Përdhosja e shoqërisë civile është fatale

Postuar në 20 Korrik, 2013 05:10
Erion Kristo

Këto ditë të ngarkuara me dhunë ekstreme që kulmojnë me ngjarje tejet të rënda ku jeta këputet si të ishte një fije bari, përmbi problemet e mahisura të shqiptarëve shfaqet edhe një sulm i telekomanduar ndaj shoqërisë civile, për ta zhveshur atë nga petku i së mirës dhe për ta kthyer atë në hiçmosgjë. Kjo është e qartë, kur media merret me një akt banal duke e ngritur banalen në lartësinë e artit, njëlloj siç bën me muzikën banale apo me thashethemet banale që bëhen thelbi i jetës shoqërore të vendit, ndërsa nuk kanë asnjë vlerë praktike.
Njerëz që nuk janë vlerësuar kurrë nga media për veprimtarinë e tyre shoqërore, madje as kur bota i ka vlerësuar si të tillë, papritmas kthehen në epiqendra të vjelljes publike, ku kërkohet demaskimi i tyre ngase kanë dhënë kontribute reale, përmes pështymores së njohur apo krijimit të mjegullnajave. Dhe jetojmë në një vend ku gjithçka është zhveshur nga petku i së mirës apo i mirëbesimit.
Këtë fat e ka pasur politika, sistemi i drejtësisë, biznesi, sistemi arsimor, media, madje ka pasur sherre edhe brenda komuniteteve fetare. Po kush mbetet pa u përdhosur në këtë tollovi “made in Albania”? Pikërisht shoqëria civile. Dhe u gjet “antena mbi çati”, një zënkë banale që mund t’i ndodhë kujtdo, për ta ngritur nga ana regjisoriale në një Deus ex machina, ku mbizotëron ideja se të gjithë jemi njëlloj, të gjithë jemi të papërsosur, madje edhe ata që mburren se nuk janë të tillë, janë ca më shumë.
Dhe kështu jemi të gjithë të zhytur në llumin që i përplasim njëri-tjetrit në fytyrë. Po kjo e fundit është fare programatike: kjo e lë shoqërinë shqiptare në gjendjen e atij njeriut që të fërkon kokën, po morrat t’i lë në vend. Dhe thonë se nuk nxirret dhjamë nga pleshti. Jo vetëm që nxirret po bëhet edhe pleshti të duket për ibret.
Dhe ndërkohë shoqëria shqiptare ngel krejt pa shpresë. Kështu përligjet mospjesëmarrja, përligjet mungesa e solidaritetit, përligjet shpërfillja, duke u dhënë njerëzve të thjeshtë në dorë opinionin tashmë të shumëpërhapur se shoqatat e shoqërisë civile janë abuzuese, se ato janë një bandë milionerësh që rron në kurriz të fatkeqësive shoqërore.
Këtë ta përplasin pa iu dridhur qerpiku njerëzit gjithandej nëpër Shqipëri, ku barazohet krimi i kryer me personat që nuk kanë kryer ndonjë krim, përveç faktit që kanë dashur të japin një kontribut aty ku gjithë të tjerët kanë kthyer kurrizin. A mos vallë nuk ishim duke marshuar në shesh për të drejtat e grave dhe njerëzit na hidhnin spica nga lokalet? Cili person u ngrit nga kafja magjike për t’u kthyer në jetën reale?
Cili njeri nga publiku i gjerë u gjend aty për të ndihmuar një të mjerë? Cili nga njerëzit sharës të publikut të gjerë ndryshoi mendësinë e vet apo të njerëzve përreth tij? Askush nuk bëri asgjë. Po fjala e keqe u shfaq në buzën e të gjithëve: ndëshkuese, përdhosëse, e patrandur. Mallkimi i popullit është një gjë e madhe: mallkim për atë që nuk kupton.
Të gjithë ngrihen në kor duke kërkuar me të madhe se ku është shoqëria civile, duke besuar se shoqëria civile është zjarrfikësja e zjarreve që i ndezin po vetë, se nuk është se na vijnë UFO-t dhe na i bëjnë gjëmat pa dëshirën tonë. Ndaj, ka ardhur koha të sqarohet një herë e mirë për opinionin e gjerë publik dhe opinionin e ngushtë elitar që kënaqet me viktimizimin njëlloj siç kënaqeshin kanibalët me mish njeriu, se shoqëria civile është një akt vullnetar dhe si i tillë nuk mund të gjykohet nga njerëzit që nuk e kanë vullnetin e të bërit mirë.
Nëse doni të gjykoni me ashpërsi njerëzit apo ngjarjet, filloni duke gjykuar atë që ka detyrimin ligjor për të bërë atë që duhet bërë në raste të tilla: shtetin. Nuk kemi parë ndonjë urrejtje kaq të madhe ndaj pushtetarëve tejet të pasuruar dhe me vila reale, ndaj biznesmenëve mafiozë të kthyer në deputetë parlamenti, ndaj mjekëve kasapë, ndaj gjykatësve që bëjnë pushime në vende ekzotike, ndaj diplomave të rreme, ndaj vrasësve që ulen lehtazi nëpër lokale kur ndërkohë duhet të ishin nëpër burgje, ndaj një mijë e një gjërave që kërcasin për secilën ndërgjegje të thjeshtë, ndërgjegje që siç duket mungon qartazi në mesin tonë.
Po nuk mungon ndërsimi i njeriut të thjeshtë ndaj njeriut që ka kontribut, duke hedhur idenë se bora është e bukur, po qentë vazhdojnë të mos e respektojnë. Dhe kjo sjellje qenërore, pra cinike, bie mbi ne njëlloj si ajri i ndotur, dhe na merr frymën dhe na fundos edhe hapësirën e fundit të mirësisë, të mirëkuptimit, të solidaritetit njerëzor, sepse nuk ka luftë pa viktima, dhe këto viktima duhet të bien mbi ndërgjegjen e dikujt, që kësaj radhe nuk është ai që kryen krimin, po dikush tjetër. Gjë e mirë është që kriminelët kanë aleatë mediat, ndërsa shoqëria civile shpesh nuk i ka në krah. Vetëm se ky sulm i fundit ndaj shpresës së fundit, është fatal.

 

Shqiptarja.com

Comments

Submitted by gani (not verified) on

<p>Zoteri,</p><p>nuk e di cfare perkufizimi ndiqni per ta percaktuar &#39;shoqerine civile&#39;, por kur cilesoni &#39;komunitetet fetare&#39; si jashte &#39;shoqerise civile&#39; duket se nuk e keni ne regull perkufizimin.</p><p>Pastaj kritikoni idene e disave se &#39;jemite gjithe njelloj&#39;. Po pse, a ka mundesi qe shoqeria civile ne Shqiperi te jete e ndryshme nga aparati politik, kur shoqeria e famshme civile eshte furnizuesja me kuadro dhe me ide e plitikes gjiithe keto 20 vite? Pse qenka jo njelloj shoqeria civile nga politika?</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.