Ditë trazirash në Kosovë; shtypi i Tiranës bën qokat e përditshme

Postuar në 15 Janar, 2012 04:46

Ndër të përditshmet kryesore të Tiranës, vetëm tri kishin në fokus ngjarjet e djeshme në Kosovë. Shqipi kish për titull kryesor “Përleshje në Kosovë, pranga dhe për vullnetarë nga Shqipëria”, dhe bënte një mbulim disi të balancuar në faqen 5, ndërsa Gazeta Shqiptare kish për titull të madh “Tension në Kosovë, gaz lotsjellës protestuesve nga Tirana”. Tema, që ballinën (kështu thonë kosovarët për faqen e parë; dhe thonë bukur) ia lë rëndom një lajmi të vetëm, për sot e kish atë: reagimin e dhunshëm të policisë ndaj protestuesve. Në ndryshim nga dy të parat, gazeta e Bazes kish nxjerrë dhe një foto të madhe nga protesta pranë pikave kufitare me Serbinë.

Të përditshmet e tjera ishin tërhequr pas ngjarjesh lokale. Shqiptarja.com ia linte skenën 21 janarit, më saktë disa dëshmive të dhëna në prokurori nga ana e pjesëmarrësve në demonstratën e një viti më parë; protesta e Vetvendosjes ishte njoftuar në fund të faqes së parë. Shekulli ish thëthirë i gjithi nga një intervistë e gruas së Faik Myrtajt, që mbeti i vrarë në bulevard një vit më parë (intervistë shumë prekëse), dhe në faqe të parë asgjë ‘kosovare’, ndonëse kish rezervuar dy faqe të brendshme. Mapo kish bërë pothuaj të njëjtën zgjedhje; lajmin e Kosovës e njoftonte në faqe të parë, por në një vend mezi të dukshëm, ndërsa raportimin e kish të plotë në dy faqe të mira. Edhe për Panoramën ngjarjet në Kosovë nuk kanë qenë aq të rëndësishme sa të meritonin një vend të rëndësishëm në faqe të parë.

Është pak e çuditshme. Ajo që ndodhi në Kosovë, pavarësisht nga qëndrimi që mbajmë e pavarësisht se cilin krah mbështesim, përbënte një lajm të rëndësishëm në planin kombëtar (me jehonë ndërkombëtare). Vetëm qasja tribale (tek-tuk dhe lojrat politike) ka bërë që kjo ngjarje të injorohet nga shtypi i Tiranës.

Re.Pu.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.