Është një rast që nuk vjen më

Postuar në 14 Korrik, 2013 03:57
Pëllumb Kulla

Zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike, më 22 korrik, është një rast i artë, nga ku mund të përfitojnë shumë njerëz edhe grupe. Mijëra vetë habiten se përse shqiptarët nga jashtë formacionit politik të Berishës shqetësohen dhe japin mendje mbi thagmën që bëhet atje për zgjedhjen e kryetarit të ri.

Po, more zotërinj, është fare i natyrshëm interesi pasi vërtet kemi të bëjmë me historinë e një partie, por ama, historia e saj është pjesë përbërëse e historisë së gjithë shqiptarëve. Partia Demokratike është një parti, lindjen e së cilës e përjetuam me lotë lumturie, e festuam, e përshëndetëm, iu bashkuam dhe jetuam me të derisa, kush më parë e kush më pas, e kuptuan se ajo degjeneroi. Pas ca vitesh, PD-ja ruajti vetëm shenjat ballore, siglën dhe emrin, por shumë shpejt pastaj ajo u uzurpua, u privatizua, u shndërrua në një parti ku u shkelën idealet, u stimulua epshi i zhvatjes së pasurive shqiptare, u nxit pabesia, mashtrimi, u vadit servilizmi, frika dhe dyfytyrësia.

Është rast i artë për t’i rikujtuar të gjitha këto, kur fajtori numër një, pranon se shqiptarët nuk e duan më. I bindur se as anëtarësia e partisë që ai kalbëzoi nuk e do më, deklaroi hapjen e rrugës për një lider të ri. Të gjithë shqiptarët duan një shëndoshje të Partisë Demokratike, një shëndoshje të vërtetë dhe jo formale siç po e duan ish-kryetari me dy

aktorët e farsës që po luhet. Shqiptarët dhe të huajt dashamirës duan një Opozitë të shëndetshme, shumë më të mirë se kjo që erdhi në pushtet. Cilësia e demokracisë së një vendi duhet lexuar te Opozita, pasi kundërvënia, vigjilenca dhe bashkëpunimi i saj është çështje vitale për një shoqëri njerëzore. Opozita ia bën jetën të vështirë qeverisë, por ua bën të lehtë qeverisjen popullit.

Është rast i artë për anëtarët veteranë që në këtë proces zgjedhor të thonë, pa atë frikën nga gogoli, ato që kanë menduar me gojë të kyçur. Është një rast i artë për anëtarët e “Byrosë Politike” të PD-së, pjesa më e madhe e të cilëve me PD-në janë divorcuar dhe rimartuar, kanë kandiduar për kryetar në ca zgjedhje të shtrembëruara dhe kanë goditur

me kokë murin shkëmbor. Ata kanë rastin të flasin për ndotjen e tyre, për mëkatet personale dhe kjo do t’i jepte energji një analize globale, të cilën Berisha nuk e do. Nuk e do pasi ai e ndjen që i vetmi vend ku mbetet të flitet mirë për të është partia e tij dhe po u nxinë bëmat e tij edhe në gjirin e partisë, atëherë katastrofa merr përmasat e fundit të botës.

Është një rast i favorshëm për Olldashin, që një javë para votimeve, të tërhiqet nga gara dhe t’i sjellë zgjedhjet në dimensionin real që ato kanë në të vërtetë, që s’janë gjë tjetër, pra veç një noterizim i trashëgimtarit të caktuar. Zoti Olldashi i mban mend, por unë i lyp ndjesë t’i rreshtoj vetëm dy a tri nga farsat zgjedhore në PD.

Që të tingëllonin si zgjedhje të lira për kryetar partie dhe që të ruanin formën e garës, Berisha caktoi në një rast të ndjerin Arbnori, që t’i bënte rivalin. Mbahet mend përgjigja historike e Arbnorit kur e pyetën se si e mendonte rezultatin: “Un’ – tha Pjetri, – kam shumë miq dhe dashamirës në kët parti, por un’ i ftoj ata t’votojn për kundërshtarin tem, se na nuk kena ma të mirë se aj. Edhe un vetë për të kam me votue!”

Ca vite më vonë, një anëtar tjetër i “Byrosë Politike”, Genc Pollo, mori guximin, pa marrë më parë autorizimin e “Sekretarit të Parë” dhe në zgjedhjen e radhës kandidoi për t’u bërë kryetar. Dhe i kishte të gjitha kartat në rregull, i gjori! Ishte jo dokushdo, por nënkryetar i Berishës! Pra, teorikisht, për të bërë rokadën, ishte njeriu më i afërt me përsosmërinë! Përsosmëria, – dihej, – ishte kryetari që gjendej mbi fron! Por kryetari lejon ta rivalizojnë vetëm ata që ngarkon ai. I pacaktuari Pollo u sha, u përbuz, u dhunua. Kalimi i tij para selisë shoqërohej me fishkëllima, deri sa ai hoqi dorë nga gara dhe e la Berishën fillikat që të dilte i pari pa asnjë kundërshtar. (Çudi si nuk garon Polloja këtë radhë! Ishte rasti më i mirë për të. I janë shuar ambiciet, apo e ka përvetësuar mësimin?!). Atë kohë Berisha qe tërbuar nga lënia që i bëri garës nënkryetari i tij dhe kërkoi t’i sillnin për të mundur një kandidat tjetër më të mirë. Lipsej të krijohej tensioni zgjedhor, sikur Berisha do ta fitonte zgjedhjen me spazma zemre. U mundua të gjente dikë që të tingëllonte i ndryshëm nga vetja e tij. Pra jo një ish-komunist, siç ishte vetë, por një ish-ballist, një njeri që i kishte ardhur dita të kryesonte partinë e parë antikomuniste. Thirri

zotin Uran Butka dhe e urdhëroi të mbrehej me të. Butka nuk ia prishi qejfin e farsës dhe i trembur, se mos vërtet fitonte mbi shefin, e hodhi dhe ai votën si Arbnori. Djali i komandantit të nderuar ballist, me kënaqësinë e plotë që të sjell fitorja, e humbi ndeshjen. Fitoi komunisti… Në vitin 2009, pastaj, komunisti ynë i rrallë e ndjeu qesharakërinë e zgjedhjeve të tij të shumta në Shqipëri dhe në parti. Me kokën lart doli kandidat i vetëm për kryetar. Deputetët dhe militantët demokratë e pritën me ankth rezultatin. Dhe zoti Olldashi e di se kush triumfoi në garën pa asnjë konkurrent, apo jo?

Farsa e radhës që përgatit sot ky autor i njohur farsash dhe kryeqeveritar në ikje, jep edhe motivime të tjera më të thella. Është një rast i artë edhe për fuqizimin e partisë dinjitoze të FRD-së, e cila na jep shpresë të jetë ajo PD, që u nis para 20 e ca vjetësh, por e dislokuar tani në një seli, ca më tej parlamentit. Se sot Partinë Demokratike e përbëjnë të gjitha ata që, ose i kanë kthyer me neveri krahët, ose po sfidojnë autokratin shembullor. Është një rast nga më të rrallët që anëtarësia aktuale e PD-së, ta kërkojë masivisht jetën

politike krah një ish-nënkryetari tjetër të saj, zotit Bamir Topi.

Deputetët e rinj, (jo shokët e Berishës-junior) dhe liderët demokratë të periferisë mund ta shohin fare mirë veten në një mjedis më të ajrosur, në atë të FRD-së. Kështu “pronarëve të PD-së iu mbeten karriget e Parlamentit, demokratëve të thjeshtë iu mbetet partia”, siç e shpreh fort bukur në një opinion, shfaqur para dy ditësh në gazetën Shqip, i nderuari Besnik Gjongecaj, për koincidencë, një ish- nënkryetar tjetër i PD-së, edhe ky! Është një rast i shkëlqyer për masën e demokratëve të vuajtur për t’i nënvizuar Berishës historinë e

“një ndërtimi pa leje”, mandatin e Kastriot Islamit! Le t’ia lënë Kaçit partinë, selinë dhe kryesinë e grupit parlamentar! Një rast i favorshëm është ky edhe për Presidentin Nishani, që të flakë tej pelerinën e kukllës që mundohen t’i hedhin mbi supe, edhe ata që e vunë, edhe ata që e pritën me fishkëllima caktimin e tij. Por mbi të gjitha është një rast i artë për Kryeprokurorin Llalla, i cili është kaq i freskët dhe i patestuar në detyrën e tij kyçe, ngaqë i jepet mundësia historike, një nga më të rrallat e shoqërive njerëzore, të dërgojë për gjykim shumë fajtorë me pesë yje, tok me kryefajtorin, dashin e kopesë. Shembulli i kroatëve me dënimin e kryeministrit është i freskët dhe i madhërishëm. Dërgimi i këtij tonit në bankon e të akuzuarve u jep rast edhe gjyqtarëve deri tani të

përfolur, që ta bëjnë detyrën e tyre ndershmërisht. Këtë radhë ata janë me më pak presion se kurdoherë. Ndershmërisht le ta falin atë, nëse e gjykojnë pa faj, ose ta përcjellin matanë hekurave po iu vunë në dukje gjëmat. Dhe të mbeten edhe ata gjyqtarë në historinë e mundimshme të demokracisë së shqiptarëve. Unë mendoj se pjesa dërrmuese e tyre, përveç frikës (së turpshme, gjithsesi!) nuk duhet t’i kenë këtij njeriu borxhe të panjohura. Teksa dhjetra herë kanë tradhëtuar moralin për amoralitetin, këtë herë le të tradhëtojnë amoralitetin për moralin!

Dhe në fund është edhe një njeri, që më 22 korrik ka rastin e artë. Ky është Sali Berisha vetë, autori i farsës. Në skenarin e tij, këtë radhë në rolin tim të preferuar të regjisorit, sugjeroj një tërheqje spektakolare të dy kandidatëve! Përfytyroj një gjunjëzim dorë për dore të të dyve, në një duet, të përgjëruar le t’i kërkojnë udhërrëfyesit Berisha, që ai të mos heqë dorë nga kryesimi i partisë së tyre. Por edhe si regjisor, më duhet ta pranoj, Berisha është më i mirë se unë. Ai mund të inskenojë një sallë me 3000 demokratë që shkrihen në lot. Urdhëron Fahri Balliun t’u shkruajë atyre një lutje që të na ngrerë mornicat dhe regjisori organizon me art, një vullkan kërkesash, që ai t’u prijë akoma në histori. Do të jetë një korale që do të mbahet mend!

Dhe lideri do të pranojë të qëndrojë. Ai, ndryshe nga ç’e përflasin është energjik, është karizmatik, është mbarëpopullor. Dhe ka një plus të madh: është fare-fare i pafajshëm për humbjen e qershorit! Sali Berisha do të pranojë. Nuk ka asnjë arsye që të mos i bindet popullit të përlotur demokrat. Dreqi e mori, një njeri i pafajshëm nuk mund të largohet vetëm nga dëshpërimi! Dhe as nga mosha! Përse ai, muaj me radhë, ofrohej për të mbetur edhe katër vjet kryeministër e nuk mbetka në krye të Partisë?! Telashet e kryeministrit të marrin shpirtin, kurse kryesimi në parti është hiçogjë! Sidomos, në PD-në e sotme, kryetar, është detyra më e lehtë në botë!

 

 

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Eshte ne interesin e Edi Rames, dhe stabilitetit te koalicionit qe te zgjidhet Olldashi. Kjo sepse Basha dihet qe ka nji aleance shum te forte me Ilir Meten (miliona $$) dhe nji fitore e Bashes do te kishte pasoja per qendrueshmerine e qeverise PS-LSI.

Nderkohe per popullin, ne qofte se zgjidhet Basha kjo do te thote pandeshkueshmeri per Berishen, sepse me Meten ne qeveri ai do te garantoje qe asnji qime mos ti hyje ne kembe femijeve te Berishes.

Submitted by Leonardo (not verified) on

<p>Bravo mor Lulush si një kaposh në majë të plehut të tillë kryetarë i duhen PD për të ecur përpara</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.