Tirana E Llangosur Me Flamuj, Çfarë Mjerimi!

Postuar në 11 Qershor, 2013 09:38

 

Çdo ditë që na afron drejt 23 qershorit, është një ditë edhe më e ngjyrosur për rrugët e sheshet e Tiranës. Fillimisht bluja e thellë e flamujve të partisë në pushtet, e gjithëpushtetshme, që mbuloi gradualisht rrugët e kryqëzimet, e tani edhe e purpurta e opozitës, që përpiqet t’i ngjitet edhe ajo shtyllave të ndriçimit e semaforëve të kryqëzimeve. Një tallava ngjyrash, siç nuk është parë kurrë më parë në Tiranë në dekadën e fundit. Nëse në zgjedhjet e vitit 2009, apo edhe në lokalet e majit 2011, kryeqyteti qe kursyer nga kjo zallamahi flamujsh e banderolash, duke u kufizuar me panelet e ndriçuar apo manifestet nëpër mure, tashmë moda e flamujve ka pushtuar çdo cep të qytetit. Llangosja me ngjyrat partiake, dikur zakon i periferisë së Tiranës, sot është bërë realitet në zemër të saj.

Tirana ngjan sot me Kamzën, ku dhuna e ngjyrës blu është një gjendje e vazhdueshme psikike për banorët e atij qyteti, pavarësisht se cilin e duan e cilin votojnë. Dhe lidershipi lokal i Tiranës, duket të jetë përgjegjësi kryesor i këtij teprimi ngjyrash e simbolesh partiake, në një ambient të përmbajtur e të kursyer në pasione, si ai i Tiranës.

Degjenerimi i peizazhit elektoral në kryeqytet po integrohet me kodin e dhunshëm të komunikimit, që qeveria ka vendosur me Tiranën. Abuzimi me administratën qendrore e lokale, me mësuesit e mjekët, ndjekja me lista e votave në çdo lagje e mëhallë, po ndërthuren me këtë shfrenim dekoresh partiake, si për të na dhënë orë e çast mesazhin se po shkojmë drejt një beteje “jo si ato të mëparshmet”. Një tendosje që i vlen kryesisht partisë në fuqi, për të vënë nën presion kundërshtarët e motivuar, përkrahësit e ftohur. Dhe që kreu i Bashkisë së Tiranës e ka kuptuar më së miri, duke toleruar veshjen në blu të të gjitha arterieve kryesore të kryeqytetit.

Kjo fushatë në Tiranë ka edhe një aspekt tjetër abuziv, sa i përket rolit dhe pozicionit të Bashkisë në këto zgjedhje. Është ai i inaugurimeve të rrugëve të sistemuara të kryeqytetit, pikërisht në mesin e fushatës dhe në funksion të saj. Pse duhet të jetë ky një aspekt abuziv, përderisa po shtrohen rrugët e Tiranës, mund të pyesë dikush? Nuk ka asnjë dyshim se sistemimi i rrjetit rrugor të një qyteti përbën një detyrë parësore për çdo administratë lokale. Por nuk do shumë mend gjithashtu, që keqpërdorimi politik e elektoral i këtij prioriteti, e fut këtë proces në një dimension krejt të ndryshëm nga ai fillestar. Sepse kushdo ka të drejtë të thotë sot, se rrugët po shtrohen jo vetëm që tiranasit të qarkullojnë në mënyrë më komode, por edhe që prerja e shiritave të inaugurimit të tyre, të shtojë vota për qeverinë. E kjo nuk shkon, kur për ato rrugë është harxhuar para e përbashkët publike!

Këto ditë, teksa inspektonte disa nga rrugët e mbetura hapur gjashtë muaj rresht, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha u deklaronte mediave se në kryeqytet “kishte mbaruar koha e asfaltit elektoral”. Vështirë të gjesh akt më të madh autoironie, sesa kjo frazë. Nuk ka banor të këtij qyteti, që nuk e mban mend ditën apo javën kur, të veshur trashë (ishte dimër, janar), panë sesi disa rrugë e rrugica të Tiranës u pastruan nga makinat, u izoluan nga këmbësorët dhe u bënë të pakalueshme. Kishte nisur projekti i sistemimit të disa prej arterieve të kryeqytetit, i cili, siç pritej, do të përfundonte fiks në mesin e fushatës elektorale. Njëra prej tyre, për shembull, rruga “Pjetër Bodgani”, pak më shumë se 100 metra e gjatë, qëndroi gjatë gjithë dimrit dhe pranverës e hapur, “me zorrë jashtë”, derisa më në fund, pak ditë më parë gjithçka u gdhi e asfaltuar. Rreth gjashtë muaj për të sistemuar e asfaltuar njëqind metra rrugë?! Kjo është pyetja që bëjnë sot e gjithë ditën banorët e kësaj zone.

Kur sheh sesi Berisha dhe Basha pozonin dje para mikrofonave, në rrugën e sapopërfunduar “Petro Nini Luarasi”, kur i sheh cep më cep të Tiranës duke prerë shirita, s’mund të mendosh veçse që koncepti i “asfaltit elektoral” është ulur këmbëkryq në mes të Tiranës. E çfarë emri t’i vësh kësaj parade asfalti e vijash të bardha, në vitin e dytë të punës së kryebashkiakut Basha, pikërisht në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit?

Lulzim Basha po kultivon sot në krye të Bashkisë së Tiranës, pa më të voglën vrasje ndërgjegje, modelin e kryebashkiakut-shtojcë të kreut të qeverisë. Një gjë që paraardhësi i tij, përjashtuar lojërat taktike në funksion të momenteve të caktuara, nuk e ka pasur në menynë e tij politike. Megjithëse e di fort se ka fituar padrejtësisht e për një grusht votash, Lulzim Basha nuk ka hezituar fare që t’i ngjitet karrocës elektorale të qeverisë në mënyrën e shëmtuar që vetëm ai di ta bëjë, duke shpërfillur e hedhur në koshin e plehrave atë që mendon gjysma e popullsisë së qytetit që ai administron. Mesazhi i tij për tiranasit është i qartë dhe cinik: votoni partinë time, që të keni rrugë të asfaltuara. Një qëndrim që ia bën shumë të lehtë punën ndërkombëtarëve, për të kuptuar sesi po përdoret shteti dhe pushteti në fushatën elektorale të qershorit. Mjafton të dalin pak metra jashtë “Rogner”-it dhe “Sheraton”-it.

/SHQIP/

Comments

Submitted by dule (not verified) on

<p>Perse paska kaq alergji te madhe ndaj flamureve ky zoteria ? &quot;Tirana e llangosur me flamuj&quot;??? Flamujte jane thjeshte simbole kombesh, ideshe, partishe politike, identitetesh qe shkojne nga nje fshat i vogel deri tek flamuri i BE. Mesa duket zoterise i ka ngelur mendja vetem tek nje flamur, flamuri i PP me yllin mbi shkabe. Do ta perceptonim si llangosje te Tiranes rilindjen e flamurit te tiranit e nuk ka sepse te shqetesohemi per flamuj te shumte e pluralizem mendimesh e ideshe.</p>

Submitted by Lutfi Dervishi (not verified) on

<p>Ha ha ha ha ha o Kaco (jo cazzo), edhe mua me liroi. E vura ne tavanin e WC</p>

Submitted by Anonim (not verified) on

<p>Dule, ideja mesa shoh esht te fakti qi Tirana ska pas kurr me shum se sot lufte flamujsh e kjo vec sa e nxit klimen politike.une jetoj prej 15 vjetesh ketu dhe skam pa noiher kaq shume flamuj rrugeve.sme duket normale gjith kjo. ironia yte esht krejt pa lidhje</p>

Submitted by Vlora (not verified) on

<p>Po Vloren e ke pare, te vrasin syte posterat e Rames, ne nje bar i kishin futur edhe ne banjo</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.