Kur shteti nuk është korrekt si qytetari
Fushata represive për të rikthyer autoritetin e shtetit në detyrimet që qytetarët kanë ndaj tij, do të jetë shumë herë më tepër efikase sikur paralelisht me të, shteti, dhe sidomos administrata e tij, të dëshmojë përgjegjësi dhe përunjësi ndaj problemeve shpesh të kota që ajo u hap qytetarëve. Kjo, pasi nëse qytetarët që nuk janë korrekt me shtetin dhe kontraktorët e shtetit po ndëshkohen me burg, e kundërta nuk ndodh. Zyrtarët e shtetit që prodhojnë probleme për qytetarët, jo vetëm që nuk reflektojnë, por krijojnë një klimë mbytëse edhe për suksesin e mundshëm që mund të ketë një fushatë e drejtë për vendosjen e shtetit ligjor, siç është fushata kundër ndërtimeve pa leje apo debitorëve të energjisë elektrike.
Qeveria shqiptare e ka urgjente të balancojë represionin e saj mbi qytetarët, me represionin që duhet të bëjë ndaj administratës për probleme që ajo u hap qytetarëve.
Një rast ilustrues është ajo që ka ndodhur me qytetarin Qamil Zela në Lushnjë. Qeveria duket formalisht korrekte kur jep dhjetra shpjegime për atë që ka ndodhur, por ato shpjegime vlejnë për ata që nuk e njohin realitetin shqiptarë dhe nuk kanë punuar kurrë. Unë nuk e njoh nga afër personin dhe për aktin e vetëvrasjes duhet hetim më vete, por nxitimi i gjithë administratës për ta paraqitur atë si një vjedhës energjie, është i dyshimtë. Një qytetar që ka lidhur energjinë e dyqaneve me sahatin e shtëpisë së tij nuk është një hajdut i energjisë, por një njeri që ka gjetur një zgjidhje alla shqiptarçe në kushtet e një biznesi familjar. Është e vërtetë që ka një diferencë çmimesh, por ky quhet debitor, dhe jo hajdut, pasi ke mundësi që t’ia faturosh gjithë energjinë si biznes, dhe këtu mbaron historia. Fakti që ai është arrestuar dhe nuk është marrë më njeri me të, edhe pasi ka shlyer detyrimet, duke e lënë në burg, më shumë se Ardian Fullanin, tregon se gjendemi përballë një shteti primitiv, që nuk është shtet i së drejtës, por një përpjekje për shtet ligjor, i cili nuk është e thënë të jetë demokratik. Viktima duhej trajtuar si debitor për diferencën e çmimit dhe duhej ndëshkuar për këtë. Mund dhe të ndalohej dhe të procedohej penalisht, por qëndrimi në burg përtej kohës kur ai kishte shlyer dhe debinë që i kishin caktuar ende pa u gjykuar, është tregues i një shteti me disa shpejtësi brenda vetes. Kjo dëshmon se shteti është i shpejtë dhe represiv me qytetarin jo korrekt, ndërsa vet është viskoz dhe shumë i ngadaltë në kompesimin e së drejtës që ka ndaj qyetarëve. Nëse i kërkoje CEZ dikur lidhje për dyqan apo për pjestim kontratash, ka qenë një ferr i vërtetë, dhe shumë qytetarë detyroheshin të përdornin një kontratë për shumë shërbime. Unë vet nuk kam mundur në vitin 2010 të ndërroj kontratën e pronarit të shtëpisë ku vendosa redaksinë, pasi më rrethoi Sali Berisha me policë redaksinë time, në një kontratë biznesi, dhe e kam paguar faturën e tij pa mu njohur kurrë as si shpenzim. Shumë biznese në Tiranë janë në lokale private, dhe ata e paguajnë energjinë në emër të të zotëve të shtëpisë ku janë vendosur, bile duke mos ua njohur as si shpenzim në tatime. Si mund të konsiderohen këta njerëz lidhës të paligjshëm të energjisë elektrike, ku askush nuk ua lidhte, dhe sikur të kërkonin një gjë të tillë! Për shkak të disa rregullave idiote të mbetura në këtë vend, ti nuk ke të drejtë, ose së paku ish- CEZ thoshte kështu, që nëse merr për biznes një apartament, kontrata e dritave të kalojë në emër të biznesit. Ky është një rast tipik, pavarësisht nxitimit për ta paraqitur si shkelje. E gjithë kjo të kujton një pasazh të Faik Konicës nga reportazhi i tij “Shqipërinë si e pashë”, i cili kishte një vit rresht që kërkonte nga Uashingtoni ca libra nga Ministria e Jashtme dhe këta nuk ja dërgonin. Meqë erdhi vetë në Shqipëri pas një viti, shkoi në Ministri të Jashtme t’i merrte ato libra, por nuk ja dhanë.
–Jo zotëri, i thanë, ti ke kërkuar të t’i dërgojmë me postë, tani këtë kërkesë të re do ta shqyrtojmë kur t’i vijë koha.
Kështu është sot përsëri administrata shqiptare. Nga një anë kemi një revansh të qeverisë për të vendosur ligjshmërinë në ndërtime, nga ana tjetër nuk kanë të drejtë të ndërtojë askush as me leje. Nga një anë ka një revansh të fortë për të paguar çdo kilovat energji elektrike, nga ana tjetër quhen krime dhe vjedhje energjie gjobat që ka vënë kot ish- CEZ dhe hajdutët e tij mbi qytetarë të pafajshëm, që s’kanë asnjë shans të ankohen apo të dëgjohen pa u ndëshkuar. Që fushata e vendosjes së ligjshmërisë së qeverisë të funksionojë, duhet që administrata t’i përgjigjet me të njëjtin nivel problemeve të qytetarëve me energjinë, ndërtimet dhe çdo fushë tjetër. Ndryshe nuk kemi një shtet të së drejtës, por thjesht një shtet ligjor. Ligjore ka qenë dhe diktatura e Enver Hoxhës, por nuk ishte e drejtë.
"Tema"
Comments
Çna thua more me këto
<p>Çna thua more me këto broçkullat të vjedhësh është e drejtë lërini këto po mësohuni të zbatoni ligjin</p>
Add new comment