Historiani Kaser: “Në Tiranën e 1987 s’më fliste askush, kishin frikë nga burgu”

Ai ishte 33 vjeç atëherë. Për Shqipërinë vetëm kishte dëgjuar. Ishte i majtë, por i zhgënjyer nga format e socializmit që kishte parë deri më atëherë, shpresonte që në Shqipëri të gjente versionin perfekt. Në vitin 1987, Karl Kaser, historian i ri asokohe i Europës Juglindore, shfrytëzoi një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe ngurrimin e gjithë kolegëve të tij për të ardhur në vendin e vetëm komunist e ateist në botë. Gjithçka pa gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shqipëri ai i hodhi në ditar. Socializmi që gjeti në Shqipëri, ishte makth. Nuk u besonte dot syve, kur shihte një vend në varfëri ekstreme. Njerëz të veshur keq, që nuk guxonin t’i flisnin, pasi kishin frikë se dënoheshin, mungesa e etikës, hotelet, restorantet, rrugët, pallatet… gjithçka dukej si një kthim pas në kohë. Sipas Kaser, të paktën gjysmë shekulli më pas. E megjithatë, Kaser u kthye edhe në vitin ’88, ’89… deri në ’92-shin, çdo vit nga 2-4 javë, duke parë nga afër ndërrimin e sistemeve në Shqipëri. Shënimet e tij, të mbajtura më shumë se 20 vjet më parë, ai i ka botuar tashmë. “Shqipëria njëzet vite më parë- kujtimet e një historiani austriak” janë përfshirë në botimin më të fundit të Qendrës së Studimeve Albanologjike “Shqipëri-Austri: Reflektim historiografik”. Sot, jo vetëm pedagogu i Universitetit të Vjenës, Karl Kaser, por edhe vetë shqiptarët kanë mundësinë të ballafaqojnë veten me atë çka ka qenë Shqipëria përpara 20 e ca vjetëve. Alma Mile
Në moshën 33-vjeçare, në bazë të një marrëveshjeje zyrtare mes Shqipërisë dhe Austrisë, unë vizitova për herë të parë Shqipërinë në nëntor 1987. Deri në 1998, u riktheva në këtë vend thuajse çdo vit, më së shumti dy deri në katër javë çdo herë. Pas kësaj, vizitat e mia kanë qenë më sporadike. Yshtja fillestare për vizitat e mia të para ishte të familjarizohesha me një vend të cilin e kisha njohur vetëm përmes librave dhe nga transmetimet televizive të ndeshjeve të futbollit, ku mund të shihej stadiumi “Qemal Stafa” dhe mali i Dajtit në sfond. Si një historian i Europës Juglindore, qëllimi zyrtar u vizitës sime në 1987 dhe në vitet që pasuan, ishte studimi i kulturës historike dhe asaj bashkëkohore. Më duhet të pranoj se ekzistonte një motiv i tretë: aventura. Të vizitosh një vend të mbyllur jashtë rrugës zyrtare të AlbTurizmit përbënte një sfidë të veçantë, meqë asnjë nga kolegët e mi nuk ishte i interesuar për këtë vend misterioz që pretendonte të ishte i vetmi vend socialist dhe i pari vend ateist në botë. Si historian, e kam shumë të qartë që kujtimet mundet fare mirë të mashtrojnë. Kujtimet e mia patjetër që nuk bëjnë përjashtim. Kujtimet e mia ndikohen nga jeta ime e së tashmes dhe nga pozitat e mia sociale, si dhe nga zhvillimet e shumta që ndodhin ndërkohë. Sidoqoftë, kujtimet e mia mbështeten në dokumente të shkruara. Këto përbëhen nga ditari im personal, të cilin e fillova gjatë vizitave të mia të para, si dhe nga dy artikuj që kam publikuar ose bashkëpublikuar në 1990 dhe 1991 në Austrian Journal. Përveç këtyre, janë edhe dy libra, të cilët unë i redaktova në bashkëpunim pas udhëtimeve të gjata të punës në terren në rajonin e Abatit në Shqipërinë e Veriut në 1993-shin dhe në rajonin e Fterrës, në Shqipërinë e Jugut, në 1998. Kujtimet e mia duhet të lexohen, së pari, nëpërmjet këndvështrimit tim si një historian “objektiv”, por kjo, së dyti, nuk do të thotë se unë nuk kam bindjet e mia politike. Dua të rrëfej se kam qenë pjesë e kampit të majtë në Austri qysh në fillimet e mendimit tim politik dhe e gjeta më në fund veten në këtë drejtim si pjesë e Partisë së Gjelbër, anëtar i së cilës kam qenë për shumë vite. Kam qenë gjithmonë armik i socializmit të vërtetë, por edhe i demokracisë sociale. Socializmi i vërtetë ishte çnjerëzor; demokracia sociale u vinte tepër për shtat partive borgjeze, të paktën ky qe përfundimi i mendimit tim politik në ato vite. Në fazën e parë të përvojës sime në Shqipëri, kisha shpresa të mëdha për prakticitetin e një rruge të tretë mes socializmit të vërtetë dhe demokracisë sociale të vërtetë. Më duhet ta pranoj se nuk qe veçse një iluzion; edhe Shqipëria më zhgënjeu.
Pavarësisht shënimeve që kam mbajtur, përafërsisht gjatë periudhës 1987-1992, ndihem i paaftë të ofroj një përshkrim koherent të vrojtimeve të mia gjatë këtyre viteve. Ndaj, vetëm sa do të citoj nga ditari në fjalë dhe nga artikuj të sipërpërmendur…
12 nëntor 1987:
Kontakti im i parë me tokën shqiptare në aeroport. Aeroporti është i lezetshëm; miq dhe të afërm po presin udhëtarët në cep të pistës. U prita nga një përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, një shofer dhe një fiat ngjyrë blu. Përshtypja ime e parë rrugës për në Tiranë: një vend shumë, shumë i varfër dhe një popull shumë, shumë i varfër; mjetet kryesore të transportit janë kuajt dhe qetë. Më vendosin në geton e Hotel Tirana. Getoja e dytë për të huajt është Hotel Dajti. Dua të futem në një kafene publike, por njerëzit më bëjnë të ditur se nuk jam i mirëpritur. I gjithë qyteti është një zonë këmbësorësh; makinat pothuajse nuk ekzistojnë, dhe ka vetëm dy semaforë. Shëtis përgjatë kryeqytetit të Shqipërisë, që zor se ka ngjasim me një metropol. Meqë kam ardhur nga Austria, kam ndjesinë se kam zbritur në tjetër planet. Duket se sikush më ka kthyer mbas në kohë me të paktën gjysmë shekulli. Fillon dhe kupton një gjë të tillë tek pamja dhe veshjet e popullsisë. Moda nuk ekziston. Veshjet i përkasin një tjetër epoke, po ashtu edhe modelet e flokëve. Askush nuk të bie në sy. Deri më tani nuk më ka zënë syri ndonjë femër që do ta quaja tërheqëse. Çapitem rrugëve; njerëzit ndërrojnë drejtim përballë meje, por m’i ngulin sytë sikur të kem ardhur nga tjetër planet. Ndihem i palumtur. Më e keqja është se nuk mund të flas dot me njerëz të thjeshtë, vetëm me zyrtarë dhe kolegë nga Akademia. Më vonë zbulova se ata që flasin me të huaj, mund të dënohen deri në shtatë vite burgim. Situatë e pashpresë! Sidoqoftë, gjërat nuk janë aq bardhë e zi. Momenti kulminant në këtë drejtim janë tri vajza të reja në rrugët e Tiranës, studente pa dyshim, të cilat më kalojnë pranë. Njëra prej tyre më hedh sytë, “Si jeni?” më flet në anglisht. Ato qeshin dhe ia mbathin me vrap.
13 nëntor 1987:
Përshtypja ime më dramatike për ditën e sotme ishte të vrojtoja mënyrën e të ngrënit të klientëve shqiptarë në Hotel Tirana. Uou! Thikat janë komplet të panevojshme! Garnitura shërbehet e prerë në copa të vogla dhe mund të përpihet thjesht me pirun. Të përpihen është shprehja e duhur! Po kështu, thikat nuk janë të nevojshme as për konsumimin e mishit. Shqiptarët i ngulin pirunin biftekut dhe i fusin një kafshatë gjithë copës së mishit. Në fakt, kjo është metoda më delikate. Për metodën më pak delikate, piruni gjithashtu nuk nevojitet. E marrin bërxollën me dorën e djathtë dhe e gllabërojnë kafshatë pas kafshate. S’po u besoj syve!
Shërbimi në hotel ishte disi i çuditshëm, sidomos në mëngjes. Kamerierët kanë zhvilluar një mënyrë specifike për të shmangur klientët. Një ditë, ata më injoruan për më pak se gjysmë ore. Në fund, mora iniciativën dhe shkova në kuzhinë për pak gjalpë dhe djathë. Kjo po që i preku në sedër. Ata filluan të më shërbejnë.
Takoj një inxhinier italian telefonash në lobin e hotelit, i cili gjithashtu po qëndron në Hotel Tirana. Ai flet vetëm italisht dhe italishtja ime lë për të dëshiruar. Ai është përgjegjës për përmirësimin e linjës telefonike Tiranë-Shkodër. E ka zënë dëshpërimi. Çdo ditë më tregon histori të reja mbi moralin e punës, ata e kanë zakon të braktisin vendet e punës dhe të shkojnë për të bërë pazar ose gjëra të tjera personale. Inxhinieri italian ka krijuar një formë specifike sarkazme për t’i mbijetuar situatës.
15 nëntor 1987:
Vizitë në Krujë. Përshtypje të tmerrshme: fëmijë të pisët këmbëzbathur dhe me të shkurtra; barinj delesh dhe burra të veshur me rroba të vjetra, pantallona dhe xhaketa të ngrëna si mos më keq, ulur mbi bordurat e ndyra të rrugës, gra të mbuluara; për më tepër, këpucët janë të paimagjinueshme. Në njërën anë, shtysa e parë është t’i fotografoj; në anën tjetër, më pështiroset kjo ide: trajtimi i varfërisë si kuriozitet. Për më tepër, përballë shoqëruesit tim të ri, i cili është akoma një komunist i bindur, nuk dua të sillem si një kapitalist tipik që komenton varfërinë në të vetmin vend në botë me socializëm të vërtetë.
Në mbrëmje jam përsëri në dhomën time në Hotel Tirana: Ashtu i vetëm, bluaj me mendje “fytyrën e vërtetë” të komunizmit shqiptar. Duke u mbështetur edhe në përshtypjet e ditëve të kaluara, shkruaj në ditar: Përshtypjet që kemi në Perëndim për Shqipërinë komuniste, janë plotësisht të gabuara dhe çorientuese. Beteja ideologjike që Partia Shqiptare ndërmerr kundër “revizionistëve”, “eurokomunistëve” etj., të japin përshtypjen se Shqipëria është një shtet socialist me zhvillim të lartë, madje dhe ideologjikisht. Këto janë gjepura! Ta nisim me faktin që “Zëri i Popullit” nuk është ai organ i madh i shtypit dhe me zor boton katër faqe çdo ditë të javës. Ata që besojnë se shqiptarët përputhen ideologjikisht me partinë e tyre, gabohen tmerrësisht. Mjafton të vizitosh fshatrat; aty nuk të mirëpret socializmi, por tradicionalizmi, më së shumti ai islamik… Moska, Pekini, euro-komunizmi, revizionizmi – kam përshtypje se këto gjëra nuk kanë kurrfarë rëndësie për jetën e përditshme të shqiptarëve. Po kështu, kulti i supozuar i Stalinit në vend nuk është aspak i vërtetë. Në sheshin kryesor të Tiranës gjejmë vetëm monumentin e një personaliteti, Skënderbeun, jo Stalinin. Deri tani më kanë zënë sytë vetëm dy buste të Stalinit në Tiranë – pa asgjë, as edhe ndonjë shkrim simbolik.
Përtej pallavrave ideologjike, mendoj se PPSH ka dy synime të vërteta:
1.Të fitojë luftën kundër varfërisë dhe, në lidhje me këtë, luftën kundër tradicionalizmit, i cili është i rrënjosur thellë. Në të dyja drejtimet, të paktën kjo është përshtypja ime, PPSH ka dështuar.
2.Ruajtja e sovranitetit të vendit dhe kapërcimi i mungesës së zhvillimit duke u mbështetur në burimet e brendshme. Kjo është përkufizuar ideologjikisht duke e shpallur Shqipërinë vendin e vetëm socialist në botë (s’ka taksa, shërbime sociale janë falas për të gjithë etj.). Gjithsesi, socializmi shqiptar është primitiv, i mbështetur në një shoqëri të pazhvilluar. Socializmi shqiptar nuk mund të funksionojë në një shoqëri të zhvilluar. Dhe ky lloj socializmi mund të funksionojë vetëm për aq kohë sa vendi mbetet i izoluar. Sapo vendi të hapë dyert e tij për botën e jashtme, sistemi i bukur do të shkërmoqet. Në të njëjtën kohë ky izolim do të kthehet në problemin më të madh të vendit. Një gjeneratë e tërë rritet totalisht e fokusuar mbi vendin e saj, pa asnjë ide mbi Europën. Nga ana tjetër, kemi përpjekjen tërheqëse, që ka të bëjë me tejkalimin e mungesës së zhvillimit duke u mbështetur plotësisht në burimet brenda vendit. Shqipëria nuk merr asnjë hua zhvillimi nga organizatat ndërkombëtare. Nëse ky model do të kishte sukses – për këtë kam dyshimet e mia – atëherë do të kthehej në model shembullor për të gjithë Botën e Tretë. Përpjekja është mbresëlënëse, por historia na mëson se kjo përpjekje nuk ka nevojë për PPSH-në dhe ideologjinë e saj.
17 nëntor 1987:
Vizita e dytë në Muzeun Kombëtar. Në fakt është diçka interesante. Por, nëse do e kisha ditur që kati i tretë i muzeut i është kushtuar plotësisht Luftës Nacionalçlirimtare, nuk do të kisha shpenzuar kaq shumë kohë me periudhën otomane. Gjithë-gjithë, kanë kaluar gjashtë orë dhe kemi shumë për të parë.
E gjej të vështirë orientimin nëpër Tiranë. Të gjitha blloqet me apartamente ngjajnë njësoj, çdo rrugë si rrugët e tjera. Sinjalistika rrugore thuajse mungon, ndaj dhe humbas shpeshherë rrugën.
18 nëntor 1987:
Pogradec, buzë liqenit të Ohrit. Qyteza mbahet si një destinacion i famshëm turistik. S’e kuptoj pse. Më depresionin. Hoteli “Ylli i Kuq” i AlbTurizmit është një marrëzi e vërtetë! Turistët kanë kohë që kanë firuar dhe hoteli është hapur për publikun. Restoranti duket si ndonjë stacion treni. Porosis peshk dhe verë të kuqe të markës “Skënderbe” dhe jeta ime fiton balancën e saj. Korçë: Hoteli është më se rural, ambienti i restorantit është shumë elegant, më se i përshtatshëm për “delegacionin austriak”. Me sa duket, Korça është e famshme për birrën e saj…
21 nëntor 1987:
Jemi nisur për në Shkodër. Ka dy-tri ditë që bie shi. Është e qartë që fushat nuk kanë sisteme drenazhimi, ndaj dhe janë përmbytur. Punëtorët e autokombajnave përpiqen më kot të hapin kanale drenazhimi përmes fushave të mrekullueshme – gjithçka bëhet me dorë. Një volum i jashtëzakonshëm pune. Në Shkodër vizitojmë një pallat sporti me harqe – ish-katedralja katolike. Mbyllja e katedrales në 1967-n, më shpjegon shoqëruesi, erdhi si rezultat i nismës “spontane” të rinisë dhe Partisë iu desh të përgjigjej. Në Shkodër, sidomos, situata duhet të ketë qenë e jashtëzakonshme, sepse klerikët (1) mbaheshin si bashkëpunëtorë të ngushtë me reaksionarët, (2) italianët dhe (3) CIA-n. Me sa dukej, të gjithë reaksionarët paguheshin nga CIA për të provokuar kundër-revolucion. Partia duhej të kundërpërgjigjej dhe a mund të kishte mënyrë më të logjikshme se të deklaroheshe “shteti i parë ateist në botë” dhe të zhdukje klerikët?
23 nëntor 1987:
Që në mëngjes është programuar një vizitë nderimi në varrin e nderuar të Enver Hoxhës. S’jam aspak entuziast, por unë jam një “delegacion” zyrtar dhe s’kam si të refuzoj. I armatosur me një kurorë me lule, më prijnë për te varri pranë monumentit Nëna Shqipëri, i cili ruhet nga rojet e nderit. Unë kam veshur xhinse, një xhaketë dosido dhe këpucë të përditshme, por sillem “me shumë respekt”. Në fakt po argëtohem.
25 nëntor 1987:
Vizitë në ekspozitën e përhershme “Shqipëria sot”. Aty prezantohen arritjet e masave shqiptare dhe rezultatet më të fundit të prodhimit industrial shqiptar. Më duket sikur po vizitoj një muze industrial. Nuk arrij ta besoj që këto mallra sapo janë prodhuar. Konkluzionet e vizitës sime: socializmi i vërtetë që ekziston në Shqipëri, është një makth i vërtetë! Dua të ulërij me sa më ha gurmazi: Rroftë kapitalizmi i stilit austriak! E vërteta është: Partia e ka shpërndarë varfërinë në mënyrë të barabartë mes shqiptarëve, me përjashtim të nomenklaturës. Kjo është arritja më e madhe e shokëve shqiptarë. Nëse njerëzit në Bashkimin Sovjetik apo në Kinë nuk do të kishin shpenzuar kaq shumë për Shqipërinë, vendi nuk do të kishte reshtur kurrë së ekzistuari. Pavarësisht kësaj, Shqipëria zyrtare është krenare për arritjet e saj. A e di partia që qeveris vendin më të varfër në Europë? Zyrtarisht, ajo nuk e krahason Shqipërinë me vendet e tjera europiane. Ajo krahason shifrat e prodhimit të kohës me ato të erës së Zogut. Normalisht që ky krahasim rezulton një arritje fantastike. Është e qartë se këto shifra janë të pakrahasueshme; mjafton të përmendim faktin që Zogu pati vetëm një dekadë kohë për të eksperimentuar, PPSH ka pothuaj gjysmë shekulli. E vërtetë që partia e nisi nga zero në 1944! Megjithatë, arritjet janë zhgënjyese. Shpallja e ateizmit sigurisht që nuk është një arritje e madhe. Pastaj, zgjidhja që Qemal Ataturku i dha problemit të fesë, në kushte shumë më të vështira, ishte shumë më bindëse. Përtej kësaj, shteti ateist nuk është veçse një fshat Ptemkinas. Kam përshtypjen se në përgjithësi sjellja tradicionale nuk ka ndryshuar. E vetmja dukuri pozitive për mua është fakti i dukshëm se Partia kërkon mënyrën e saj për të tejkaluar mungesën e zhvillimit.
Vijon nesër
Marrë nga Panorama
Comments
Si ka mundesi qe autori te

Si ka mundesi qe autori te mos kete zbuluar "mrekullite" e arritjeve te sistemit te Enver Hoxhes, madje edhe zonat rreth Shkodres ishin gjitmone te permbytur nga shirat?

Cudi qe nuk i qenkan sulur akoma enveristet e blogut me te famshmet: poliagjent, spiun, diversant, reaksionar etj etj.

Keto pamje retrospektive, te bere sidomos nga studjuesit e huaj, japin nje kuader tragjik te situates se vendit ku njerezve tashme nuk u bente pershtypje ajo jete e perditshmen ne kufijte e absurditetit.

gjon poliagjentët i kishim

gjon

poliagjentët i kishim zhduk në atë kohë!!i kishim në "radhët tona"!

kurse përmbatjet më duket se i ngatërron!!ato fillian në masë kur 1m3 akull shëndrrohej në 4m3 ujë!!a,dhe pas prishjes së hidrovorëve,nga patriotët e sali berishës!!

UNE E MBAJ MEND KETE XHAXHIN

UNE E MBAJ MEND KETE XHAXHIN .I KERKOVA XHAMCAKEZ,por ai me tha MOS ME FOL SE i THEM POLICIT te te fuse ne burg.UNE JAM I HUAJ>>>>>>>>>

Ky eshte burri i tezes se

Ky eshte burri i tezes se Shmitit, ishte pikerisht ky i ngjalli jo vetem pasionin per te verteten historike po sidomos dhe ne menyre te vecante per vete Shqiperine. Keta djemkat austriake na kane bere vertete borxhli...dhe Respublica ben c'ben i shperblen here pas here me ndonje publikim.

Po boll o burrat e dheut se na i bete zi fare, gjeni ndonje qe flet ndonje fjale te mire edhe per ne.( po s'gjetet me thoni se iu a gjej une)

Njatjeta ....

Dhe ne te huajt i mesojme

Dhe ne te huajt i mesojme shqiptaret ti fusin ne burg shqiptaret qe kerkojne xhamcakiz.se une jam i huaj

A thua se ne nuk i dime keto

A thua se ne nuk i dime keto gjera, kemi mbetur te na i tregojne nga jashte! Kaq te eket e kemi kujtesin!!!

Ky rrota e historianit,

Ky rrota e historianit, bashkëmoshatari im, kërkonte budallenj e budallaqe, me të cilët të shkëmbente biseda, të pinte ndonjë gotë e mundësisht, të bënte me ndonjërën edhe pak seks. Por ama, e paska kuptuar që nuk ishim dhe aq budallenj. E kush ishte ai budalla në atë kohë që nuk e dinte se po komunikoje me të huaj, shkoje për lesh. Unë, rasti e solli që po dilja nga 15-katshi dhe dikush më pyeti anglisht se ku ishte banka për konvertim valute. Dy ditë rresht m'u desh të jepja shpjegime se pse ju përgjigja dhe çfarë i thashë, ndonëse nuk ndalova dhe vazhdoja të ecja. Shpëtova paq se një xhaxhai im kriminel kishte qenë partizan.

Oooo po ti qenke o Bajo

Oooo po ti qenke o Bajo fshehuri ? Ate xhaxhane tend kriminel e ke patur ballist me sa dime ne qe te njohim !

S'me pelqen fare kur thote se

S'me pelqen fare kur thote se nuk kishte vajza te lezeçme dhe ku ; ne Tirane, vetem ti kene munguar syte, po ashtu dhe per moden ne 1987-en! Po te thosh per vitet 1974- 1980 per moden, me ndryshe, megjithese Tiranes nuk i ka munguar asnjehere. Kush flet ndryshe, genjen. Nuk e di se ke quan te lezeteshme, ndoshta duhet te ishin si ai, ose udhehiqet nga thenia: nuk eshte e bukur ajo qe eshte e bukur, por eshte e bukur ajo qe me pelqen mua. Ketu ndoshta se lidhet me idealizmin e Hegelit qe trendafilin e imagjinoj une qe e shikoj. Me gjithate kujt i pelqen le ta besoje.

Jo .... "ajo qe me pelqen mua

Jo .... "ajo qe me pelqen mua ".....por ajo qe ma jep mua ! Keshtu jane keta majmunet e huaj ! Ky fare jevgu , mendon se meqenese eshte bere pjese e te bardheve qe vjedhin boten , dhe ky jeton prane tyre me ca dollare me shume se neve , eshte me "i bukur" se neve ! Majmuni

Add new comment