Shteti komunikon me facebook

Postuar në 03 Shtator, 2015 00:12

Ç’është e vërteta, Facebook-u gjithmonë më është dukur punë kalamajsh. Domethënë, ai është shumë i përshtatshëm për të flirtuar, për të gjetur ndonjë mik të hershëm që ke vite pa e takuar, për të bërë thashetheme, e sidomos për të luajtur “FarmVille”. Por nuk më jep përshtypjen se mund të përdoret dhe për punë zyrtare, e për deklarata të rëndësisë së veçantë të njerëzve më me peshë të shtetit. Në Shqipëri kjo ndodh rëndom, Facebook-u përdoret nga të gjithë zyrtarët e lartë për të thënë gjëra, që në fakt duhen arkivuar me numër protokolli.

Kadare shkruan se Belul Gjonomadhi e kishte zët telefonin dhe vuri inat me radarë, e nëse do të plaste lufta, gjënë e parë që do të bënte ishte t’i merrte shpirtin asaj gjësë që rrotullohej e jepte sinjale me drita. Natyrisht, sot nuk vete puna deri këtu. Shumë më keq do ta kishim pa teknologjinë madje. Se edhe Beluli, me qylaf në kokë dhe gunën krahëve, e ka kuptuar më në fund, se nisja e luftës bëhet jo vetëm nga telefoni i dashuriçkave, por dhe nga një sms.

Në këtë kuadër, tanimë është bërë e modës që kryeministri Rama për çdo gjë i referohet Facebook-ut. Teknologji e lartë. Kjo është një prirje e theksuar edhe e ish-kryeministrit Berisha, sidomos me daljen në opozitë. Por fort po ndikon dhe te “kryeministri” në pritje Lulëzim Basha. Pra te politikanët më me pushtet në Shqipëri, nga ku populli pret t’u vijë ndonjë e mirë. Media po nuk ka punë tjetër veç i referohet çdo thënieje të tyre në faqen e Facebook-ut. E fillon Rama që në pikë të mëngjesit me Facebook. Nuk kalojnë veç pak minuta e i përgjigjet Basha me të njëjtën monedhë. Fiks si cicmic-et e kalamajve. Dhe imagjinoni që flitet për akuza milionëshe me euro e dollarë. “Ku i ke 160 milion...” Në Prokurori s’ka asnjë denoncim për be. Dosjet që mbushin sirtaret janë çështje të klasifikura si “krim brenda familjes”. Për zyrtarë të lartë nuk ka ankesa. Vetëm në Facebook. Atje i gjen të gjitha. Është çështje gare. Vetëm reagimi në Facebook të mos mungojë. Atje flitet për dekriminalizimin e Kuvendit e Reformën në Drejtësi. Një herë në Facebook, pastaj linja kalon në Twitter e Linkedin, d.m.th: nga e djathta në të mëngjër e anasjelltas. Aq sa nuk dimë nga ta kthejmë kokën. E si mund ta marrësh seriozisht një gjë të tillë. Herë-herë futet në lojë dhe Berisha, por meqenëse e ka kaluar atë fazë matet mirë para se të bëjë një reagim elektronik.

Lind pyetja: Po faqe zyrtare interneti a kanë këto institucione? Kërkoj në google. E gjej për një sekondë www.kryeministria.al, http://www.pd.al. Po paskan ore, paskan. Se mendova mos kishin mbetur në të keq. Madje dhe me inicialet e shtetit në fund. Po pse çdo reagim të tyrin nuk e transmetojnë nëpërmjet faqes zyrtare, por qëndrojnë si adoleshentët pas faqes së Facebook-ut?!

Kushdo që hap Facebook-un nuk e ka të vështirë të kuptojë, përveç njerëzve normalë që duan një dritare komunikimi, ai gëlon nga profilet false e faqet pornografike. Po burrat e shtetit shqiptar çfarë kërkojnë që qëndrojnë gjithë kohës online në Facebook. E ku ta marrim vesh nëse kush është Rama i vërtetë dhe ai fals, Berisha i vërtetë, apo ndonjë tjetër që hap faqen me foton e tij. Apo marrëdhënia pasionante me Facebook-un tregon se janë trendy e duket sikur po ecin me hapin e kohës. 

Dhe të gjithë këtyre që përmendëm nuk u mungon media që të dalin në ekrane sa herë t’u dojë qejfi. Me një të fërshëllyer mbledhin 20 kamera e gazetarë. Dhe mund të komunikojnë sa të duan. Por jo.... te Facebook-u, atje u rri mendja. Se njërit po i bëhen 700 mijë “frendsa” e tjetrit i kanë kaluar mbi 800 mijë.

Leonard Veizi

Comments

Submitted by Driton Bakija G... (not verified) on

Shkrim shume i mire.

Submitted by Driton Bakija (not verified) on

Shkrim i mire.

Submitted by Kujtim Mateli (not verified) on

Urime Nardi per kete shkrim te goditur. Mbase duan te duken "moderne" tek shumica e shqiptareve qe nuk e ndjekin Fb. Po edhe ne televizione nuk eshte se na lene ndonje shije te mire. Besoj se nuk eshte harruar kryeministri qe gezohej si femije para ekranit te televizionit se kishte siguruar para te tjereve nje vegel me numrin 4. Le te gezohen dhe keta, se kane si femijet e tyre nje FB.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.