Vdes George Blake, i fundit ndër ata që poshtëruan Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Ftohtë

Postuar në 26 Dhjetor, 2020 14:12

Ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare, George Blake, një ndër spiunët më të famshëm të Luftës së Ftohtë. Krahas Rrethit të të Pestëve të Kembrixhit, Blake përfaqëson goditjen më të fortë dhe poshtëruese për shërbimet britanike të inteligjencës. 

Jeta e tij në vetvete karkaterizohet nga thyerjet e forta të një ndër shekujve më të pazakontë të historisë. I lindur si George Behar nga një nënë hollandeze dhe një baba hebre egjiptian, Blake iu bashkua rezistencës hollandeze gjatë LIIB dhe në vitin 1944 u rekrutua në shërbimin britanik, MI6.

Ai studioi rusisht në Kembrixh dhe u dërgua me detyrë në Luftën e Koresë në vitet ’50 ku u kap rob. Blake ka pranuar se ishte pikërisht në Kore kur ndodhi ndërrimi i tij dhe kalimi në lojën e agjentit të dyfishtë. Arsyet thuhet se janë emocionale dhe politike si pasojë e një reagimi ndaj bombardimeve të mëdha amerikane ndaj Koresë së Veriut. I pritur si hero në Britani, besimi ndaj tij u rrit aq së për ironi, u dërgua në Berlin për të rekrutuar oficerë sovjetikë me synim kthimin e tyre në agjentë të dyfishtë. Me këtë detyrë ai informoi sovjetikët për dhjetëra agjentë amerikanë dhe britanikë dhe konsiderohet se ai u ka dhënë atyre edhe të dhënat për operacionin “Ari”, që parashikonte ndërtimin e një tuneli përmes të cilit përgjoheshin komunikimet sovjetike në Berlinin Lindor.

Në harkun kohor të 9 vjetëve, Blake ka ekspozuar 40 agjentë të MI6 duke shkatërruar shumicën e operacioneve të fshehta të shërbimit britanik në Europën Lindore. Po ashtu Blake arriti të zbulojë edhe agjentin amerikan brenda shërbimit ushtarak sovjetik, P.S Popov që u ekzekutua në vitin 1960. Vetë ai u zbulua në Perëndim nga dezertori polak, Michael Geloniewski, vetë ky një agjent i trefishtë. Blake u dënua me 42 vjet në burgun e Wormwood Scrubs në Londër.

Historia e tij vazhdon me arratisjen nga burgu që i ngjan një filmi dhe kalimin e kufirit britanik me një furgon për të mbërritur në Bashkimin Sovjetik. Blake ka pranuar se njihej me Kim Philbyn dhe Donald McClean, dy agjentë të Rrethit të Kembrixhit, por është shprehur se ndihej më i afërt me këtë të fundit. 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.