Shënim: Rreziku kryesor për Shqipërinë vjen nga kjo sallë

Postuar në 19 Nëntor, 2015 15:29

“Shullazi i thërret Tahirit “Sajme Qorri”. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe me të një pjesë e opozitës, nuk e kanë lënë rastin t’u shpëtojë dhe e kanë kthyer seancën e sotme plenare në një gjyq ndaj ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit. Deklaratat e ambasadorit amerikan, Donald Lu, i cili përmendi me emër Emiljano Shullazin dhe Arben Frrokun, e kanë vënë opozitën në një pozicion sulmi, pasi për akuzat e saj, ajo tashmë ka një konfirmim ndërkombëtar. Por ka edhe kreditimin e madh se të akuzuarit nuk përgënjeshtrojnë dot asgjë.

Sali Berisha e hapi mbarë sot torbën e fakteve të veta për Sajmir Tahirin, njeriun që nuk e do në qeveri as ai, por as edhe Ilir Meta. Arsye e kësaj urrejtjeje nuk janë aspak parimore, por ministri i Brendshëm ndodhet sot në një pozitë ku çdo akuzë ndaj tij ka besueshmëri. Le të theksojmë se me deklarimet e Lu-së, Berisha ka zbuluar edhe fakte të reja, tronditëse, për të cilat, mazhoranca, ministri dhe kryeministri, kanë mundësinë që t’i çojnë për kallëzim penal për shpifje.

“Shullazi rrëmbeu para një jave Vangjush Dakon. E mbajti një natë. Me qytë të revoles i kërkoi tokën e tij. E dini të gjithë, por e fshihni. Pse e fshihni? Keni frikë Ramën, keni frikë Shullazin. Por do vdisni nga frika. Ka prej jush njerëz me integritet. Po si e fshihni ju pengmarrjen që i bëri Shullazi kryetarit të Bashkisë. Ai mori peng një nga njerëzit më të afërm të Edi Ramës. Gjushi është më i afërmi i Edi Ramës, sepse ai i çon baulen me para”, u shpreh Berisha.

Logjika ta do që kjo duhet provuar, se një akt i tillë duhet vërtetuar, pasi për çdo njeri normal është e vështirë të kuptohet, jo akti i rrëmbimit, por fakti se kjo mazhorancë bashkëjeton me këtë realitet, madje me dobësinë e saj e ushqen atë. Këto janë akuza që e ngjisin krimin dhe pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje deri lart, në kupolën e qeverisë. Këto janë akuza, të cilat do të duhet të sqarohen ligjërisht, pasi apologjitë sulmuese të Sajmir Tahirit sot, se “Berisha është njeriu i Gërdecit”, nuk e shfajësojnë atë nga asnjë përgjegjësi.

Gërdeci dhe 21 janari janë në finale kate të njohura publikisht, për të cilat elektorati ka dhënë mandatin e qartë politik se çfarë duhet bërë. Kurse lidhjet me elementë kriminalë, arratisja nga akuzat publike dhe qeverisja e një vendi me “sigurinë” e krimit, është në fakt fundi i çdo politike.  Nuk ka propagandë që të gënjejë për këtë rrezik që i kanoset të gjithë qytetarëve, që sot nuk kanë as ku të ankohen e të kërkojnë të drejtën: mazhoranca thotë se drejtësia është e kalbur, opozita thotë se mazhoranca dhe qeveria qeveris me krimin përmes krimit, ndërkombëtarët flasin për korrupsion që shkatërron Shqipërinë.

Nuk ka sot rrezik më të madh për vendin sesa ajo që buron dhe ndodh në sallën e Parlamentit. Terrorizmi që po shpallet si rrezik, nuk ka ndonjë vlerë të madhe për imunizimin moral të qeverisë e politikës, në një vend që dominohet nga banditë të veshur si politikanë. Në një vend ku jeta dhe prona është e pasigurtë. Terrorizmi, apo një akt terrorist dënon me vdekje kalimtarët, por kjo politikë ka dënuar me vdekje të ardhmen e një vendi të tërë, që ndodhet në një burg izolimi, për shkak se tani nuk ka më mundësinë as të ikë. 

Comments

Submitted by sopiqoti (not verified) on

Ne ate salle te parlamentit ne cdo seance shofim ata deputete qe bejne pjese ( simbas nje thenie italiane ) ne grupin : .." e veshegjateve qe PELLASIn por qe jane me xhaket e me kolaro..".Perfaqesuesi i tyre eshte plaku nga Vicitoli Sali Berisha.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.