Doshi, nga krimi te glorifikimi

Postuar në 06 Mars, 2015 18:45
Andis Muka

Telenovela më e kuotuar e ditëve të fundit titullohet ‘Doshi’ dhe ia detyron famën zhanrit të politikës, që dëshmon serish se është atraktiva më e preferuar e shqiptarëve, sidomos kur protagonistët, të fortët e xhunglës, kafshojnë pa e shqyer njëri-tjetrin. Pikërisht sepse situata të tilla i përkasin oligarkisë politike, në formë reaksioni zinxhir, ato nxjerrin në pah njëkohësisht edhe degradimin rrënjësor të elitave shqiptare, duke filluar nga legjitimuesit publikë të pushtetit: mediat dhe ushtria e derivateve.
Nuk mendoj se ia vlen as minimalisht diskutimi rreth çështjes Doshi, që, për aq sa është publike, sepse i përket drejtuesve të këtij vendi, mbetet gjithsesi biznes privat i sipërmarrjeve të ndryshme politike, në të cilat vetëm i verbri shikon moral, etikë dhe interes qytetar, porse ia vlen evidentimi i patetizmit të anestetikëve shoqërorë, të asaj shpure pra, analistësh, editorialistësh, gazetarësh e lloj-lloj ‘-ishtësh’ të tjerë, që nuk kalon ditë pa na dhuruar perla në stilin akademik mbi çdo fenomen, të konsumuar në Shqipëri apo në Groenlandë, në prehistori apo në një mijëvjeçar të paeksploruar. E veçanërisht të atij segmenti të takëmit që valëvit flamurin e vlerave, që vlerave u përcakton gjeografinë dhe njësitë matëse, e pastaj i kategorizon njerëzit në raport me këtë ngrehinë, u bën gjyqin dhe gjëmën.
Në vetvete çështja Doshi evidenton se problemi thelbësor i Shqipërisë lidhet me ato që zbukurojnë CV-të me kategorinë e prodhuesit të mendimit. Mund të perceptohet në çdo hap të interpretimeve të përplasjes Doshi-Rama/Meta, përpara përjashtimit të deputetit nga PS-ja dhe menjëherë pas tij, në tentativat për ta shpallur Doshin hero dhe Ramën enverist.
E filloi Preç Zogaj, në një intervistë për ABC news, i cili arrinte në konkluzionin se veprimet e deputetit Doshi kishin shtysa parimore, me hipotezën se “heroi” është mjaftueshëm i pasur dhe teorikisht nuk ka nevojë të shfrytëzojë politikën për interesa personale. Mirëpo deklarata e Doshit, se kishte qenë i kërcënuar prej 5 muajsh, e ardhur në mungesë të kompromisit me Ramën, automatikisht hedh poshtë aludimet e Zogajt për shqetësim etik, parimor dhe idealist e jo personal. E megjithëse Zogajt i dështon baza teorike e hipotezës, sot publikoi një tjetër editorial te Panorama duke nënvizuar imoralitetin e përjashtuesve të Doshit.
Hipoteza e “heroit të persekutuar” shndërrohet në tezë nga shkrimi i Mark Markut. Autori limitohet me etiketimin e Doshit si armiku i mjerë i persekutuar nga Rama. Këtu e merr stafetën Agron Gjekmarkaj dhe heroi kompletohet me nuanca identitare: gegë, malok, njeriu i virtytshëm, i pa-kompromis me të keqen për arsye të një trashëgimie gjenetike, kulturore e krahinore.
Gjekmarkaj e shenjtëron me atributet e mitit, e dekoron me histori, duke cituar Lahutën e Malcis, Prek Calin, Kir Dul Doshin, Dedë Shabani etj, të gjithë të persekutuar nga komunizmi, teksa në sfond qëndron periudha osmane. Doshi transformohet kështu në heroin postmodernist të Gegërisë, e si i tillë për t’u mëshiruar, mbështetur dhe, pse jo, imituar. “Në Tiranë, sot, këto emra – shkruan Gjekmarkaj – mund të shkaktojnë buzëqeshje kulisash, grimasa skuthash”. Komploti është i konsoliduar.
Në të vërtetë, buzëqeshje e gajasje mund të shkaktojë vetëm një verbëri e tillë, duke filluar nga emrat, të cilëve u atribuohen qëndresa titanësh, pasi një Dedë me mbiemrin Shabani flet më shumë se 1000 fjalë. Një personazh që fillimisht iu afrua PD-së, pastaj militoi si demokristian e në fund si socialist i rilindur pranë trashëgimtarëve të enverizmit, vështirë të tregtohet si mishërim i virtytit, ambasador i një zone “pa kompromise amorale” apo fytyra e Gegërisë. Nevojitet një masturbim mendor për të kuptuar sesi tradita familjare e të persekutuarit Doshi shndërrohet në atraktivë për ta votuar si kandidat i atyre që celebrojnë persekutorët, një akt për të cilin i persekutuari në fjalë, nën shëmbëlltyrën virtuoze të pretenduar nga Gjekmarkaj, duhej të ulërinte më shumë se kundër militantëve të PD-së të emëruar (sipas Doshit) nga ministrja Milena Harito. Eksperienca na mëson se valenca e koncepteve ‘idealist’ e ‘virtuoz’ nuk ka asgjë të përbashkët me sistemimin e militantëve personal në kurriz të militantëve të Tjetrit.
Një deputet që i theu turinjtë gazetarit Besar Likmeta në 2008, sepse zbuloi se kishte diplomë false, nuk mund të shndërrohet sot në hero nga të njëjtët intelektualë që pushtuan mediat për të mbrojtur fjalën e lirë të goditur nga sulmet ndaj Charlie Hebdo-së. Më së paku kjo tregon se i gjithë ai mobilizim paska qenë një industri lloqesh, të vlefshme për Francën, por jo për Shqipërinë.
Ka të drejtë Alfred Lela kur pohon se Doshi nuk është problemi. Ai është një problem dhe njëkohësisht tregues i degradimit, e për ta kuptuar mjafton t’i ndiqen videot e fushatës elektorale 2013, ku heroi deklaronte haptazi se synimi i fitores, ndër të tjera, ishte kontrolli i drejtorive, pra i hallkave të pushtetit, i ndarjes së feudeve, që do të shlyente edhe investimin politik. Për ideale do të thoshte Zogaj! Për të njëjtat ideale e rekrutoi edhe Rama.
Ka sigurisht edhe interpretime të tjera, por që në thelb janë po aq melodrama të hipokrizisë. I tillë duket përfundimi i analizës së ish-deputetit Gilman Bakalli, që ndryshe nga emrat e sipërcituar fajëson klasën politike në tërësi: “sot, çerek shekulli pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri, Akuza Ideale, më shumë se një apel që i drejtohet një instance juridike gjykuese, mbetet një Ligjëratë Absolute, një mallkim, gati-gati një Formulë Magjike për ta pështjelluar publikun”. Tani Bakalli kujtohet për instanca juridike, pasi për vete ka botuar një libër me akuza për Jozefina Topallin.
Problemi nuk është pushteti që përjashtoi Doshin, por opozita ndaj tij, që i takon elitës intelektuale dhe gazetarëve të cilët krenohen si të pavarur. Kur nuk ka as mendimtarë koherent me disa parime bazike, që vetë ata, hera-herës trumbetojnë, ngritjet e rëniet e Doshëve do të jenë normalitet, i turpshëm në të dy anët e parabolës. Sidoqoftë, shqiptarët e gjorë janë mësuar të vajtohen nga ata që i katandisin në gjendje të mjerueshme.
"Postbllok.com"

Comments

Submitted by Iluministi (not verified) on

Shkrim brilant! Ne nje kornize elegante sintetizohen kuptime bazike rreth vlerave, si bazament per analizen e "brockullave" qe prodhojne "analistet" e rrejshem te tipit Zogaj&Co.

Pergezime autorit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.