Një gjest dialektik

Postuar në 23 Maj, 2020 19:12
Shaptilografisti

 

Shumëkush e ka ndjekur episodin e fundit të “Real Story”, titulluar: Një kryeministër i pandehur
Skenografia e këtij emisioni ishte një truk propagandistik për të rehabilituar kryeministrin Rama në formën djallëzore të ushtrimit prej tij të të drejtës së fjalës. 

Vendosja e diskutuesve ishte e përmbysur: kryeministri në sallën bosh të TOB, në rolin e një spektatori, pra të popullit, dhe në podium-skenë tre gazetarë. 

Vetë ky inskenim është një formë akuze për mediat që shihen këtu si organizatore të një show të përditshëm dhe të zhurmshëm kundër popullit dhe kryeministrit të tij. Mecenate të rreme të artit, përkundrejt një "vizioni të ri"-inxhinerik- për të.

E kanë vënë atë në akuzë dhe tani në përmbushje të rregullit demokratik i pandehuri që prezumohet i pafajshëm do të mbrohet. 

Nuk dihet kush e ka menduar këtë vendosje, por gazetarët që ishin aty prezentë do të duhet ta refuzonin këtë distancë të rreme të karantinës. Apo edhe këtë raport të përmbysur dhe demagogjik. 

Shumëkush vuri re se z. Rama e fitoi debatin, se ai u tall me gazetarët. Mundet të jetë edhe kështu, nuk është ndonjë çudi nisur nga fakti se ka disa gazetarë që janë bërë si puna e uthullës së fortë që prish enën e vet. 

Mirëpo lajmi në këtë debat skenografik për Teatrin në teatër, ishte jo ajo çfarë u tha, por ajo çfarë u bë. Gazetari Alfred Lela, që befas u shndërrua këto ditë në viktimën më të dukshme dhe identifikueshme të dhunës së diktaturës, të cilit i humbi edhe biçikleta e protestës për 15 orë, u çua dhe i tregoi kryeministrit, popullit, spektatorit, pra edhe neve, shenjat e dhunës fizike në gjymtyrët e tij të poshtme. Ai uli pantallonat dhe duke bërtitur krenarisht i tha kryeministrit: ja shenjat e dhunës. E shndërroi befas artistin Rama në dëshmitar të provave të fajit të tij si autokrat.

E la të ziun pa gojë, e mahniti për një çast. Kamera u dëshmua e dobët në atë rast, pasi një kameraman i shkathët do të duhej të fokusonte sytë e kryeministrit, nga afër, lëvizjen e tyre procesuese drejt çastit të radhës, ngulfatur në murin e qullët të një lëkure të djersitur për të na dhënë provën jo të çmeritjes së një spektatori gjenuin, por të dështimit të një aktori në rolin e spektatorit. 

Gazetari Lela i vodhi shfaqjen kryeministrit artist, liderit me atlete dhe tumane, politikanit piktor, polemistit censor, instagramistit 18 vjeçar me dekada përvojë, votuesit shollondur me veshje si prej zengjini që ka mbetur për autostop, reformatorit virtual. Mjaftoi një ulje pantallonash për të kapur gafil kufitarin e përjetshëm të politikës së skandalit të stisur, apo skandalozin kallf të politikës. 

Ironi që një gjë e tillë vjen nga një gazetar, një qenie kaq mekanike dhe me mënyrë të menduari katrore në tokën shqiptare. 

Koli vetë nuk kishte çfarë të bënte. Apeloi për etikë, kur ne edhe sot nuk dimë nëse etika i drejtoi sytë e kryeministrit aty ku duhej: te plagët e thella të Lelës.

Kështu ai që mendonte “show is mine forever”, që është autosugjestionuar se ka primatin e Fjalës dhe polemikës në këtë vend, se shkëlqen si gur i çmuar i qytetarisë në një vend katundarësh, që e luan në vetë të parë teatrin e provokimit, u kap mat i ziu nga një rrip, një palë brekë dhe nja dy njolla në këmbët e një viktime policore. Sikur të ishte pak i gdhendur- fat i madh për ne që nuk është – z. Rama duhet të duartrokiste. Sepse duhet dinjitet edhe kur pranon humbjen dhe sinqeritet kur pëlqen shfaqjen. Dhe në atë përballje ai humbi, sepse u ndje i provokuar në platenë ku luan vetë përherë. Edhe pse është një aktor mjeran, njësoj si Neroni i dikurshëm që nga adhurimi për artet rrëshqiti në iluzionin se ishte artist i madh. Me ndihmën e duatrokitjeve të oborrit, ato duatrokitje që ia shtuan etjen e delirit derisa siç thonë dogji Romën për ta riprojektuar. Ndaj edhe e vranë. 

Këtu zullumi i Ne-Ramës është fare minor, është një miniaturë province. U prish një teatër…Ndaj edhe u ulën vetëm ca pantallona. Një gjest kaq dialektik që vrau shown e dikujt që e përjeton si realitet.

Comments

Submitted by Selim (not verified) on

Sa i poshter ky Sokol Balla. Po te kishin qene ne salle me siguri do e kishin fitu debatin ata gaxetaret por ah....
Nese do kishte qene e kunderta konkluzioni juaj do ishte i njejete. Per ju nuk ka kuptim te fitosh debatin thjesht dhe vetem se ke te drejte. Jeni te neveritshem. Ajo qe me habit eshte se jeni shume dhe te palodhshem. O zot kaq shume para paska vjedhur ky Sali Berisha? Dhe me tej perse po paguan kaq shume, nga frika apo me shpresen se do nuseroje prape?

Submitted by redaksia on

Po he pra kete i themi edhe ne: ca interesi ke qe na paguan o Sali? 

Po e gjete o Selim na e thuaj edhe neve.

Falemnderit!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.