Prof. Altimari: “Kisha e Shën Thanasit, monument kulture për arbëreshët...Ne arbëreshët nuk shitemi për 30 aspra si ca e ca”

Postuar në 29 Gusht, 2015 17:01

Në vend të Kishës së Shën Thanasit, duket se do të ndërtohet një kishë, ose monument tjetër që përkutjon lidhjet shqiptaro-arbëreshe. Në muajin nëntor madje, do të mbahet edhe një Kuvend shkencor, synon, siç thotë profesori arbëresh, Francesco Altimari në një intervistë për gazetën “Shekulli”, “për ta rindërtuar më në fund bashkërisht një histori objektive dhe shkencore të kompleksitetit të Himarës, të këtij djepi të rëndësishëm kulturor dhe arsimor që meriton një vëmendje të posaçme larg shablloneve nacionale dhe fetare, larg kulisave politiko- kishtare dhe manipulatorëve të çdo lloji”. Duke parë ato që thotë Altimari, mund të konkludojmë se qeveria shqiptare e Edi Ramës shkatërroi godinën ekzistuese nën administrim të Kishës Ortodokse Autoqefale, për t’ia kaluar monumentin e ri, në të njëtin vend, arbëreshëve, apo përkujtimit të lidhjeve të vjetra me ta. Thotë Altimari: “Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi është objektivisht sot një monument kulture për arbëreshët dhe për shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare, sepse në Dhërmi dhe gjetkë, kur të tjerët merreshin vetëm me punët e feve përkatëse, murgjit bazilianë si Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Zef Skiroi etj, krijonin vatra arsimore dhe kulturore që frekuentoheshin edhe nga besimtarë të feve të tjera”.
Po kush do ta administrojë monumentin e ri që shpallet kështu pasuri e përbashkët? Nga ana tjetër KOASh ka paraqitur dokumentin e pronësisë të vitit 1921, sikurse mbishkrimin e ndërtimit të saj, që i atribuohet kishës ortodokse. Si vallë do të tejkalohet ky pretendim që bazohet në të dhëna historike dhe marrëdhënie juridike? Altimari ecën më tej kur flet për qarqe të KOASh-it, por edhe kur aludon për shitje të dikujt apo shumëkujt. “Sot shohim sesi qarqe të caktuara të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare përpiqen të fshehin gjurmët e kësaj të kaluare të lavdishme historike dhe kulturore të Himarës, duke rindërtuar në rrënojat e kishës së vjetër të Shën Thanasit, të shkatërruar nga diktatura e Enver Hoxhës, një ndërtesë parakishtare kinse “ortodokse” me synimin qesharak për ta mbuluar diellin me shoshë...Nëse disa katunde arbëreshe në Itali edhe sot në emërtime mbajnë gjurmë të termit “grek”, edhe kur e humbën identitetin e vjetër fetar dhe janë kthyer në katolikë të ritit “latin”, kjo nuk do të thotë se ato nuk janë arbëreshe, e ruajna Zot se mos këtyre nacionalistëve të tërbuar të fshehur nën petkun fetar u shkon mendja t’i kërkojnë qeverisë greke të ndërhyjë pranë qeverisë italiane për të na siguruar edhe neve arbëreshëve si “grekë” dhe si “ortodoksë të mbodhisur” ndonjë mbrojtje të jashtëzakonshme. Për fat të mirë, ne arbëreshët, ndryshe nga ca e ca të tjerë, nuk shitemi për tridhjetë aspra dhe nuk kemi nevojë për protektorat”, thotë Altimari(http://www.shekulli.com.al/p.php?id=306948).

Mirëpo teksa profesori rikujton këtu “gjakun e shprishur” të “ca e ca të tjerëve”, ndoshta anashkalon faktin se ndjeshmëritë fetare, apo përkatësitë e kohës sonë, kanë përparuar ca ndaj ndjesive që deklamohen si legjitime në emër të bashkësisë kombëtare. KOASH ka përcjellë edhe lajmin se Kisha Arbëreshe ka deklaruar se nuk ka asnjë pretendim apo kërkesë pronësore në Shqiëpri, çka e bën aktin e qeverisë kryekëput politik. “...Ne nuk kemi asnjë interes material ose territorial dhe fetar këtu në Shqipëri, ku Kisha Orthodhokse e bën shumë mirë e me nder shenjtërimin e popullit. Ne këtu në Shqipëri nuk kemi asnjë prift arbëresh dhe nuk jemi pronarë të as një pëllëmbe dheu, për respektin e madh që kemi për Kishën tuaj Orthodhokse dhe për Kishën tonë arbëreshe. Ne arbëreshët, si mirë na tregon historia, jetojmë në Kalabri që në shekullin XV dhe kemi historinë tonë dhe vuajtjet tona për të mbajtur të gjallë, në mes italianëve latinë, identitetin tonë si arbëreshë, me ritin bizantingrek dhe me spiritualitetin lindor....”, thuhet në takimin e majit 2014(http://orthodoxalbania.org/old/index.php/shq/lajme/2219-vizite-e-perfaqe...). Duhet sqaruar zyrtarisht se kush atëherë ka interesa materiale që përligj një aksion të tillë të qeverisë?

Po flitet për komb e për histori. Asnjëra as tjetra nuk mund të mohohen dhe kushdo që ka konfribut meriton kujtim dhe nderim. Madje mund të jemi me vonesë. Por a është kjo mënyra e duhur? A mund të lartësohet figura e Katalanos me rruspat e INUK-ut? A mos vallë do të ishte e udhës që nga Kuvendi Shkencor të dilte një kërkesë e mandej të nisnin diskutimet? Politika e faktit të kryer, mbuluar me demagogjinë e hakërrimit ndaj grekut, nuk mund të vijojë edhe në vitin 2015 të kërkojë rreshtim në “krahun e duhur të historisë”, pasi përveç të shiturve për 30 aspra, mund edhe të ketë të tjerë, që thjesht nuk e besojnë sinqeritetin e veprimeve me rruspa, por edhe nuk shohin tek historia e KOASH ndonjë kërcënim për identitetin. Përndryshe skena si ato të ministrit Klosi, që siç raportohet u prit me dyer mbyllur në Dhërmi, do të përsëriten. Dhe mbyllja e derës është një mesazh se kjo pabesi nuk ka për t’u tretur lehtë siç na tha kryeministri.

Comments

Submitted by Ezra (not verified) on

Shkruan Aristidh Kola, se në vitet 1870, banorë arbëreshë të katundit Badessa, në Italinë e Jugut, kërkuan me të madhe dhe arritën të sigurojnë shpërnguljen ose, siç e quajtën ata vetë, “riatdhesimin” në Greqi, duke u vendosur në katundet arvanitase të Sulimohorëve të Trifilias; pas tyre, të tjerë arbëreshë të Italisë, pas gjase për arsye ekonomike, kërkuan edhe ata të shpërnguleshin drejt “mëmëdheut”, por nuk u pranuan nga shteti grek (Aristidh Kola, Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve, Shtëpia botuese “55”, Tiranë 2002, f. 232).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.