbim te profetit, per te shembur malin prane qytetit, mbi qytet, ai pergjigjet se nese qofte edhe nje pasardhes i ketyre kthehet ne besim, nuk do te deshironte te shfarrosej ky qytet.
2. Kur nje grua i afrohet profetit ku i rrefen se kishte kryer marredhenie jashte martesore, profeti i thote te largohet dhe ti kerkoje flaje Zotit, duke mos preferuar ndeshkimin me gure (ndeshkim qe eshte ne te tre besimet ne nje rast te tille).
3. raste te tilla ka me dhjetera ne jeten e profetit. por pa u zgjatur besoj aspekti i ketij kendveshtrimi i sqarua.
4. Profeti duke e kuptuar me se miri misionin e tij, udhezimin qe buron nga Kurani, veproi ne unison te plote me te. Ai udhezohet posacerisht per perkujdesjen ndaj te ndryshmeve. dhe shembujt ne Kuran jane te shumta.

Nga ana tjeter Zoti, si krijues i myslimaneve ose jo, pra i te gjithe njerezve, ka legjtimitetit, autoritetin dhe fuqine t'i drejtohet njerezve ne formen qe ai do. Dhe Kur'ani si fjale autentike e Zotit merr ne konsiderate dhe u drejtohet shpesh-here te gjithe njerezve, dhe te tjera raste vetem nje shtrese, nje shoqerie, nje perkatesie. Gjuha e perdorur ne kontekste te ndryshme nuk mund te krahasohet dhe te jepet konkluzioni se behet antiteze brenda vetes. Kuptimi i nje ajeti ka 3 kushte:
1. Kuptimi gjuhesor i versetit.
2. Kujt i drejtohet.
3. Konteksti historik i lidhur me zbritjen e versetit.
Versetet e permendura ne shkrimin e mesiperm nuk mund te pergjithesohen, por perkufizohen brenda 3 kushteve te mesiperme.

keto rreshta ndoshte nje qiri i vogel....

respekte

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.