Të ka pëlqyer të jesh absolut? Mbaj përgjegjësi

Postuar në 12 Gusht, 2014 05:49
Spartak Ngjela

Tani që vjedhja e stokut të Bankës së Shqipërisë është një çështje mbarëshoqërore, duhet analizuar edhe vetë “Ligji për Bankën e Shqipërisë”.

Pyetja që duhet ngritur është kjo: a e ka ndihmuar ligji aktual vjedhjen e 713 milionë lekëve në BSH?

Ligji e ka ndihmuar, dhe ai duhet ndryshuar urgjentisht.

Ligji ka mangësi në lidhje me administrimin e brendshëm të Bankës.

Sipas ligjit aktual, Këshilli Mbikëqyrës i Bankë së Shqipëisë duhet të ketë 9 anëtarë, nga të cilët, vetëm tre ka në detyrë, të tjerët janë part time (me kohë të pjesëshmë).

Cilët janë këta të tre? Ata janë: Guvernatori i Bankës dhe dy zëvendësguvernatorët.

Madje, Guvernatori është edhe kryetari i Këshillit Mbikëqyrës; kurse njëri nga zëvendësguvernatorët, që quhet i parë, është edhe zëvëndëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës.

Zotërinj që merreni me këtë çështje! Pse flitet kot për Këshill Mbikëqyrës?

Në atë Bankë ka pasur vetëm një Guvernator dhe një zëvendësguvernator,dhe asgjë tjetër.

Ky është kyçi i abuzimit, sepse edhe zëvendësguvernatori i dytë mungon, nuk është emërurar.

Atëherë?

Gjithçka është e qartë: si pasojë e një ligji banal, i cili, në emër të pavarësisë ka krijuar një Guvernator absolut, patjetër që do të vidhej jo vetëm stoku, por gjithka që ka vlerë materiale në atë Bankë.

Ligji është i papranueshëm, prandaj duhet ndryshuar urgjent; kurse përgjegjësia, në bazë të ligjit është e qartë: ajo është drejtpërsëdrejti e Guvernatorit.

Zotëri, a të ka pëlqyer që të jesh absolut?

Atëherë mbaj edhe përgjegjësinë e absolutizmit tënd.

Si ka mundësi që, ligjërisht, supervizioni i një Banke Kombëtare të drejtohet nga Guvernatori i saj?

Domethënë, kontrolli dhe ekzekutimi janë të dyja në një dorë. Për një vend demokratik, kjo është papranueshmëri juridike. Shkurt: ligji aktual i “ka varur mëlçitë ujkut në qafë”.

Ja zotërinj, kjo është arsyeja pse sot në Shqipëri kemi krijuar një burokraci piraterike, sepse kemi krijuar absolutë që, duke u lidhur me njëri- tjetrin si të paprekshëm, kanë vjedhur vlerat monetare të shqiptarëve.

Tani gjithçka është e qartë dhe mos dirdhni kot lotë krokodili ju “përgjegjësa të lartë”: me ligj është dhënë besimi se edhe mund të vjedhësh, por po u kape, do të përgjigjesh penalisht.  Por, edhe këtu, kemi një pikë tjetër absolute: Prokurori i Përgjithshëm, që është sërish absolut sipas ligjit, dhe, natyrshëm, duke qënë ndihmës i piraterisë burokratike, e di ai se deri ku duhet të shkojë përgjegjësia penale.

Ky është rrethi vicioz i papërgjegjshmërisë dhe pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

Ky rreth patjetër që duhet zhbërë; sepse në të kundërt nuk ka më asnjë reformë në Shqipëri.

Ligji ka krijuar absolutizëm të pakontrollueshëm në “institucionet e pavarura”, dhe pastaj, pikat absolute, pasi bashkohen, vjedhin qetë- qetë paratë dhe gjithë zhvillimin shqiptar, në fakt këta disponojnë personalisht “me ligj” vetë mirëqënien e shoqërisë shqiptarë.

Prandaj, të drejtë kanë njerëzit që krijojnë peticione gjigandë… kështu duhet të vijojnë derisa t’i marrin vetë gjërat në dorë e të shpëtojnë veten nga një grabitje kaq e gjatë që ndodh në atdheun e tyre.

Ligji për Bankën e Shqipërisë duhet përmirësuar urgjent në funksion të eliminimit të arbitrarizmit banal që ka krijuar në këtë Bankë.

Kjo Bankë ka pasur në veprim vetëm dy persona: që të dy duhet të jenë subjekte të përgjegjësisë ligjore për vjedhjen e 713 milione lekëve…

Dhe Guvernatori vijon të rrijë në detyrë dhe nxjerr në media edhe ‘bishta për ndihmë’, sepse rëndom edhe mundet t’i këtë blerë.

Koha nuk pret më; në Shqipëri po shfaqet hapur pirateria e qeverisësve e këtij vendi.

Kjo vjedhje e Bankës së Shqipërisë është turp historik, kush s’e kupton, është idiot dhe duhet të largohet nga drejtimi, kudo që të jetë, kush e kupton dhe e pranon normalisht, është i implikuar në vjedhjen gjigande dhe shumëvjecare që iu është bërë shqiptarëve.

Comments

Submitted by BE BE BAN (not verified) on

<p>Taku, ke te drejte por.........................., aty e ke patur ligjin qe 23.12.1997.</p><p>Mos do te thuash, prite zot, se Ministri i tanishem i Financave ka qene Guvernator deri ne 2004 ?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.