Disa mendime mbi idenë e hetimit ndërkombëtar për Teatrin Kombëtar

Postuar në 20 Maj, 2020 02:10

Pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Presidenti i Republikës Ilir Meta në disa deklarime publike është shprehur ndër të tjera se:

Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu. Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te demokracia dhe triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë

Përtej aspektit politik, vlen për t’u analizuar nëse një hetim ndërkombëtar është i mundur apo jo në këtë rast. Pra duhet të vlerësojmë nëse deklarata e Presidentit ka gjasa të përmbushet, apo është thjesht një shfaqje e radhës. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 148, pika 1 sanksionon se:

Prokuroria ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit

Në bazë të kësaj dispozite ushtrimi i ndjekjes penale është atribut vetëm i Prokurorisë dhe i asnjë strukture apo institucioni tjetër. Edhe Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 26 datë 4.12.2006 është shprehur se:

Për sa më sipër, vlerësohet se organi i prokurorisë ka disa veçori, të cilat janë përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligj, të cilat e vendosin këtë organ në një pozitë të dallueshme nga pushtetet e tjera, dhe veçanërisht:

a) si organi i vetëm në vend që ushtron ndjekjen penale;

Pra, qartësisht ndjekja penale është atribut vetëm i organit kushtetues, të Prokurorisë dhe në asnjë rast ky parashikim kushtetues nuk mundet që të shmanget. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një komptencë shtetërore sovrane të çdo vendi. Duke qenë një kompetencë e tillë, Kushtetuta parashikon një mundësi delegimi të saj, por vetëm nën kushtet e nenit 123, pika 1 e të cilit parashikon se:

Republika e Shqipërisë, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare, u delegon organizatave ndërkombëtare kompetenca shtetërore për çështje të caktuara.  

Nga ky parashikim kushtetues rezulton se në këtë rast kompetencat shtetërore (përfshirë edhe ato të ndjekjes penale), mund të delegohen së pari vetëm organizmave ndërkombëtare dhe së dyti vetëm mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ky argument mbështetet edhe nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese e cila në vendimin e saj nr. 186, datë 23.9.2002 është shprehur se:

E konceptuar si një akt bashkëkohor që i hap udhë integrimit, Kushtetuta jonë si në frymë, ashtu edhe në përmbajtje, krijon hapësira për transferim të kompetencave kur kjo bëhet në dobi të paqes, të demokracisë, prosperitetit dhe gjithmonë, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale apo multilaterale, ku vendi ynë paraqitet si vend sovran me të gjitha atributet që i jep një status i tillë.

Pra, edhe në këtë kontekst, heqja dorë nga një kompetencë e tillë shtetërore mund të bëhet vetëm në kuadër të një marrëveshje ndërkombëtare dhe vetëm për oganizata ndërkombëtare. Në këtë rast, si norma kushtetuese dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese përjashtojnë mundësinë që kjo kompetencë t’u delegohet shteteve. Në këtë rast vetë sovraniteti shtetëror do të vihej në diskutim pasi de jure do ktheheshim në një shtet vasal. 

Përsa i përket organizatave ndërkombëtare, nga një analizë e tyre rezulton se aktualisht e vetmja organizatë që ushtron ndjekjen penale është Prokuroria pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Por kjo organizatë, ku tashmë Shqipëria është palë që nga viti 2002, heton vetëm krimet e genocidit, të luftës dhe kundër njerëzimit. Është e qartë se shembja e Teatrit Kombëtar nuk përfshihet në asnjë nga këto raste. Edhe përsa i përket Këshillit të Evropës apo Bashkimit Evropian, këto organizata nuk ushtrojnë ndjekje penale dhe nuk kanë staf të specializuar për këtë qëllim. Pra është e pakuptueshme se kush do ta realizojë këtë hetim ndërkombëtar për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Por edhe sikur të gjendej një formë apo një organizatë e tillë, përsëri sipas nenit 123 të Kushtetutës, një marrëveshje e tillë do të duhet të ratifikohet nga Kuvendi. Është e diskutueshme nësë shumica parlamentare aktuale do të pranonte mundësinë e një hetimi të tillë.

Për të kuptuar rëndësinë e argumentave të sipërcituar  dhe për të kuptuar rëndësinë që ka për sovranitetin shtetëror hetimi penal, po e ilustrojmë me një shembull konkret. Kështu, si një nga veprimet që çoi në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore është fakti se Serbia për të vetmen pikë që kundërshtoi nga ultimatumi i Austro-Hungarisë në vitin 1914, u shpreh se:

 

Qeveria mbretërore e konsideron detyrë të saj fillimin e një hetimi kundër të gjithë atyre personave që kanë marrë pjesë në krimin e 28 qershorit dhe që janë në territorin e saj. Përsa i përket kërkesës së bashkëpunimit me zyrtarët e deleguar të Qeverisë Perandorake dhe Mbretërore, kjo nuk mund të pranohet pasi cenon Kushtetutën dhe procedurën penale. Megjithatë në disa raste hetimi mund t’i njoftohet zyrtarëve austro-hungarezë.

Pra, mbrojtja e një kompetence të tillë shtetërore është shumë e rëndësishme për sovrantitetin shtetëror dhe vështirë se mund t’u delegohet autoriteteve të tjera të huaja. Për këtë arsye është e pakuptimtë kërkesa e Presidentit për një hetim ndërkombëtar, kur për më tepër dhe ai vetë nuk sqaron modelin e këtij hetimi.

ResPublica

Comments

Submitted by Avokati (not verified) on

Per saktesi, GJPN (Gjykata Penale Nderkombetare e Hages) e themeluar me Statutin e Romes (i ratifikuar me ligj nga RSH) gjykon per kater figura krimesh: genocid, krime kunder njerezimit, krime lufte dhe agresion (neni 5 i Statutit). Po te lexoni me vemendje ne internet, ka tendenca per te hetuar dhe gjykuar ne GJPN ceshtje te shkaterrimit te trashegimise kulturore ne kuadrin e veprimeve qe perbejne krime kunder njerezimit apo ne kuadrin e krimeve te luftes, kur jemi ne kushte te tilla. Pra Presidenti ka lexuar apo eshte informuar nga keshilltaret e tij pak me gjere se ne artikullin tuaj, edhe pse artikulli eshte i lavderueshem per tendencen e shterrimit te nje argumenti juridik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.