Hipokrizia që favorizon përherë vetëm një palë
Siç mund të pritej ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka përcjellë një reagim rreth zhvillimeve të sotme në Parlamentin shqiptar, ku u miratuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Me një tekst formal dhe hipokrizi të shquar, ambasada lan duart duke kaluar hapur në mbështetje të shumicës qeverisëse:
Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik. Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit.
Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar
thuhet në deklaratë.
Ky është një rol formal i një selie diplomatike kur atë e begenisin të komunikojë diçka për zhvillimet e vendit ku ëstë akredituar. Mirëpo kjo pritmëri brenda normales nuk përputhet me qëndrime të mëhershme të ambasadës dhe SHBA në Shqipëri. Që nuk kanë qenë kaq korrekt kur vjen puna me zhvillime të tjera të rëndësishme si p.sh protestat e opozitës. Në raundin e fundit të tyre, nga SHBA erdhën kërcënime të hapura për PD-në dhe LSI-në, u arrit deri aty sa të flitej për klasifikimin e PD-së si organizatë e rrezikshme e të tjera gjepura të tilla.
Pushimi i protestave ishte pasojë edhe e presionit të drejtpërdrejtë të amerikanëve që sot hiqen si respektues në maksimum të sovranitetit të Parlamentit shqiptar, një kazan nga më të ndyrët në atë që mund të quanim histori të këtij vendi. Ndaj ky mesazh i sotshëm është një dëshmi më shumë për ta kuptuar rolin e kësaj ambasade për atë që është dhe për t’i parë diplomatët e saj me buzëqeshje pa doganë si pjesë serioze të problemit të këtij vendi. Do të duhet kohë që t’I shpallin non grata brenda vetes këta guvernatorë të vetëshpallur në këtë vend përpara se të zbresin në atë rol që u takon me statusin që kanë. Do të duhet kohë sepse elita kriminale dhe hajdute e këtij vendi qeveris mbi një shoqëri që dominohet nga komplekset ndaj të huajve, çka i jep vlerë, përndryshe të paqenë, qëndrimeve si ky i sotmi.
Comments
Fakt
Pyetje e thjeshte. Me kodin e ri opozita humbet edhe po pati mbi 50% te votave. Pra a ka ndonje avantazh mbi opoziten maxhoranca nga ndryshimet?
Add new comment