Si u bë e sa vlera ka patur “rinovimi” i Akademisë së Shkencave?

Postuar në 18 Qershor, 2013 17:53
Niko Pojani

Shkrimi është i gjatë për një gazetë online ku, për arsye të kuptueshme, parapëlqehen shkrime të shkurtëra. Nga ana tjetër, autori i drejtohet drejtpërdrejtë një lexuesi specifik, të interesuar për një çështje pa interes të gjerë publik. Por ne po e publikojmë ngaqë problemi i ngritur, sidoqë është i natyrës “akademike”, është shumë i rëndësishëm. Kanë shkruar dhe të tjerë për këtë problem, por ky trajtim i Pojanit është më pretencioz e më i dokumentuar.

Redaksia e respublica-s.

 

Ka mbaruar mandati i rregullt 4-vjeçar për kreun e Akademisë së shkencave (ASh) dhe aty nuk duket ndonjë lëvizje. Gjithsesi, nuk besojmë se bota “tjetër” akademike dhe taksa-paguesit shqiptarë të jenë shumë të interesuar se kush do të jetë kreu i ri. Por, ndërkohë, kushdo ka të drejtën të dijë se ç’ka bërë ASh-ja gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare, e cila u premtua se do të ishte “rinovuese” për tërë shkencat shqiptare. A ka qënë ajo vetë realisht e angazhuar me zgjidhje problemesh shkencore dhe a ka mundur të shfrytëzojë e promovojë energjitë e rezervuarit shkencor të vendit? Si dhe sa ky institucion – që ka 24 anëtarë të rregullt, 3 të përhershëm dhe 11 anëtarë të asociuar, përveç 17 akademikëve e 1 akademiku të asociuar mbi 75 vjeç, 2 akademikëve jo anëtarë të rregullt dhe 26 anëtarëve të nderit – pra sa kjo trupë kaq e gjerë ka ndikuar për t’iu përgjigjur realisht sfidave aktuale të zhvillimit të shkencës, kulturës, arsimit të lartë, ekonomisë? Sepse, në një vend gjysëm të varfër ku borxhi publik i ka kaluar shifrat limite, ku rreth 100 mijë familje mbijetojnë me asistencën mjerane dhe shumë familje marrin ushqime me lista e ku ka 9 vjet që rrogat e pedagogëve praktikisht nuk janë rritur për të arritur të paktën nivelin e kolegëve në Kosovë (por s’është ky problemi i vetëm në sektorin e arsimit të lartë, ku diplomohen të rinj e nuk gjejnë punë, ku janë konstatuar deri trafik diplomash, ku ka shumë mangësi në cilësi, botime, laboratore e kapacitete mësim-dhënëse e kërkimore – dukuri këto që pasqyrohen hapur në rankimet aspak dinjitoze ndërkombëtare të universiteteve tona), mjaft legjitime do të ishte për çdokënd që të pyesë: për ç’vlera e produkte ASh-ja ka luksin të shkëputë nga buxheti i shtetit 800 milion lekë (vj.) edhe në një vit krize si 2012-a? Pará të cilat, në kushtet kur ajo nuk ka asnjë institut shkencor, destinohen vetëm për të mbajtur administratën dhe parínë e saj, me rroga të mira e lëvizje të bollshme jashtë shtetit, si dhe për t’u shpërndarë anëtarëve dhe të asociuarve të ASh-së (që punojnë e paguhen gjetkë) ca rroga shtesë prej 300 deri 500 mijë lekësh (vj.) në muaj. Madje, pavarësisht në japin apo jo ndonjë kontribut shkencor aty. Privilegje jo të pakta këto, ndërkohë që, edhe pa i dëgjuar arsyetimet ”akademike”, shumëkush e ”ndjen” se sa i pandjeshëm, sa i parëndësishëm është ndikimi, impakti i ASh-së në jetën e vendit. Një realitet ky që mendojmë se e ka “mëkatin origjinal” atëhere kur, nja katër-pesë vjet më parë, filloi e vazhdoi ”reformimi” i saj. Me shumë defekte ose thjesht si një dështim.

*****

Në ato kohë, në rrethet akademike zhvilloheshin diskutime e debate, merreshin dhe pozicionime - të gjitha të respektueshme - pró ose kundra, mbi integrimin e instituteve kërkimore në strukturat universitare. Pavarësisht zhvillimeve defektoze të mëvonshme – sidomos përsa u përket lidhjeve institute-fakultete, të cilat mbeten të dobta, të paktën për fushat e ndërtimit dhe afër tyre (temë kjo më vehte, e lidhur me problematikën e shkollës së lartë) - autori i këtij shkrimi, kur i kanë kërkuar mendim, është shprehur pró dhe modestisht ka argumentuar e mbrojtur edhe në shtyp pikpamjen e kalimit të instituteve teknike nga Akademia në universitet. Duke qënë i bindur, në princip, atëhere si edhe sot, për efikasitetin e skemës Humboltiane të njësive të përbashkëta mësimore e shkencore inxhinierike, efektive kjo pothuaj në të gjitha vendet e zhvilluara të botës, si dhe në rajonin tonë (Greqi, Maqedoni, Kosovë etj). Për hir të të vërtetës, po kujtojmë edhe që pikërisht disa që për një kohë të gjatë e kundërshtuan me forcë këtë reformë u caktuan (dhe ata pranuan)  të marrin “flamurin reformator” të ASh-së. Ndoshta edhe për këtë fakt “të parëndësishëm” ata do të kenë privilegjin të përmenden ca kohë më tepër.

Pas kalimit të instituteve në universitete, u vijua me ”përtëritjen” e ASh-së. Kjo filloi në verën e 2008-s me përzgjedhjen e rreth 20 akademikëve të rinj, nga një listë me mbi 80 kandidatura (midis tyre dhe unë). Në vlerësimet zyrtare-qeveritare të rastit, ajo «përtëritje» u ngrit lart si «tepër objektive, e shkëlqyer». Produkt i një ”pune të madhe” dhe ”procedure super të saktë” shkruhej për ‘të me vetëmburrje në median e kohës edhe nga kryetari i komisionit përzgjedhës (“Albania”, 10 tetor 2008). Mirëpo, krahas superlativave të tilla, ngjashëm me ato që dëgjohen shpesh në vendin tonë të dashur e problematik, pati mjaft objeksione; disa u bënë dhe publike. Në një shkrim të gjatë të asaj kohe te ”Shqip” (9 shtator 2008), një botues dhe analist i njohur drejtonte kritika të forta për mungesë transparence dhe përzgjedhje klientieliste në procesin “përtëritës” të zhvilluar deri atëhere. Sipas tij, ky proces, i cili i ”ishte lënë” kreut të komisionit përzgjedhës dhe ”rrethit të tij mbështetës”,  kishte sjellë atë që ”u bënë akademikë njerëz që kanë fituar me vështirësi titullin e profesorit” dhe ”u anashkaluan emra të njohur e me kontribute të shquara shkencore”. Prandaj, në shkrim sugjerohej që “mënyra e paramenduar e strukturimit të Akademisë duhet anuluar menjëherë”, me qëllim që asaj të mos t’i “gërryhen themelet”. Por nuk pati asnjë reagim, sikurse dhe pritej.

Në të vërtetë, nga ana formale procesi ishte si gjysëm «akademik» e si gjysëm qeveritar. Sepse, krahas komisionit përzgjedhës, ku ca ishin akademikë e ca jo, funksiononte dhe një komitet a komision tjetër, «i reformimit të ASh-së». Ky i fundit e monitoronte të parin, besojmë hap pas hapi, nga niveli i lartë i Ekzekutivit. Origjinaliteti shtohej nga fakti se komisioni përzgjedhës ishte miks, ndërkombëtar, duke patur madje më pak shqiptarë (4) dhe më shumë të huaj (5). “Ndërkombëtarizim” që, si praktikë, mund të ketë vend të stimulohet në ndonjë konkurs me karakter krejt tjetër, p.sh. në konkurse urbanistike apo arkitekture. Mirëpo, risía e paprecedent që sillte ky komisioni “ynë” u trumbetua atëhere si garanci për kompetencën dhe drejtësinë e vendimeve që do të merreshin. E vërteta është se ajo shërbeu mjaft mirë si alibí dhe mburojë ndaj kritikave të procesit përzgjedhës.

Se mbi ç’baza dhe kush i kish propozuar anëtarët e komisionit, veçanërisht të huajt, nuk u muar vesh nga kandidatët në garë. Të paktën jo nga të gjithë. Siç u mësua më vonë nga media (“Shekulli”, 9 gusht 2008), profesorë të huaj që kishin marrë guximin të zgjidhnin elitën akademike të një vendi sovran europian, vetë, në vendet e tyre, nuk ishin me titullin «akademik». Çka s’është larg (apo jo?) standardit të dikurshëm «buono per l’Albania». Prandaj, pa dashur të bëjmë krahasim me mallra të importit - çfarë nuk importon sot Shqipëria: speca, domate,... , plehra - mendojmë se ardhja e të huajve (nja 2-3 ditë korriku të 2008-ës– “Tirana Observer”, 24 korrik 2008) për të përzgjedhuar akademikët shqiptarë nuk ka qënë, të paktën, as e domosdoshme e as dinjitoze.

*****

Po shqiptarët e komisionit përzgjedhës që kishte emëruar qeveria kush ishin? Kaq i madh e i shkëlqyer ishte kapaciteti dhe integriteti (shkencor, etj) i tyre? Nuk dukej të ishte tamam ashtu.

Mbi karrierën e kryetarit të komisionit – që natyrisht ka merituar të jetë publike – mund të informohesh p.sh. në faqen e pasme të një libri me tematikë nga fusha e sportit. Aty mëson se ai, i diplomuar më 1971 për matematikë nga kursi 4-vjeçar i asaj dege (1967-71), fillonte punë po atë vit në Qendrën Llogaritëse, e cila u shndërrua më vonë në Institutin e informatikës dhe matematikës së aplikuar - INIMA. Në vitet 1993-1997 bëhet drejtor i INIMA-s, më 1994 - profesor, kurse më 2004 - akademik (sipas “stilit” shqiptar, që emërohesh një herë drejtor, pastaj vijnë sërë-sërë titujt shkencorë e akademikë). Shumëkush e mban mend që në vitet ’90 INIMA u shqua për hapjen e ca kurseve para-universitare për mësimin e kompjuterit; por, gjithashtu, siç nënvizohej dhe në “Shqip”, për “administrimin e të dhënave të kadastrës së Barit”. Krahas këtyre angazhimeve jo aq shkencore të atij instituti dhe ndonjë pune “sekondare” të drejtorit të tij (p.sh. si anëtar i Komisionit qendror të zgjedhjeve të vitit 1996), në periudhën 8-vjeçare 1992-2000 ai do të mbante dhe postin e presidentit të federatës shqiptare të peshëngritjes.

 

Ndërkohë, te interesuarit për publikimet me emrin e tij, si autor apo bashkëautor, kanë mundësi që të njihen me ‘to nga skedarët e Bibliotekës Kombëtare. Gjen aty disa tituj publikimesh me tematikë nga informatika dhe sporti, që, mendojmë, nuk mund të jenë aq përfaqësues për titujt shkencorë të sipërpërmendur. Për më tepër, kur janë të botuara mjaft kohë më parë. Gjithsesi, po të bazohesh dhe në vetë-deklarimet që ai ka bërë në media («gjysmën e kohës ja kam kushtuar sportit» - “Albania”, 10 tetor 2008) nuk ke si të mos tundësh kokën me mundësitë e papara që jep Shqipëria jonë - vend i zhvilluar dhe i civilizuar – për të ngritur në nivelin më të lartë (zyrtar) binomin “shkencë–sport”. S’dimë sa i vlerësojnë sot arritje të tilla jashtë; por, vështirë që latinët që predikonin “mendjen e shëndoshë në trup të shëndoshë” të kishin guxuar të parashikonin kaq tepër.

Një tjetër anëtar i komisionit përzgjedhës, me profesion inxhinier hidroteknik, kish qënë disa herë ministër në qeveritë e viteve ’80. Kishte mbajtur madje dhe postin e ministrit për bashkëpunim ekonomik me jashtë (?). Në periudhat “e arta” ministrore ai, pa patur ndonjë studim të mirëfilltë shkencor, ndonjë libër të botuar apo gradë shkencore, praktikisht ishte emëruar “shkencëtar”. Fillimisht “profesor”, ndonse pa dhënë ndonjë leksion në universitet, e pastaj dhe “akademik”. Ndërkohë që kontributi real i tij, padyshim i respektueshëm nga ana profesionale, ka qënë ai i projektuesit dhe pastaj i drejtuesit të një grupi projektimi të digave të hidrocentraleve të mëdha në Verí të vendit - pjesë përbërëse ky e një instituti shtetëror të kohës (në vitet ’70-’90). Por, këtu, pa nënvleftësuar aspak arritjet tona reale, duhet vërejtur një fakt i njohur që nuk përmendet aq shumë: projektimi dhe ndërtimi i atyre veprave ka qënë i konsultuar dhe i asistuar në mënyrë të gjithanshme nga institute studimore-projektuese prestigjioze kineze të kohës e, më vonë, kur me Kinën u prishën marrëdhëniet, edhe nga ndonjë kompani perëndimore. Sigurisht, në konceptimin dhe projektimin e tyre kontribute kryesore kanë dhënë vetë projektuesit e punonjësit shkencorë shqiptarë të hidraulikës dhe hidroteknikës, me dhjetra inxhinierë e specialistë të përkushtuar. Ndër ‘ta, spikatin emrat e nderuar të disa profesionistëve me reputacion të padiskutueshëm për kohën, si akademiku Petrit Radovicka, profesorët Enver Preza, Egon Gjadri, etj.

Në linjë partiake, ish-pjesëtar i nomenklaturës së lartë komuniste të viteve ’80 ishte gjithashtu një tjetër anëtar komisioni. Gjuhëtar në profesion (me reputacion profesional - thonë specialistët e fushës), emri i tij po ri-del këto kohët e fundit si kreu i një komisioni a grupi pune të krijuar për ri-shikimin (jo të pakontestuar) e standardit të gjuhës shqipe.

Përbërja e këtij komisioni “përzgjedhës” - disi i çuditshëm për vitet ‘2000 - ishte premisa që do përcaktonte gjithë kronikën “përtëritëse” të ASh-së, deri në zgjedhjen e kreut të saj si dhe më tej. Kështu, brenda vitit 2008 u caktuan akademikët e rinj e, më vonë - me vota, me vota, padyshim! - edhe ata të asociuar (Aftësitë e tyre as nuk duam e as nuk mund t’i vlerësojmë e paragjykojmë, dhe çka shprehim në këto opinione lidhet kryesisht me procesin “reformues” të ASh-së). Mirëpo, pas atyre zhvillimeve doli se një ndër kandidatët e garës për këtë post të lartë ishte vetë kryetari i komisionit. Pra, po ai që deri atëhere kish dhënë aq shumë kontribute për të përzgjedhur ata që do ta votonin. Interesante ishte që askush nuk pati përshtypjen që (ose bëri sikur) aty nuk kish kurrfarë konflikt interesi. Ndërkohë, kandidatët e futur në garë për postin jepnin atëhere intervista sa në një media në një tjetër.  

*****

Sikurse pritej, garën për kreun e ASh-së e fitoi kreu i “komisionit përzgjedhës”. Në intervistat e rastit që jepeshin prej tij aso kohe nënvizohej  - në akord me mendësi që shfaqen në një vend të pamësuar me institucione akademike të pavaruara – se “do të ishte qeveria” një ndër prioritetet kryesore gjatë mandatit të tij 4-vjeçar (“Gazeta Shqiptare”, 8 shkurt 2009). Në thelb, ndonse më qartaz, po këtë preokupim kishte shpalosur në “platformën” e tij edhe një kandidat tjetër i garës për kreun e ASh-së, i cili synonte objektivin për të “vënë mendimin shkencor në dispozicion të Qeverisë…” (“Panorama”, 5 shkurt 2009).

Shkurt, në pranverën e 2009-ës kreu i ri i ASh-së u lirua nga posti ku ishte emëruar rreth një vit më përpara si dekan i një fakulteti inxhinierik (!), për të ushtruar tashmë postin e ri.

Për botën akademike të një vendi do ishin normale vlerësimet pozitive për figurën e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Mirëpo, deri dhe publikisht, te ne pati përsëri mendime disaprovuese. Ato kohë, një analist tjetër i mençur i medias së shkruar pranonte («Standard», 28.03.2009) se nuk ishte i zoti të kuptonte (!) «se si akademikët nuk zgjodhën dot mes tyre ndonjë mjekërbardhë e ballëlartë, me një dollap kontributesh për vendin dhe për kombin». Dukej hapur që ai ishte i zhgënjyer. Si shumëkush, kishte pritur që në krye të shkencave shqiptare të dilte një albanolog, një gjuhëtar i shqipes, një historian apo arkeolog, gjithsesi një personalitet me etikë të lartë, me staturë të kompletuar prej vizionari, eruditi e dijetari, që do t’i imponohej natyrshëm kujtdo e që do t’i përfaqësonte bindshëm e me dinjitet zhvillimet shkencore origjinale të vendit. Analisti e mbyllte komentin e kësaj historie me frazën-refren: «punën e përfaqësimit këtu tek ne duket se e ka marë lumi». Pohim a përfundim i trishtë ky, por që mund të ilustrohet me dukuri e shembuj konkretë nga bota jonë akademike dhe universitare, që është ndoshta sektori më i pa-reformuar i vendit.  

*****

Premisat, pra, dukeshin jo aq premtuese që nga “rinovimi” i ASh-së të merreshin  rezultate. Por, normalisht duhej pak optimizëm e duhej pritur se mos, kush e di, vinte progresi i premtuar. Do ishte mirë që këtë ta stimulonte i pari vetë kreu i ASh-së. Dhe ashtu u duk: shumë shpejt (në v. 2009) doli një libër, i promovuar edhe në media, ku emri i tij figuronte si bashkëautor i dytë. Veçse - pa dashur të ulim vlerat e sportit që na pëlqen të gjithëve - edhe ky libër, ndonëse tërheqës, ishte përsëri pak zhgënjues në këndvështrimin shkencor. Kjo, thjesht nga që libri nuk kish të bënte me fushën e shkencës, por me atë të sportit: i kushtohej figurës së një profesori dhe trajneri të mirënjohur, veçanërisht në sportin e qitjes. I shkruar kryesisht në vetën e parë dhe më tepër nga përjetimet e kolegëve të dikurshëm të profesorit - e ku vend dominues zenë ato të autorit të parë të tij, një trajner tjetër shumë i njohur sporti – në faqen e fundit të tij libri përmban një falenderim të përzëmërt nga familja e profesorit, vajza e të cilit është njëherësh bashkëshortja e kryeministrit.

****

Por, le të kalojmë në disa aspekte të veçanta me të cilat mendojmë se duhet të merrej realisht ASh-ja gjatë këtyre 4 viteve. Natyrisht që nuk mund të komentosh punët në fusha të shkencave shoqërore dhe albanologjike, kur je vetëm një amator i tyre. Aq më pak arritjet në ndonjë fushë me tingëllim “specifik”, si p.sh. në antropologji, ku ASh-ja ka gjykuar të ketë domosdo anëtar (!). Por, mund të lejohemi të japim ndonjë opinion lidhur me fusha të shkencave teknike dhe afër tyre. Kështu, mund të themi me bindje se në fushat e ndërtimit dhe të infrastrukturës në përgjithësi (jo vetëm të rrugëve) – të cilat mbeten prioritare edhe për zhvillimet perspektive – nuk ka treguesa për ndonjë angazhim a realizim konkret nga ana e ASh-së. Ndërkaq, kush është i interesuar për fushën hidroteknikës, ndoshta mund të kujtojë premtimet mbresë-lënëse në media (“Albania”, 10 tetor 2008) se një nga «projektet madhorë» që do të ndërmerrej nga ASh-ja (do të) ishte studimi i sistemit ujor të liqenit të Shkodrës. Mirëpo, fatkeqësisht, këto 4 vite pikërisht Shkodra e Lezha janë përmbytur si asnjëherë tjetër. Padyshim, jo për faj të ASh-së. Por, nga ana tjetër, s’duket që kjo të ketë dhënë ndonjë ndihmesë reale për të zgjidhur a lehtësuar sado pak problemet. Në raportet e gjata që publikon çdo vit ASh-ja kemi lexuar vetëm disa “konkluzione”, me të cilat shkodranët dhe gjithë shqiptarët janë lodhur prej kohësh, si: “ndërtimi i HEC-it të Skavicës do të realizojë deri në një farë mase rregullimin e prurjeve”; “duhet mirëmbajtur sistemi kullues dhe argjinaturat në zonën e Nën-Shkodrës”, e të tjera si këto. Po kështu, për administrimin “shkencor” të ujrave dhe biodiversitetin, jepen këshilla gati banale e aspak dinjitoze edhe për një ent teknik lokal, të tilla si: “në kaskadën e Drinit duhet vendosur personel i kualifikuar hidrolog”; “duhet parandaluar peshkimi i paligjshëm”, etj.

Gjithashtu, pavarësisht raportimeve të ASh-së, nuk duket që nga ky “tempull dijesh” të jenë paraqitur idé, projekte apo studime origjinale e me impakt kombëtar as për fusha të tjera inxhinierike, as për kiminë e fizikën teorike dhe eksperimentale. Raportimet e ASh-së në mjaft raste referojnë po ato punime, aq sa bëhen, të instituteve dhe departamenteve universitare ku punojnë autorët e tyre. Kurse, po të vazhdojmë me revistën AJNTS të ASh-së, e cila boton vetëm në gjuhën angleze artikuj me tematikë nga shkencat natyrore dhe teknike, vërejmë se në ‘to gjen dhe emra profesorësh e akademikësh të rreshtuar si bashkëautorë të fundit apo të parafundit në tituj larg fushave të tyre (çka, në fakt, haset edhe në botime universitare). Gjithsesi, më tej do të pyesnim: a ka realizuar ndonjë pyetësor ASh-ja për të patur një idé se sa njerëz i lexojnë artikujt anglisht të AJNTS-së këtu në Shqipëri? Apo artikujt bëhen vetëm për të promovuar emrat e autorëve të tyre? Ose bëhen për t’i lexuar vetëm “ata jashtë” (megjithëse ata marrin vesh “jo keq” nga informatika, inxhinieria, kimia e fizika).

Por, nga ana tjetër, këto vite kanë njohur dhe angazhime me të vërtet të dobishme të mjaft studiuesve tanë të fushave të ndryshme, që kanë veprimtari jashtë kangjellave të ASh-së. I njohur nga të gjithë ka qënë p.sh. përkushtimi dinjitoz, profesional e qytetar, i një profesori-gjeodet, i cili - i vetëm dhe pa kërkuar rroga e shpërblime - arriti që me argumente bindëse, shkencore e juridike, ta zmprapsë atë “paktin detar”. Pa bërë patriotin, kushdo mund të pyesë në ishte këtu apo jashtë shtetit ASh-ja jonë e fryrë, kur - mbi një hartë dhe me një kompas - u tentua të tkurrej kufiri detar në Jug të vendit? Akti, në dëm të interesave kombëtare, që u gjet jo i rregullt nga Gjykata Kushtetuese. Padyshim që profesori-gjeodet do të meritonte më shumë se një titull nderi në Akademinë e vendit të tij. Apo s’e lejojnë “kriteret”?

*****

Për të plotësuar më tej kuadrin e vlerave (dhe të kostove) të ASh-së, le t’i hedhim një sy axhendës së «diplomacisë akademike» të parísë së saj. Më konkretisht, lëvizjeve jashtë shtetit të kryesisë së ASh-së, duke u kufizuar përkatësisht vetëm në ato të shefit të saj. Raporti i vitit 2010 rreshton këto vizita të tij: Maqedoni (janar, prill, shtator), Angli (janar), Turqi (janar), Mal i Zi (shkurt, tetor), Itali (mars, prill, shtator), Gjermani (prill), Zvicër (maj, dhjetor), pa përmendur dhe firmosjet (këtu apo jashtë?) të disa marrëveshjeve me institucione të Malit të Zi (qershor), të Italisë (tetor), etj. Ndërkohë, sipas informacioneve publike zyrtare, nga fundi i nëntorit të vitit 2010, qeveria i jepte kryetarit të ASh-së edhe 12 milonë lekë (vj.) për t’u kuruar në Itali. Më tej, raportet e ASh-së të informojnë se vizitat e punës jashtë vendit rifilluan në janar 2011. Që atë muaj, në Mal të Zi është bërë një takim pune ku “morën pjesë kryesitë e të dy Akademive”. Më tej, shefi do të vijonte axhendën e tij, përsëri të ngjeshur, me vizitat në Itali (shkurt, qershor), Kroaci (prill), Kosovë (maj), Austri (maj), Maqedoni (shtator, dhjetor), Mal të Zi (tetor), madje dhe në Katar (tetor), përveç firmosjeve të ca marrëveshjeve të tjera ndër-akademike (sa shumë të tilla që paskemi!). Në vitin tjetër, 2012, “kemi” këto vizita: Itali (shkurt), Austri (mars), Zvicër (maj), Maqedoni (mars, shtator, tetor), Kosovë (qershor, shtator, tetor).

*****

Viti 2012 rezulton, sikurse duket, jo fort i bollshëm me lëvizjet jashtë: vetëm 9. Mbase dhe sepse, veç shkencës, ngarkesa në ASh ka qënë e madhe edhe në drejtime të tjera, sidomos në përkujtimore e ceremoni të ndryshme të zhvilluara. E shënuar do të mbetet sidomos ceremonia shkencoro-sportive e prillit 2012 – me gjasë, organizator i saj duhet të ketë qënë vetë presidenti i ASh-së, njëherësh “president nderi i peshëngritjes” - ku i ftuari i posaçëm ishte një shtangist që e kish marrë titullin “kampion evropian”, por që pastaj ky i doli problematik. Ndoshta për kompensim me federatën përkatëse (“Nder për Nder”), këtij sportisti iu dha në ASh medalja më e lartë e saj, “NDERI I AKADEMISË”. Por, à propos, do të pyesnim: a është vetëm e shkencave kjo ASh-ja jonë? Dhe, a mos duhet krijuar edhe një akademi tjetër, e sporteve të rënda e të lehta, në mënyrë që secili të gjejë vendin e merituar?

Viti 2012 kishte gjithashtu ceremoninë solemne që do të organizonte ASh-ja në Tiranë, për 100 vjetorin e Pavarësisë. Të gjithë i njohin disa polemika, në rrafshe të ndryshme, që i mirënjohuri Rexhep Qosja ka patur e ka me personalitete të veçantë të kulturës apo politikës së vendit dhe kombit tonë. Natyrisht që, lidhur me këto aspekte, është e drejta e secilit të bëjë vlerësimet e veta të pavarura, rast pas rasti. Por, gjithsesi, besojmë se intelektualët shqiptarë në masë do të jenë ndjerë të turpëruar nga mungesa e ftesës në këtë ceremoni për akademikun, albanologon, shkrimtarin dhe eruditin tonë të shquar, të vlerësuar si “Viktor Hygoi shqiptar”. Dhe nuk kishe si të mos kujtoje në ato kohë cilësimin lakonik, të bërë për kreun e ASh-së nga vetë Qosja: “kryetar i zgjedhur nga pushteti” (“Gazeta Shqiptare”, 19 prill 2013).

*****

Pavarësisht se dikush mund ta keq-interpretojë a keq-përdorë (puna e tij!), po tregoj shkurt dhe një eksperiencë tjetër timen me ASh-në. Po e tregoj sepse, përtej aspektit personal, besoj që ajo ka interes publik të njihet, si emblematike për gjendjen defektoze ku ka avancuar “rinovimi” dhe “reformimi” i ASh-së.

Aty nga vjeshta e 2011-ës, kur edhe për fushën e ndërtimit në ASh qe hapur një vend për anëtar të asociuar, kandidova. Përballë kisha vetëm një kandidat tjetër. Ai ishte dhe është biznesmen, drejtues i një kompanie ndërtimi. Ka zbatuar një sërë ndërtesash në Tiranë (të ngjashme me qindra të tilla të ngritura këto 20 vjet në Shqipëri). Dy prej tyre kanë njohur në fakt një farë “popullariteti”: një objekt te “Zogu i zi”, aty ku vite më parë u shkatërrua ai mbikalimi (që ia ulte vlerat pallatit) dhe një 16-katësh që po ngrihet këto kohë me shpejtësi në qendër të Tiranës, në rrugën “Donika Kastrioti”.

E vërteta është se, duke e njohur prej shumë kohësh kandidatin tjetër (që nga fakulteti, ku jemi diplomuar në të njëjtin vit), mendoja gabimisht që unë do ta fitoja lehtshëm garën - ndjesë për mungesën e modestisë! Madje kujtoja edhe se tjetri do të skualifikohej, nga që nuk dija se ai gjithashtu e kishte titullin “profesor”. Nuk e di as tani se si e kishte marrë; por, me siguri pa kaluar nga Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, ku unë punoj prej një kohe të gjatë. Këtu nuk është dëgjuar që ai të ketë patur ndonjë lidhje, shkencore a teknike, aq më pak mësim-dhënëse. Megjithëkëtë, përgatita me kujdes një dosje mbi aktivitetin tim 40-vjeçar: si pedagog nga viti 1972, drejtues departamenti e fakulteti në universitet, si dhe punonjës shkencor e, për gati 20 vjet, edhe drejtues departamenti në një institut shkencor të Akademisë. Mirëpo, pak ditë përpara votimit dikush nga ASh-ja më thotë miqësisht se, me sa e ndjente ai “klimën” përreth , shanset e mija për të fituar ishin realisht më të pakta. Ndërkohë, më ra në dorë dhe një “skedë përmbledhëse” mbi aktivitetit tim, me gjithsej jo më shumë se dhjetë gjysma-rreshtash. Ajo u ishte dërguar atyre që do të na votonin (Në ASh “punohet” me skeda dhe aty, s’dihet pse, nuk u praktikua asnjëherë prezantimi i çdo kandidati direkt para aulës së trupës votuese). “Skeda” ime ishte e sakatuar, me gabime. Kurse në skedën e kandidatit tjetër ishin vendosur, midis të tjerave, një numër studimesh të cilin padyshim do ta kish zili çdo shkencëtar bote: plot 27 (!). [Me që ra fjala për studimet shkencore, po avancojmë pak në kohë për t’u ndalur shkarazi te raporti i ASh-së për 2012-ën, ku ish-kandidati tjetër, tani pjesë e asamblesë së ASh-së, paraqitet si b/autor i dytë i një studimi me titullin e rëndësishëm “mbi hidro-energjitikën e lumit Vjosa” - i dalë tashmë me intestimin e saj dhe raportuar po prej saj si studim me 80 faqe, kur në të vërtetë është me 70, nga të cilat mbi 30  faqe kanë ose foto të lumit Vjosa, ose  tabela me kuota dhe prurje, ose janë bosh - për të bërë këto pyetje: 1.- Si “koordinuese” e shkencës në Shqipëri, a ka dijeni ASh-ja që autor i një studimi shumëvjeçar mbi hidrologjinë, potencialet hidro-energjitike dhe skemën e shfrytëzimit të Vjosës ka qënë një grup i gjerë dhe i mirënjohur profesorësh dhe punonjësish shkencorë të ish-katedrës së Hidroteknikës  në Fakultetin e ndërtimit, komponente bazë kjo e Departamentit të sotëm të Hidraulikës dhe Hidroteknikës dhe, nëse po, e ka parë të arsyeshme ASh-ja që - përpara botimit prej saj të studimit - të kontaktonte profesoratin në departamentin përkatës e të merrte, të paktën aty, një vlerësim alternativ mbi këtë studim, krahas atij të recenzentëve (zyrtarë, caktuar nga ASh-ja?), njëri prej të cilëve njihet si projektuesi i konstruksionit të ndërtesave të kompanisë së ish-kandidatit? 2.- A ka dijeni ASh-ja që ekziston edhe një grup studimor francez (SOGREAH), i cili, mbi baza kontraktuale, në maj 2009 ka përfunduar - i mbështetur nga një institut pretigjioz i fushës në Grenoblë të Francës - një studim tjetër me të njëjtën tematikë dhe mbi aspekte të tjera inxhinierike të lumit Vjosë e luginës së saj, studim i ri i cili ka kaluar edhe në filtrin e oponencës të paraqitur në një raport (me mbi 80 faqe, viti 2010) nga një tjetër kompani e huaj (Eversheds), edhe kjo e kontraktuar nga Ministria jonë që mbulon energjitikën - METE?].

Por, le të kthehemi te “skedat” e famshme të ASh-së. U indinjova për “skedën” time dhe për këtë kërkova takim me kreun e ASh-së. I shpjegova përse kisha vajtur. “Po, po, s’ka problem - tha - në është bërë gabim do ta rregullojmë”. Në fakt, skeda u ri-bë nga “komisioni kompetent” i ASh-së që e kish hartuar atë. I pari në atë komision figuronte emri i një akademiku nga fusha e kimisë. Mjaft i sjellshëm në komunikim, ai ka qënë zgjedhur a emëruar prej kohësh në «strehën e ngrohtë» të ASh-së, nuk mund ta dimë për çfarë meritash shkencore. Ishte dhe një profesor i fizikës. Pa bërë ndonjë koment tjetër, do të vërenim se ai është i njohur si shahist dhe u përzgjodh si akademik më 2008. Në komision bënte pjesë edhe një tjetër, i fushës matematikë-informatikë, i përzgjedhur gjithashtu më 2008 në ASh-në “e re”, me aktivitet të mëparshëm po nga INIMA (ku ka qënë zv/drejtor gjatë periudhës 1993-97).

Skeda time “e rinovuar”, megjithse u ndryshua, doli përsëri me mangësi dhe gabime, besoj pa dashje. Por, nuk ia vlente të merresha më tepër me atë punë, kur dukej se fituesi ishte para-vendosur (si puna e atyre tenderave). Për më tepër kur, siç më thanë, një pjesë e votuesve-akademikë, ata që ishin jashtë shtetit me punë apo shërbim, kishin votuar prej kohësh, me rrugë postare. Çka, natyrisht, e shtonte padrejtësinë dhe abuzimin.

Përfundimisht, votimi doli ashtu siç isha paralajmëruar: fitonte tjetri. Rezultati: 19 me 14. Këto “habere” i mora vesh privatisht, sepse ASh-ja tonë “e shquar” nuk denjon, ndjehet keq ose s’e kupton që e ka për detyrim t’i njoftojë secilit kandidat rezultatin zyrtar. Falenderova një pjesë të vogël, aq sa njihja, nga ata 14 akademikë të nderuar. Nga ana tjetër, tashmë ngrehinës së ASh-së dhe hierarkisë zyrtare të shkencës shqiptare “i shtohej edhe një kat”.

Ish-kandidati tjetër, tani akademik (asoc.), është i vetmi që “mbulon” në ASh një fushë dyshe (“ndërtim-hidroteknikë”). Ndonse, me sa dimë, nuk është i diplomuar për specialitetin hidroteknik apo hidro-energjitik (por, me këtë nuk duam të themi se njeriu nuk ka të drejtë që kudo, sidomos në ASh, të bëjë studime edhe në fusha jashtë specialitetit të tij).  Profili i tij mund të gjendet lehtë në faqen 2022 të Fjalorit të ri enciklopedik shqiptar (“FESH” -it) - botim i rinovuar edhe ky i ASh-së, i cili, meqë ra fjala, ka patur shumë kritika në shtyp (p.sh. “Shekulli”, 2 shtator 2009). Si dhe të tjerët, akademiku-biznesmen ka të drejtën të marrë në ASh edhe rrogën shtesë që i takon (por që, mbase, ia fal ndonjë fondacioni).

****

Pavarësisht se s’kisha treguar “sportivitet” dhe e kisha humbur “garën”, më vinte shumë mirë që kishte mjaft akademikë që kishin votuar pró meje. Për më tepër, më dukej sikur ata më kishin mbështetur jo thjesht mua, por komunitetin shkencor- mësimor ku “kam kandiduar” dhe besoj se bëj pjesë prej kohësh: të atyre njerëzve të këtij vendi, natyrisht jo misionarë “të rënë nga qielli ”, të cilët, pa u joshur nga përfitimet e pamerituara, kanë bërë një pakt të ndershëm me ndërgjegjen e tyre. Paktin për t’iu përkushtuar punës, institutit apo shkollës, ku punojnë. Është komuniteti i njerëzve që kërkojnë vetë vazhdimisht dhe që drejtojnë diplomantë, mastera e doktorantë - madje herë-herë edhe pa shpërblime financiare. Komunitet ku mund të gjesh edhe atë bashkëpunimin e sinqertë mes kolegësh. Komuniteti i njerëzve të cilët, pa kapardisje fodulle e pa treguar “përralla me shkencë”, gjenerojnë dhe realizojnë idé e projekte të vetat, studime e botime me vlera reale për vendin e me nivel të standardeve të sotme europiane. I njerëzve që u mjafton  respekti i shumë e shumë studentëve dhe ish-studentëve e familjeve të tyre, ngado në Shqipëri, por që kanë krijuar gjithashtu lidhje solide profesionale, shkencore e miqësore, me shumë kolegë e partnerë në insitucione shkencore-mësimore të huaja. Duke u përpjekur, secili në fushën e vet, edhe që vendi ynë të prezantohet sa më denjësisht në botën e qytetëruar. Të arritura këto pavarësisht pengesave e xhelozive bizantine që s’mungojnë asnjëherë. Është komuniteti i atyre njerëzve të punës dhe rezultateve konkrete që s’kanë të bëjnë me provincializmin vulgar të “profesorëve që s’ua njeh kush diplomën përtej urës së Lanës”, po të përdornim një shprehje me të cilën - si reagim ndaj fyerjes që i ishte bërë më parë - një publicist e shkrimtar i njohur i drejtohej dikujt me titull akademik fiktiv (“Panorama”, 13 tetor 2006). Pra, është dhe komuniteti i atyre njerëzve që, me vullnet qytetar, nuk mungojnë të thonë ca të vërteta të hidhura të kohës, pavarësisht se bien ndesh me interesa të shumta që gjallojnë ngado.

*****

Duke i shtrirë më gjerë këto opinione, edhe përtej ASh-së, do të përsërisnim së pari diçka që dihet: elitat e emëruara apo të pseudo-votuara janë elita të gabuara. Akoma më keq nëse ato bien erë trustesh, ndërtimi, birre apo të ndonjë malli tjetër (të kualitetit “zero stelë” apo me “ndonjë stelë”). Për në tempujt e dijes nuk duhet të ketë akses asnjë sekser ose individ, kushdo qoftë, që s’ka të bëjë me ‘ta. Padyshim, as politika. Përndryshe, dhënia e gradave e titujve apo kapjet e pamerituara të posteve në institucionet shkencore e mësimore do të shoqërohen vazhdimisht me shtrembërime të pakthyeshme të hierarkisë akademike. Përndryshe, do të bëhet gjithnjë e më i hekurt solidariteti i klanit të anonimëve, mediokërve, sharlatanëve, rrufjanëve dhe “kapterëve shkencorë”. I atyre që punojnë me brryla, me hile, me gjysmë të vërteta apo me shpifje për të tjerët, duke amplifikuar nga ana tjetër, ku të mundin, “performancat” e tyre inekzistente apo të dyshimta. Klani i atyre që kërkojnë paturpësisht e me insistim (dhe jo rrallë arrijnë) që të hyjnë në çdo forum a këshill, sidomos aty ku ka vendim-marrje. Prej ku tentojnë të bëjnë “ndere” e favore të pamerituara - që do t’u rikthehen diku, shumë shpejt! - duke nëpërkëmbur rregulla e standarde.

Është e tepërt ndoshta të themi që këtyre dukurive duhet t’u ndërpritet rruga dhe se kudo ku është e nevojshme duhet të realizohet  “rrotacioni akademik”: nga pseudo-elitat e instaluara në forma abuzive në alternativën e njerëzve të punës dhe të produkteve të vërteta intelektuale. Përndryshe, nuk do ishte çudi që te ne - si nga një vetë-shkatërrim – gjenerata më e afërt të gjendet e pafuqishme për të ecur përpara e për të mbrojtur vlerat kulturore e shkencore. Sepse, do të përballej me realitetin e zymtë që paralajmëronte këto kohë një “kullë” e eseistikës shqiptare, kur shkruante (“Dita”, 26 maj 2013): “skafistë dhe doganierë me diploma të blera po kërcënojnë edhe qarqet akademike”. Por, le të përpiqemi e le të shpresojmë që kjo të mos ndodhë.

                                                                                                                        Qershor 2013

 

 

Prof.dr. Niko Pojani është prej vitit 1972 pedagog i Statikës, i Dinamikës dhe Inxhinierisë sizmike në Fakultetin e Ndërtimit–UPT. Aty ka drejtuar për një kohë të gjatë departamentin e Mekanikës së strukturave, nga organizimi i tij më 1992 dhe në periudha të mëvonshme. Në ish-Institutin Sizmologjik të ASh-së ka qënë përgjegjës i Departamentit të Inxhinierisë sizmike, nga formimi i tij më 1986 e deri më 2007 (efektiv dhe i jashtëm). Ka kryer specializime brenda e jashtë vendit (Francë, Itali, Angli, SHBA, Gjermani, Greqi, Maqedoni, etj). Ka drejtuar një sërë projektesh shkencore, disa ndërkombëtare. Pjesëmarrës në forume inxhinierike, akademike e shkencore, ai është autor ose b/autor në shumë artikuj shkencorë, brenda e jashtë vendit, si dhe i 15 librave. Interes të gjerë ka patur veçanërisht libri “Inxhinieria sizmike” (v. 2003). Gjatë viteve 2011-2012 ka qënë ekspert kryesor në projektin e Bankës Botërore për adoptimin e Kodit Europian për ndërtimet rezistente ndaj tërmeteve. Këtë vit sapo ka botuar librin në dy vëllime (me 1200 faqe) “Shkenca e konstruksioneve përgjatë historisë së saj”  e, si bashkëautor, edhe librin “Analiza matricore e strukturave”.

Comments

Submitted by leu (not verified) on

<p>&nbsp;Si do qe te jete kryetari akademise per nga pregatitja fizike eshte me i forti nga gjithe akademiket.....</p>

Submitted by Lleshi (not verified) on

<p>Ehhh , cfare te thuash more zoteri ?!!!</p><p>Po nuk e di ti se &quot;goditja&quot; e dhene ne &quot;koke&quot; , eshte ajo vdekjepruresja ? Si mundet te veproje ndryshe kasta antishqiptare ne krye te shtetit shqiptar ?</p><p>Vendin e studimeve te Akademise Shqiptare e kane zene &quot;naçertania&quot; dhe &quot;megalidheja&quot; , cfare i duhet kastes drejtuese te shtetit shqiptar akademija shqiptare ? T&#39;iu nxjerre te palarat dhe veprimtarine antishqiptare , apo t&#39;iu behet pengese ne kete veprimtari ?</p><p>Mos bej gabime te tilla se je dhe shkencetar .....!</p>

Submitted by Ura (not verified) on

<p>Eshte e trishtueshme si ka perfunduar akademia. Turp! Te pakten ky institucion duhej te kishte mbetur elite. Por jo, edhe aty duhet te geloje korrupsioni, nepotizmi, plogeshtia mendore, dembelizmi, pompoziteti, paaftesia, etj. etj. Pese njerez te sakte qe ka Shqiperia, ne vend qe te promovohen, goditen... Kur do te veme mend?&nbsp;</p>

Submitted by Stefan H (not verified) on

<p>Ne fakt une do te prisja nje reagim nga antare aktuale te akademise se shkencave. Si duket , asnje prej tyre nuk e ka lexuar artikullin e z. Pojani, ose e ka lexuar dhe nuk desheron te prononcohet (ska me keq kur indiferenca sundon edhe qarqe shkencore).</p>

Submitted by BLERTA (not verified) on

A nuk është per te ardhur keq qe nje 24 vjecare e sapo dale nga bankat e shkolles, pasi e lexon kete artikull mendon "e c'ka per tu habitur ketu"???
Me cfare fryme do ecim perpara? Te mendosh qe nje profesor i nderuar shkruan nje artikull te tille, plot me fakte qe tejkalojne aspektin personal dhe nuk merr asnje lloj reagimi nga asnje anetar i ASh-se apo nga ndokush qe mund te kete dicka ne dore.
Personalisht mendoj qe kjo perben nje themel shume te rendesishem i cili po cenohet dhunshem, ndaj besoj qe nuk duhet mbyllur e gjitha me nje artikull te shkruar mire por duhet te trumbetohet pa pushim derisa "reformimi" te dale nga thonjezat.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.