Gegë e toskë si stereotipa

Javët e fundit mediat dhe sidomos rrjetet sociale u përmbytën nga një diskutim kakofonik për gegët dhe toskët. Sebep u bë libri “Unë jam gegë” i Mustafa Nanos, por përtej librit, duket se si shkak kryesor i kësaj kakofonie shërbeu fakti që etnonimet gegë dhe toskë nuk u përdorën si kategori sociale por si stereotipa.
1.
Për të mos e lodhur lexuesin me përkufizime abstrakte le të nisemi nga një situatë reale. Rasti e sjell që në pushimet e verës të kem fqinj Veton Surroin. Vetoni ka lindur dhe është rritur në veri të Shkumbinit, ndaj është gegë, kurse unë jam toskë se vij nga territoret në jug të këtij lumi. Të dy shkruajmë shqipen standarde, por në të folur unë përdor elementë toskë, kurse Vetoni përdor disa trajta të shqiptimit gegë. Deri këtu jemi në rrafshin e kategorive sociale; në rastin e parë klasifikojmë mbi kritere demografiko- gjeografike, kurse në të dytin mbi kritere gjuhësore d.m.th. dialektore. Nëse Vetoni do të më quante mua toskë, dhe unë atë gegë s’do të kishte kurrfarë shqetësimi, klasifikimi bëhet mbi bazën e disa kritereve që ekzistojnë realisht.
Por kur ndarja në gegë e toskë bëhet mbi tipare të supozuara si: njeri trim e tjetri i zgjuar, njeri qejfli armësh e tjetri qejfli paresh, njeri luftëtar e tjetri propagandist, njeri poetik e tjetri prozaik, i pari i drejtpërdrejtë kurse i dyti dinak dhe të tjera supozime të këtij lloji, nuk operojmë më me kategori sociale, por me stereotipa, d.m.th. me klasifikime që në rastin më të mirë janë thjeshtëzime, kurse në shumicën e rasteve – abuzime.
Kategoritë sociale kanë si funksion kryesor njohjen, studimin objektiv të bashkësive ndaj mbështeten mbi tipare reale dhe mundësisht të matshme. Stereotipat e thjeshtëzojnë, madje shpesh edhe e nëpërkëmbin realen. Ndodh kështu ngaqë nuk kanë për funksion kryesor njohjen/studimin, por plotësimin e disa nevojave psikologjike e sociale të ligjëruesit, të tilla si stima për veten, krijimi i një sistemi vlerash dalluese për grupin, forcimi i kohezionit, gjallërimi i solidaritetit brendagrupor etj.
Këto nevoja kënaqen më lehtë kur kontrastojnë me ato të grupit tjetër. Kështu, nëse ne duam të bëhemi më punëtorë, të tjerët i perceptojmë si dembelë; nëse duam të kultivojmë dijen e arsimin, të tjerët duhen paraqitur si injorantë, jo se janë doemos të paditur, por se kështu na hyjnë më shumë në punë, na bëhen më të dobishëm. Thënë shkurt, stereotipat idealizojnë “ne” dhe demonizojnë “të tjerët”, ndaj psikologët socialë i klasifikojnë në një treshe që veç tyre përfshin edhe paragjykimet e diskriminimin. Ç’është më e keqja, stereotipat priren të aktivizohen mekanikisht duke nxjerrë jashtë loje filtrat logjikë, etikë etj.
2.
Etnonimet, si kategori sociale që shenjojnë bashkësi etnike, krahinore etj. kanë një prirje të brendshme të kthehen në stereotipa. Gegë e toskë nuk bëjnë përjashtim, madje e kanë edhe më të spikatur këtë prirje. Ndodh kështu, ngaqë veç faktorëve psikologjikë e socialë që sapo përmendëm, në rastin gegë-toskë veprojnë edhe disa faktorë ligjërimorë, sidomos nga rrafshi i semantikës.
Parë në rrjedhën e kohës kuptimi i etnonimeve gegë dhe toskë ka prirje të ngushtohet e të specializohet. Në ligjërimet e sotme përdoren kryesisht si terma etnografikë e gjuhësorë ose si historizma. Flasim rëndom për dialekt gegë e dialekt toskë, për veçori antropologjike, për doke e zakone të gegëve e të toskëve etj. etj.. Në të gjitha këto raste i përdorim dy emërtimet si terma disiplinash specifike. Kur i përdorim si historizma, fjalët gegë e toskë nuk emërtojnë shqiptarët e veriut apo ata të jugut si bashkësi esencialiste, por vetëm gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë. Ata që jetonin përkatësisht në veri dhe në jug gjatë kohës së Rilindjes Kombëtare dhe më herët.
Në këtë kontekst është krejt e kuptueshme pse Eqrem Çabej do t’i përmendte gegët e toskët, gjegjësisht gegërishten dhe toskërishten, shumë më shpesh se Aleks Buda, dhe kjo nuk lidhet me sinqeritet të njërit apo “hipokrizi akademike” të tjetrit, por me faktin se në gjuhësi, etnografi etj. këto emërtime vazhdojnë të shërbejnë si instrumente analize, kurse në histori e kanë bjerrur saktësinë e instrumentit.
Nëse ligjërimi shkencor i ngushton dhe i specializon kuptimet gegë – toskë, ligjërimet e tjera, nisur nga i ai bisedor e deri tek ai mediatik, priren t’i shmangin dhe t’i zëvendësojnë. Edhe gjyshja ime, ashtu si gjyshja e Mustafa Nanos nuk thoshte kurrë se ishte toskë. Madje kjo imja ishte thuajse e detyruar që të vepronte kështu, ndryshe mund të ngrihej gjyshi lab e t’i gërmushej: Ç’të lidhka ty me kërcikuqtë e përtej Vjosës? Tradicionalisht në ligjërimin e lebërve, toskët kanë qenë jo aq shqiptarët e jugut, sa banorët matanë Vjosës.
3.
Lënë mënjanë humorin, tensionet që u shfaqën në diskutimin kakofonik të javëve të fundit burojnë nga fakti që as Nano dhe as shumica e diskutantëve nuk respektuan këto prirje ligjërimore, por u munduan që arbitrarisht t’i paraqesin gegët e toskët si kategori esencialiste, rrjedhimisht të përjetshme, të ngurtësuara madje shpesh edhe të cunguara.
Cungimi bie në sy sidomos në riciklimin e stereotipit që i paraqet gegët si popullsi malesh e trevash të izoluara, larg traditave urbane e civilizuese. Kemi të bëjmë me një stereotip që i ka embrionet në ngashënjimet orientaliste të albanologëve të hershëm dhe që u trash me sanksionimin e kufijve të 1913-ës, kur Gegëria u nda mëdysh dhe nuk përbënte më një bashkësi unike, sidomos në rrafsh politik e administrativ. Jashtë kufijve mbetën qytete si Ulqini, Tivari, Gjakova, Prizreni, Mitrovica, Shkupi, Manastiri, etj, aq të rëndësishme për historinë e shqiptarëve. Nëse sot flet për gegë e Gegëri dhe i sheh të lidhur vetëm me traditat fisnore, ke dhunuar keq realitetin; duke mbetur rob i një stereotipi të qëmotshëm, ke mohuar një traditë urbane sa të pasur aq edhe të çmuar për çështjen kombëtare.
Ligjërimi i sotëm shqip i të gjitha rrafsheve, informale a formale qofshin, flet pa kurrfarë kompleksi a tabuje për ndarjen e madhe të shqiptarëve, vetëm se në vend të bigëzimit gegë-toskë, përdor të tjera, më neutrale dhe me më pak konotacion si veri-jug, verior-jugor etj.
Përpjekjet për të ricikluar doemos bigëzimin e vjetër gegë-toskë, në një kohë, kur ai është specializuar për shërbime të tjera, krijon tension në rrafsh ligjërimor, kurse në rrafsh psikologjik dhe ideologjik gjallëron stereotipa të vjetër që herët a vonë ndiqen nga sivëllezërit e tyre: paragjykimet dhe diskriminimet. Shenjat i dha edhe diskutimi i javëve të fundit që herë pas here përmendte tosq e lepër, gegë e sapun duke sjellë në sipërfaqe të ligjërimit publik kutërbime moçalesh provinciale.
Mapo
Comments
Lexoni ju placin syte, ju

Lexoni ju placin syte, ju turma e gjysme te shkolluarve gati analfabete qe shkarashkruani dite e nate.

Faleminderit Capajev, qenke sic ke emrin!

Falemnderit, zoti Gjokutaj.

Falemnderit, zoti Gjokutaj. Me pak fjale ke sqaruar nje keqkuptim te madh, absurd e do te thoja te rrezikshem. Kush nuk do te kuptoje eshte i lire te broçkullise sa te doje......ky shkrim i shkurter vlen shume me teper se sa libri i zotit Nano, ani pse nuk sjell aq para'.

Z.Gjokutaj, pranoni

Z.Gjokutaj, pranoni pergezimet e mia me te ndjera per kete gjykim racional, te argumentuar dhe paqetues ne lidhje me kete debat qe keqperdoret prej mese dy dekadash. Fetishi mbi komentet e udhetareve te huaj dhe leximi i vetes shpesh vetem si refleks i vleresimit nga "te panjohurit" e ka shnderruar studimin e munguar antropologjik shqiptar ne nje djerrine arsyetimesh te motivuara vetem mbi baza vete-perbuzese. Edhe njehere ju falenderoj per kete perpjekje te peshuar mire.

Nje shkrim qe permbledh me te

Nje shkrim qe permbledh me te drejten e personalitetit te kritikes per tu shprehur dhe orientuar lexuesin e hutuar dhe ate qe pelqen realitetin, se si te konceptohet nje krijim i kategorise publicistike.

Nje kritike mjaft e qelluar dhe me vlere edhe per te tjeret si nje guide orientuese.

Te lumte!

sipas meje eshte nje kritike

sipas meje eshte nje kritike e sintetizuar ne pak rrjeshta dhe e shprehur me nje thjeshtesi brilante. fjala stereotip eshte fjala kyce qe zberthen gjithe mekanizmin antropologjik vulgar qe Muci ka perdorur per te na dhene ndoshta nje proze poetike, por jo nje ese.

Por Muci ka pasur kujdes te mos pozicionohet asgjekundi dhe si rrjeshim te jete i pa cenueshem dhe i pa kapshem.

sipas meje eshte nje kritike

sipas meje eshte nje kritike e sintetizuar ne pak rrjeshta dhe e shprehur me nje thjeshtesi brilante. fjala stereotip eshte fjala kyce qe zberthen gjithe mekanizmin antropologjik vulgar qe Muci ka perdorur per te na dhene ndoshta nje proze poetike, por jo nje ese.

Por Muci ka pasur kujdes te mos pozicionohet asgjekundi dhe si rrjeshim te jete i pa cenueshem dhe i pa kapshem.

Gjithe keta te SOROS-it

Gjithe keta te SOROS-it dalin te civilizuar, jo-nacionaliste, gati gati internacionaliste dhe, do ti qe

nuk merziten e nuk u mbetet hatri kurre?!

Jo me Vetoni e Soroistet e tjere te Tirones, Prishtines e Shkupit, por tane te financuarit prej Filan-Tropit

te madh qe u martua serish se fundi, duke perfshire edhe nje lab safi si Capajevi, duhen mbajtur me pekule e

dashuri se mezi i krijoi Koha...

Ne radhe te pare desha ta

Ne radhe te pare desha ta uroj Mustafa Nanon per iniciativen per te folur per dicka qe eshte folur gjithnje nen rogoz .Ndjehem shume i lumtur qe nje njohes i mire i shqiperise se veriut si Z.Capajev ngrihet kunder kesaj gangrene te keqe qe ka krijuar nje hendek irracional dhe te padurueshem ne zonat e interesave sic jane kryeqyteti plazhet zonat e preferuara Aty shohim qe te gjithe nuk ngurrojne ti tregojne origjinen c do njerit qe u prek sadopak interesin . shpresoj te hapet sa me shume ky debat qe njerezit ta kuptojne se kane humbur shume kohe me keto paragjykime qe nuk sjellin asgje te mire

Add new comment