Për Sofien e disa turpe në Durrës

Postuar në 06 Tetor, 2013 15:06
Kristi Pinderi

Nuk e njoh shumë mirë punën e Bashkisë së Durrësit, por di të them që si edhe gjithë shqiptarët e tjerë, më trishton ai qytet i katandisur në një rrëmujë të llahtarshme urbane. Dhe në mes të një rrëmuje dhe babëzie të tillë, ata që humbasin janë qytetarët më të pazotë dhe më të vetmuar.
E besoj Dor Matline kur thotë se kryetari i bashkisë Dako kishte thënë se znj. Sofie Qendro dhe nipi i saj që flinin në lulishte prej 6 javësh ishin turpi i qytetit. Nëse një kryetari bashkie nuk i duket turp rrëmuja urbane e shëmtuar që ai ka lejuar në qytetin e tij, por i duket turp fatkeqësia e dy të moshuarve të lindur e rritur në Durrës, atëherë unë do të thoja se këtu kemi të bëjmë me një turp të madh. Por ky turp është vetë Vangjush Dako!
Avokati i Popullit sot akuzoi ish kryeministrin Berisha që me një vendim të tij kishte urdhëruar daljen nga banesat sociale të qytetarëve dhe kthimin e tyre te pronarët.
Një shtet ka për detyrë kushtetuese të marrë vendime që respektojnë të drejtën e pronës.
Por po ky shtet ka për detyrë kushtetuese të respektojë të drejtën e qytetarëve të tij për strehim. Eshtë e habitshme si sa herë ka vendime anti kushtetuese, sistemi i pamëshirshëm shqiptar funksionon për së miri: qeveria vendos, pushteti lokal miraton në heshtje. Disa njerëz përfitojnë, disa të tjerë vdesin pastaj në lulishte… Nga ana tjetër ambienti social, i shoqërisë civile dhe solidariteti është zero.
E moshuara nuk merrte as pensionin. Dita raporton se i kishin humbur dokumentat e pensionit (!) Jetonin me pensionin e të nipit. A nuk është turp që në ditët e fundit të jetës një 87 vjecare pasi ka dhënë gjithë kontributin e saj për këtë vend të katandiset deri në këtë pikë?
Po ka disa turpe. Që të gjitha të përmendura në këtë shkrim. Por asnjë prej tyre nuk ka të bëjë me Sofien. Fakti që ajo jetoi në stol dhe në këto 6 javë pati kurajon qytetare të flasë dhe në media për fatkeqësinë që e kaloi në vetmi, nuk e bën e bën me turp, por i jep dinjitetin që ia mori qeveria, pushteti vendor, institucionet, shoqëria civile dhe pse jo, e gjithë shoqëria shqiptare në krizë dhe e paaftë për të treguar solidaritet.

Comments

Submitted by anonim (not verified) on

<p>Normalisht kryetari i bashkise duhet te jepte doreheqjen,dhe avokati i popullit te hapte proces per denimin e fajtoreve</p><p>por Rilindja duket se eshte e pamundur ne rrumpallen berishiane.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.