Opozita politike është edhe çështje numrash...

Postuar në 05 Nëntor, 2013 16:30
Eduard Zaloshnja

Pas tkurrjes dramatike elektorale që pësoi në 23 qershor koalicioni i djathtë – zbriti në kuotën 39.5% në rang vendi – eksponentë të ndryshëm të tij kanë përsëritur shpesh refrenin se “opozita nuk është çështje numrash, por çështje cilësie e zërit opozitar”. Në fakt, cilësia e zërit opozitar do të ishte e majftueshme në kushtet e pluralizmit të mendimit, por jo në kushtet e pluralizmit politik, i cili është vendosur në Shqipëri që në vitin 1991. Sepse janë numrat ato që përcaktojnë fituesin në pluralizmin politik dhe jo cilësia e fjalëve. Gjithashtu, numrat përcaktojnë nëse shumica është e cilësuar në parlament apo jo. Gjë që është e rëndësishme për parandalimin e arrogancës së mazhorancës, ose, siç ka shkruajtur Alexis de Tocqueville në librin “Demokracia në Amerikë”, për parandalimin e “tiranisë së shumicës”.

Parë nga këndvështrimi numerik, zgjedhjet e parakohshme për Kryetarin e Bashkisë së Korçës ishin një test i pjesshëm i përkrahjes që koalicioni i djathtë ende gëzon në elektorat. Dhe numrat e asaj gare tregojnë se tkurrja e filluar në 23 qershor vazhdon.

Duke qenë një garë lokale për kryebashkiakun, pritej që pjesëmarrja në zgjedhje të ishte më e ulët se në 23 qershor, kur në lojë ishte posti i kryeministrit të vendit. Dhe në fakt, vetëm 22 mijë zgjedhës morën pjesë në votimin e 3 nëntorit, nga 35 mijë që kishin marrë pjesë në 23 qershor (një tkurrje e numrit të votuesve prej pothuaj 40%).

Secili nga kandidatët mblodhi më pak vota se sa morën në 23 qershor partitë respektive që i përkrahën në 3 nëntor. Por kandidati i majtë (Sotiraq Filo) mori 70% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë, ndërsa kandidati i djathtë (Sotiraq Stratobërdha) mori vetëm 40% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë. Dhe si rezultat i pjesëmarrjes më të ulët të të djathtëve, epërsia e majtë u rrit nga 9 mijë vota që ishte në 23 qershor, në 10.7 mijë vota në 3 nëntor.

Në krahun e majtë, u përfshi në fushatë e gjithë qeveria, me në krye Kryeministrin dhe Zv.Kryeministrin, si dhe Zyra e Rilindjes që paguante votuesit e filmuar nga Fiks Fare. Si rrjedhojë, votat e majta u tkurrën vetëm 30% në krahasim me 23 qershorin. Ndërsa në krahun e djathtë, fushatën e përballoi kryesisht kandidati Stratobërdha, me ndihmën sporadike të Gjergji Papës, Kryetarit të PD-së së Korçës, dhe të pak politikanëve vizitues të PD-së nga Tirana. Dhe rezultati, pavarsisht se ç'ndodhi me të majtën, ishte një tkurrje prej plot 60% e votave të djathta, në krahasim me 23 qershorin.

Por edhe më domethënëse se kjo shifër ishte tkurrja e votave të djathta sipas bastioneve elektorale të qytetit. Kështu, në bastionin e majtë, kandidati Stratobërdha doli relativisht më mirë se në bastionin e djathtë, si edhe më mirë se në lagjet e komunitetit egjiptian e rom (lagjet 6-8, të cilat kanë anuar gjatë viteve sa majtas, djathtas). Në bastionin e majtë ai mori 45% të votave që partitë përkrahëse të tij morën 4 muaj më parë, ndërsa në bastionin e djathtë mori vetëm 38% e në lagjet 6-8 mori vetëm 36%. Dhe një rregullsi e tillë vihet re edhe nga analiza e rezultateve qendër për qendër. Gjë që tregon se Stratobërdha si kandidat ka performuar më mirë se sa partia që e kandidoi…

Rezultatet e kësaj analize japin një mesazh i qartë. Pavarësisht nëse përsëriten zgjedhjet e Korçës apo jo (pas kërkesës së demokratëve dhe hetimit të Prokurorisë për blerje votash), që PD-ja të luajë në të ardhmen rolin e një opozite të fortë numerike në rang kombëtar, e cila mund të sjellë masivisht përkrahësit e saj në kutitë e votimit, duhet të rinovojë sa më shpejt të gjithë strukturën drejtuese, duke filluar nga kryetarët e rretheve. Zgjedhja e kryetarëve të rretheve me parimin një anëtar një votë do të hapte rrugën e daljes në krye të figurave të reja, të cilat mund të motivojnë elektoratin e djathtë për betejat e ardhshme elektorale - më e afërta është pas një vitit e gjysëm. Gjithashtu, kjo gjë do t’i hapte rrugën rinovimit të ekipeve drejtuese në rrethe, si dhe të Këshillit Kombëtar, i cili do të zgjedhë dhe ekipin e ri drejtues të PD-së.

Një ushtri e demoralizuar nuk mund të inkurajohet nga komandatë të vjetër që e kanë çuar në disfatë…

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

I vetmi shans per njerezit qe perbejne PD-ne, eshte te futen ne LSI..masivisht! Perndryshe, ne analizat statistikore te vitit 2015 do kemi krahasime te votave te PD-se me votat e Stratoberdhes  sepse me votat e PS-se do jene teper larg..

Dhe per kete e kane fajin mediat e shumta te cilat pa ndonje objektivitet dhe ne menyre spekulative kane krijuar nje neveri te theksuar ne popull per PD-ne...

Submitted by Albi (not verified) on

Keshtu me llafe ti Zalo ke te drejte, mire do ishte qe cdo post te zgjidhej me konkurim te hapur perballe bazes.

Cudi qe nuk e the nje llaf kur per 8 vjet Rama nuk beri fare keto qe thua ti, ngeli si peshku pa uje se e pa qe kishte ngelur te 40% e nuk kalonte dot me shume, e pastaj beri koalicion me LSI-ne. Dhe si e justifikoi? Jo me paaftesine e tij, edhe per shkak te drejtimit komplet autoritar te pakritikuar nga njerez si ty, po duke ja hedhur fajin popullit qe nuk e votonte ate ne mase.

Edhe PD-ja nuk ka per te bere hic fare keto qe thua ti, do mbyllet ne guacken e saj, do ruaj status-quone e 2B-ve ne krye. Dhe do prese..... do prese qe Likja te merzitet me Ramen te kaloj prap krahun. E kur Likja te vendose te kaloj prap krahun, gjithe pazarxhinjte e PS-se do kalojne me ate per te ruajtur vendet e tyre.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.