Ministri i Brendshëm bën zbulimin e madh: Ndërtimet pa leje janë pa leje dhe nuk lejohen më
Vera erdhi dhe qeveria shqiptare e Edi Ramës nuk e humbet rastin të bëhet sërish qesharake. E arrin në mënyrë të përkryer këtë me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, që shfaqet lart e poshtë me kërcënime dhe shantazhe për gjoba dhe dënime penale. Në Sarandë dhe Vlorë vitin e kaluar, Lleshaj kërcënoi për zbrazjen e plazheve nga zaptuesit, një realitet që ka qenë aty për vite të tëra dhe kurrkush nuk është kujtuar të bëjë diçka. Këtë vit, z. LLeshaj është lëshuar poshtë për të kujtuar se askush nuk mund të bëjë ndërtime pa leje. Shikoni fjalinë që del nga goja e një titullari (a)politik të qeverisë së z. Rama:
Vija bregdetare nuk duhet të cënohet më tej. Ne nuk do të lejojmë më asnjë tullë që të vendoset pa leje në vijën bregdetare. Për këtë duhet që drejtuesit përkatës, veçanërisht Policia e Shtetit ta kenë të qartë se e kanë faturë mbi shpinë çdo konstatim për cënim të vijës bregdetare. Nuk do të lejojmë asnjë tullë të re të shtohet përgjatë vijës bregdetare, apo ndërhyrjet nëpër plazhe. Policia dhe IKMT e kanë të qartë se këtu nuk ka asnjë hapësirë për të diskutuar. Ndërtimet pa leje që janë jashtë çdo procesi legalizimi nuk tolerohen, ndërsa ato që janë futur në proces legalizimi nuk bëhet fjalë që ne të ndërhyjmë. Por, asnjë tullë apo bankinë private nuk mund të ndërtohet në vijën bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme
Pyetja që lind këtu është se nëse ndërtimet janë pa leje dhe janë quajtur të tilla deri më tani, duheshin lejuar?
Dhe pse merr rol policia në këtë proces kur atë e ka Inspektoriati i cili për çdo shkelje ka të drejtë të thërrasë policinë?
Është e qartë se nuk kemi të bëjmë me një nismë të re, apo me një reformë, por me një pastrim të bregdetit nga të padëshiruarit. Bregdeti është pronë e elitës politike dhe ekonomike të drejtuar nga z. Rama dhe aty nuk k apse fut hundët kush tjetër. Kjo është fare e qartë dhe ai që nuk beson mjafton të shkojë në Sarandë e të dëgjojë xhevahiret e deputetit Alket Hyseni.
Këtu ne kemi të bëjmë me zaptim me letra nga Tirana të bregdetit e ku Lleshaj është vetëm zaptija që firmos çfarë i thonë. Përndryshe gjithë ajo reformë territoriale dhe administrative që u bë si vallë u tret kështu për t’ia lënë kontrollin e territorit kryeqytetit ku qeveris një njeri që do gjithçka për vete dhe ta bëjë sipas midesë?
Comments
Fjale sa per shou, sepse dhe
Fjale sa per shou, sepse dhe Rama tha qysh me 2013, tash e mbrapa nuk do te kete me ndertime ne breg te detit, ndersa nga Uji i Ftohte e deri ne Orikum kane vazhduar ndertime buze detit panvarsisht fjaleve te kryetarit te shtetit!!! Persa kohe nuk vendoset rregulli i berjes se planeve te ndertimit nga cdo komune e fshat, do te vazhdoje shkaterrimi i bregdetit shqiptar!
Add new comment